Vdekja dhe Rilindja (Digjitale) e Encyclopaedia Britannica!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2015

(…sot, ndoshta rreth 80% të librave fizikë janë vetëm si “monumente” të mbamendjes për njohuritë e së kaluarës, qëkur ngërthejnë materie të tejkaluar…)

Ky titull “Vdekja e Enciklopedisë… ” tingëllon mjaft “bombastik” dhe dhimbshëm. E qartë, por s’mund të anashkalohet dhe më shumë vlerë ka fakti “i cullakosur”. Pas afro 3 shekuj të famozitetit, plot 244 vite pas publikimit të parë (1771), në Mars të v. 2012 enciklopedia më e vjetër e botës anglishtfolëse, Encyclopaedia Britannica, u “shua” si edicion i printuar. Presidenti Jorge Cauz pati bërë të ditur që pas shitjes së kopjes së fundit (nga edicioni i mbramë), Enc. Britannica do jetë prezente vetëm digjitalisht!

Gëte pati thënë “…aq shumë libra sikur kthehen në libra thua se vetëm për t’na e bërë të ditur që autori i tyre dinte aq shumë” – mos vallë Gëte vërtet kishte të drejtë!

Apo ndoshta shtrohet dhe pyetja tjetër, mos vallë tutje s’duhet të printojmë fare libra fizikë? Dijet tona s’duhet t’i konvertojmë fare në libra fizikë, sepse është duke ndodhur një “ndryshim” i thellë, rrënjësor. Sepse derisa t’i bëjmë gati dhe derisa ta kenë parë dritën e botimit, ndoshta mencuritë tona do t’jenë vjetruar, do t’jenë tejkaluar! Pasi shkencat dhe dijet lëvizin aq marramendshëm. Sot, ndoshta rreth 80% të librave fizikë janë vetëm si “monumente” të mbamendjes për njohuritë e së kaluarës, qëkur ngërthejnë materie të josistemuar dhe të tejkaluar. Vallë çfarë na duhet gjithë ai volum librash, çfarë na duhen 80% të librave nëpër panumër biblioteka publike dhe private të botës që nuk thonë asgjë të re!

Disa problematika, lidhur ose rreth shuarjes së Encyclopaedia Britannica:
– Në Qershor të 2009, doli nga shtypi edicioni i XV i saj, dhe u shiten rreth 8000 komplete, duke gjeneruar rreth 11 milionë dollarë.
– Fondacioni Wikipedia në të njëjtën kohë nga kontributi vullnetar i donatorëve pati vjelur rreth 60 milionë dollarë.

– Çmimi i edicionit të printuar të Enc. Britannica: 1395 dollarë, abonimi “online”: 70 dollarë në vit.
– Çmimi i Wikipedia: Falas!

– Artikujt e edicionit të fundit të printuar të Enc. Britannica: 65.000 sosh.
– Artikujt (vetëm në anglisht) në Wikipedia: 3. 890.000 artikuj.

– Kontributorët e Enc. Britannica: 4000 artikullshkrues, duke futur këtu dhe 110 fitues të Nobelit, dhe 5 Presidentë të ShBA.
– Kontributorët e Wikipedia: 751.326 artikullshkrues (ku mund të jeni dhe ju vetë, apo fqinji juaj)
(të dhënat: Statista, via NYYimes, Wikimedia Foundation, Enc. Britannica, Inc – sguraziu)

Dijet dhe shkencat sot kanë lëvizur aq shumë, kanë ecur përpara, kanë lindur shkencash të reja, janë degëzuar e specializuar aq shumë fusha të reja, aq sa fundi s’i shihet kurorës, degëve e nëndegëve të Lisit të Dijeve. Disa shkenca, natyrisht akoma mbase në fazën foshnjarake, por njohuritë e kësaj bote lëvizin brenda çdo sekonde.
Përveç Gëtes, për librat mund t’ketë folur dhe shumkush tjetër. Mund të gjejmë panumër thëniesh të mençura. Gjithsesi, mbase s’duhet t’u “pershtatemi” thënieve të botës siç na e ka ënda (për hir të ndonjë ilustrimi ideatik, gjoja të adaptohemi me ato thënie që më së shumti na përshtaten). Mundësisht, duhet t’i krijojmë dhe t’i shpikim vetë thëniet tona… të cilat do t’i qëndrojnë kohes (tekefundit kohës sonë, për njëfarë kohe). Ashtu do ishte ideale, anise kuptohet, s’është asfare e lehtë. Sepse është e pamundur të kapërthehet gjithçka.

Andaj as Britannica… nuk mund ta ndjek hapin me “botime fizike”. Sepse njohuritë në kohën tonë moderne duhet përditësuar në mënyrë aq frekuente. Sepse njohuritë lëvizin, fushat e dijeve zgjerohen, njohuritë dhe e vërteta nuk janë të fiksuara, as absolute… Filozofët modern madje thonë që nuk ekziston fare e vërteta absolute.

Dhe ndoshta s’ka aspak rëndësi sa libra i kemi “kthyer” në formën e librit, sa libra i kemi publikuar… tutje ndoshta rëndësi do t’ketë çfarë kemi thënë të re, të veçantë, të jashtëzakonshme, që nuk dihej më parë, që do ishte risi, avancim, përmirësim, shkuarje përpara. Në kohën tonë të bujshme të publikimeve, në kohën e megabibliotekave universale tutje ndoshta s’do ketë rëndësi volumi as kuantiteti, por kualiteti.
Padyshim Gëte kishte të drejtë. E sidomos nëse e sjellim ndërmend erën bashkëkohere, të tashmen, erën e projekteve digjitale “gutenbergiane”, erën e frymës së kthimit të njohurive në “free source”, duke ecur drejt shekujve të “njeriut të ri”.

Le ta kujtojmë shembullin më të mirë të kësaj natyre… shembullin Wikipedia-së dhe llojeve omni-burimore të bibliotekave të ngjashme. Ka me vite që aktivistë nga universitetet e mbarë botës shetisin anekënd globit si “residentë” universitarë në emër të Wikipedia dhe duke i digjitalizuar për disa muaj burimet shkencore dhe literaturën. Ata merren me këtë punë për aq muaj të qëndrimit, qoftë në Oksford, në Harvard, qoftë në Cambridge… dhe tutje shembuj të panumërt të librarive universitare të botës. Nesër të tillë aktivistë-wikipedi-stë dhe misionarë rezidencialë do t’shfaqen dhe para dyerve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, para Bibliotekës Universitare të Prishtinës, do trokasin në dyert e akëcilës shkollë, librari, institucion dijesh… që ka t’i ofrojë diç botës!

Pse jo, le ta mbyllnim me thënien e Gëtes – “aq shumë libra sikur kthehen në libra për t’na e bërë të ditur që autori i tyre dinte aq shumë“!
Natyrisht, kjo mund të interpretohet në shumë mënyra. Ndër të tjera mbase Gëte donte të thoshte se lexuesit që nuk i dinë disa gjëra natyrisht dhe mund të mësojnë diç nga aso librash, por në fakt të tillë libra s’kanë sjellur diç të re në dritë. Do ishte dmth. thjesht vërtitje e materies nga një vend në tjetrin, nga një kohë në tjetrën… Andaj njeriut të së ardhmes ndoshta i duhet një “burim i centralizuar” i shkencave dhe i fakteve të palëvizshme. Avancimet marramendëse teknologjike, AI dhe “big data” e bëjnë të mundur një ëndërr të tillë. Megabibliotekat virtuale të së sotmes, Wikipedia dhe burime të ngjashme ndoshta janë vetëm “shenjat” e para të kësaj ëndrre…