Të komunikosh me “shpirtrat”, me gjuhën e Poezisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

…sipas poetit R. Frost “poezia vjen në jetë kur ndjenja ta gjejë idenë e duhur, dhe kur ideja t’i ketë gjetur fjalët” – aq e lehtë të pajtohemi me thënien e Frost sepse është e saktë, qëndron – megjithatë, sikur është thjesht një formulim i “ftohtë”, formulim teknik, sikur me një fjali të vetme s’mund të thuhet kurrë çfarë poezia është realisht, sikur do na duheshin panumër faqesh, sepse është aq komplekse dhe njëkohësisht aq e thjeshtë…

…sidoqoftë, mes kompleksitetit dhe thjeshtësisë, padyshim poezitë janë dhe diç si përshëndetje për jetën, përshëndetje vetë jetes, janë diç si “aromë e bukëvalës” për urinë, si aromë puthjesh për dashurinë, janë figurinash e skicash të bilurta, janë gjithçka e ngrohtësisë, strall, urnë, luzmim e rrezatim i dashurisë ndaj gjithçkaje; janë diç si klithma shpirtërore (me qëllim komunikimi me shpirtrat e tjerë, hiç më ndryshe nga ato klithmat ordinere të gjuhës së përditshme), janë gjurmë a shenja të asaj që është sublime si vulë zemrash, si pastërti e skajshme prej ndjesish nga qenia jonë, ndonjëherë si kumt e kuptimësi e fragmentuar nga humbellat shpirtërore por gjithmonë brumë mimetik i ngjeshur me pafajësinë – gjuha e poezisë është “gjuha” më e pastër që buron nga ne, dhe të gjitha klithmat tona poetike, copëzat, fragmentet… nuancat e secilës arie mbase s’janë diç tjetër por “ndërkomunikim” – andaj mos hezitoni, “komunikoni” dhe ju me buzëqeshjet, me jetën, me të bukurën, frymëzohuni nga cicërimat pranverore të zogjve, nga lulet, nga bukuria e natyrës dhe nga gjithçka tjetër, mos i “prishni” kurrë punët me muzat…

– – –
(u paskam shkruar keshtu dikur miqve rreth listës “ars poetica” – e qartë, edhe atëherë e paskam dashur poezinë, njësoj si dhe tani : )