Librat më të mirë shkruhen dikur në pleqëri (Kant)!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2015

librat më të mirë shkruhen dikur në pleqëri, pas te 70-ave e tutje” – Immanuel Kant (1724-1804)
(…megjithatë, them se librin më të mirë mund ta kemi shkruar pikërisht në rini… : )

Disa njerëz shëndrijnë si yje që në rini me gjenialitetin, apo me talentin e tyre, apo me karakterin etj. Yje të tillë shkëlqejnë herë furishëm e herë me beftësinë, madje pavarësisht përgatitjes profesionale… ndodhë mu në mes të rrugës së studimeve, ose dhe fare jashtë fushës për të cilën ata studiojnë, thjesht shkëlqejnë si yje të ndritshëm… dhe pastaj, shpesh dhe ikin nga kjo botë.

Le ta kujtojmë bie fjala Migjenin, gjenialitetin e tij poetik, pastaj ikjen e tij në lulen e rinisë. Një shpirt aq i ndjeshëm, një inteligjencë mahnitëse, një omni-filiz rinor i inteligjencës… një paraprijës i fjalës moderne dhe mbajtës i pishtarit të poetikës. Jo vetëm që iku aq i ri, madje sipas mendimit të Dr. Robert Elsie, Migjeni pati ikur dhe i virgjër. Edhe pse s’ka shans të vërtetohet diç e tillë, qëkur është… apo ishte një element skajshmërisht personal, vërejtjet e z. Elsie (bazuar në ato… siç ai e pati shpalosur mendimin e vet) janë absolutisht logjike.
Së këndejmi “pështirosja migjeniane” (le ta quaj tani kështu) s’është ndonjë element psikologjik pa asnjëfarë “vlere” i karakterit të tij poetik. Ai nuk e përjashton “erosin” nga arti i tij, por ai në shkrimet e veta (kuptohet, pavetëdijshëm) i shpalosë disa gjëra të tjera si simptoma të padukshme “psikologjike”… Mirëpo kjo, hëpërhë tjetërherë, është një temë tjetër.

Sa për ilustrim… e “luta” Internetin ta ujdiste një listë aty për aty (meqë s’është se jam marrë me këtë punë… të bërjes së listave). Edhe pse Interneti m’i hodhi shumicën e yjeve të muzikës e të show-business… m’i bëri “mix” me ata të shkencave e të arteve. S’prish punë gjë, në funksion të shembullit kjo listë mbase është fare “okay”.

John Belushi, paska ikur 33 vjeç, Aleksandri i Madh 32 vjeç, piktori Caravaggio 38 vjeç, Vincent van Gogh 37 vjeç, piktori Raphael 37 vjeç, shkrimtarja Jane Austen 41 vjeç, kozmonauti Yuri Gargarin 34 vjeç, muzikanti Frederic Chopin 39 vjeç, Princeshë Diana 36 vjeç, Tutankamoni i egjiptasve të vjetër përafërsisht 18 vjeç, poeti John Keats 23 vjeç, Wolfgang Amadeus Mozart 35 vjeç, Oscar Wilde 46 vjeç, George Orwell 46 vjeç, Franz Schubert 31 vjeç, Aleksandr Pushkin 37 vjeç, Christopher Marlowe 29 vjeç, Felix M-Bartholdy 38 vjeç, John F. Kennedy 46 vjeç, Che Guevara 39 vjeç, Bob Marley 36 vjeç, Amelia Earhart 39 vjeç, Elwis Presley 42 vjeç, Martin Luther King, Jr. 39 vjeç, Rudolph Valentino 31 vjeç, Anne Frank vetëm 15 vjeç, Marilyn Monroe 36 vjeç… etj etj etj, i lashë aq shumë aktorë, pastaj sportistë, muzikantë, këngëtarë (që mbase dhe s’rrinin rehat me narkozat, me “kokainat” e lloj-lloj drogash, si John Belushi psh. por të cilin meqë me prejardhje shqiptare nuk e “përjashtova” nga lista 🙂

***
Në anën tjetër, kemi fenomenin kur pikërisht afër pleqërisë shumë njerëz sikur nguten t’ia shpalosin botës gjithë talentin, dituritë dhe çdo gjë tjetër që u ka shpëtuar dikur! Këtë fenomen si “shaka” e pata cekur dikur, para ndoshta 10 viteve, në humoreskën “Mustaqet e hekurta”, 2004. Dhe shumica e këtyre që aktivizohen në “pleqëri” thuase “justifikohen” duke u mbështetur në thënien e Kantit, i cili pati thënë se “librat më të mirë shkruhen dikur në pleqëri, pas te 70-ave e tutje”. Mbase, pasi ta kesh konsoliduar “urtësinë” dhe kur gjithë mençuritë e botës t’i kesh “në gjunj” – padyshim kështu duhet të ketë menduar atëherë Kanti!

Sa për piketimin e thënies së Kantit, në rregull… por në vete sikur ka një “problemth” dhe kjo thënie. Pleqëria vetvetiu është e “ndieshme” – sidoqoftë le ta shpërfillim akëcilin problem të moshës, le ta harrojmë secilen simptomë të pahetueshme të dementisë eventuale : )
Por ajo më kryesorja, kush apo çfarë na garanton rreth vërtetësisë së thënies së Kantit? Si ta kemi garancinë që ai akoma ka të drejtë, edhe sot e kësaj dite? Në çfarë të bazohemi që Kanti vërtet kishte të drejtë?

Kam frikë… gjenialiteti aspak s’ka të bëjë me moshën apo me vitet, përndryshe si ta sqarojmë Migjenin dhe shembujt e panumërt të botës. Përndryshe… sikur t’kishte pritur Ajnshtajni deri në pleqëri ndoshta asgjë, do harronte gjithçka, do merrej vetëm me violinën e vet në kopsht (ishte aq i ri kur e pati publikuar “Teorinë e Relativitetit…” dhe pothuaj të gjitha mençuritë e veta). Njutni ishte vetëm 26 vjeç kur “skarraviste” në Principa-n e vet, si ta sqarojmë faktin që… aq i ri e pati “shpikur” (avancuar) Kalkulusin, pa të cilin sot s’mundet as vetë NASA dhe shkencat orbitale të raketave?!

Thënia e Kantit edhe sikur t’na ishte “okay” për kohën e vet, ndoshta thjesht s’është tutje e saktë për kohën tonë. Ndoshta thjesht nuk qëndron, s’është asgjë më shumë pos diç si lajthitje xhufurratike. Jo pra… s’kemi asnjë lloj garancie se Kanti kishte të “drejtë”!
Andaj, megjithatë them se librin më të mirë mund ta kemi shkruar pikërisht në rini, paçka se nuk e kemi idenë, pandehim në pleqëri dimë më shumë, pandehim se jemi kthyer në urtakë, pandehim gjenialiteti ynë në pleqëri është vetë pikëmaja e apogjeut të dijeve : ) Nëse për Kantin s’e kemi garancinë, atëherë duhet t’jemi sadopak “skeptikë” edhe për pleqërinë tonë!