Frymëzimi nga Muzat – Dëshmia “kafkaeske”!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2016

…poetët sikur seriozisht besojnë në Muzat (sidomos nëse të jetë fjala për muzën e poezisë lirike, Erata : ) dhe kujtojnë se ato janë frymëzimi hyjnor për fjalë, fjalë… fjalë dhe vetëm fjalë, me të cilat ata i ujdisin lloj-lloj gënjeshtrash të ëmbla poetike – ja psh. dëshmia a la “kafkaeske”…

Në njëfarë mënyre, ti je material poetik; je e ngjeshur me delikatësi të maskuara të cilat… kam dëshirë ta shpenzoj gjithë jetën duke i zbuluar. Fjalët shpërthejnë në prezencën tënde, dhe pluhurin e tyre ti e bart në poret e individualitetit të lehtë, të papeshë” – Franz Kafka (nga letërkëmbimi me Milena Jesenska)

– – –

Milena Jesenska (1896-1944) ishte gazetare, shkrimtare dhe përkthyese çeke. Më 1919, pasi njihet me një tregim të shkurtër të Kafkasë, i shkruan atij duke kërkuar lejen për ta përkthyer (nga gjermanishtja në çekisht). Nga aty filloi një korrespondencë intensive mes tyre, e cila bëhej gjithnjë e më pasionante. Jesenska dhe Kafka u takuan dy herë, gjithsej (në dy takimet) i kaluan 5 ditë së bashku.
Më vonë Kafka e ndërpreu marrëdhënien me të, pjesërisht sepse Jesenska nuk ishte në gjendje ta linte burrin e saj (E. Pollak, kritik letrar). Letërkëmbimi i tyre pushoi në v.1920 (eventualisht ata i shkëmbejnë dhe disa letra në vitet 1922 dhe 1923). Vetëm pak vite më vonë (1925) Jesenska megjithatë divorcohet dhe kthehet nga Vjena në Pragë, ku pastaj martohet me arkitektin çek J. Krejcar. Martesa e saj e dytë merr fund në v.1934. Pas okupimit të Çekosllovakisë nga Gjermania naziste, Jesenska arrestohet (1939) dhe burgoset. Gjatë 1940 deportohet në kampin e përqendrimit në Ravensbruck në Gjermani. Vdiq më 1944.

– – –
Piktura: Charles Meynier (1768-1832) – Erata, Muza e Poezisë Lirike, 1798-90