“Downtown One”, ndërtesa më e lartë e Shqipërisë!

(sguraziu – ars poetica, gusht 2019)

[ Projektuar nga MVRDV (Holandë), të përfundojë në v. 2024 ]

Meqë deri në v. 2025 Tirana padyshim do t’jetë diç si “nusja më e bukur urbanistike” e Ballkanit, edhe holandezët janë zotuar ta japin kontributin e tyre rreth projekteve të Tiranës. Studioja arkitekturale nga Roterdami MVRDV është e njohur anembanë globit, i kanë realizuar me qindra projektesh interesante gjithandej (psh. biblioteka “Syri i Dijes”… Tianjin Binhai, Kinë, projekt i tyre ishte – padyshim biblioteka më “futuristike” e botës).

Rrokaqielli “Downtown One” në Tiranë, i projektuar nga MVRDV për Kastrati Group, do t’ketë një fasadë me një lloj “harte pikselative” të Shqipërisë në qendër të saj. Me një lartësi prej 140 metrash do t’jetë ndërtesa më e lartë e Shqipërisë. Dyqanet dhe restorantet do ta zënë katin përdhesë të 37-katëshes. Pastaj do t’jenë 18 katet e zyrave e të bizsneseve, ndërsa rezidencat do t’i zënë 18 katet e sipërme. Gjithsej do t’jenë 77.000 m2 sipërfaqe hapësinore.

Planifikuar të përfundojë në v. 2024, “Downtown One” nuk është i vetmi projekt i MVRDV në Tiranë. Studioja holandeze po ashtu qe angazhuar ta shndërrojë “Piramidën” në një qendër edukimi të teknologjisë.
“Ribërja” e Piramidës qe inicuar vitin e kaluar, dhe më pati gëzuar fort, madje dhe më patën pëlqyer “skicat preliminare” të tyre. Ata patën thënë se do t’i publikojnë dhe skicat finale, kur t’jenë aprovuar nga pala shqiptare… ka kjo punë që nga viti i kaluar, por unë s’kam parë më pastaj.

Natyrisht, ka dhe studio tjera arkitekturale tek merren me projekte të mëdha në kryeqytetin shqiptar. Stefano Boeri Architetti po merrej me një lloj “Kubi” madhështor, dhe me ndërtesën e gjelbër “Tirana Vertical Forest” (apo Pyllin Vertikal, quaje si të duash), ndërsa studioja BIG ishte duke u marrë me Teatrin e ri Kombëtar të Shqipërisë etj. Dmth. kur është fjala për projektet më të mëdha – për aso më të vogla… padyshim ka panumer sosh, tashmë të përfunduara apo drejt përfundimit, sipas planeve të caktuara.

(infot e fotot: faqja zyrtare e MVRDV, dhe Dezeen)