Bukuria në “sytë e strucit” – Dy portrete “fauviste”!

S. Guraziu – Ars Poetica, K 2017

Brigitte Bardot është takuar dy herë me piktorin Kees Van Dongen, në v. 1954 dhe 1959. Portreti i parë, bërë në v. 1954, do të përdorej në ballinën e revistës së famshme amerikane “Life”, më 1960. Portreti i dytë, punuar në v. 1959 qe titulluar nga artisti “B.B. në sytë e strucit”. Askush s’e di arsyen e titullit të tillë për portretin e dytë, por thuhet se as vetë Bardot nuk pati qenë aq e “impresionuar” me portretin, thjesht pati preferuar heshtjen, bukuroshja modeste s’paskësh komentuar.

Hm, s’ke si komenton… kur ashtu-kështu bukuria dhe “arti i natyrës” ndoshta janë të paarritshme. Kot “krekoseshin” lloj-lloj artistësh gjoja të “impresionizmit”, të “fauvizmit”, të “pointilizmit”, të “kubizmit” etj etj. Panumër artistë, sidomos të shekullit XX, pretendonin se janë të zotët për të kapur gjithçka që arti e mban sekret, “shpiknin” shkolla e stile, lëvizje e grupe, rryma e drejtime… panumër ide “feksonin” në kokat e tyre duke pandehur se mund ta imitojnë cilëndo bukuri, secili në “stilin” e vet.

Ç’është e vërteta, ca artistë, qëllonte fati i mirë dhe hooop ia qëllonin pikës. Bie fjala artistët e “Dada-së” qenë dorëzuar, nga dadaistë të lajthitur thjesht u “konvertuan” në surrealistë të ndritur. Fillimisht talleshin me “vlerat” e artit duke përdorur vetë “anti-artin” e pastaj hooop e kuptuan që në fakt mençuria e tyre mund të kapërthehej me vizione surreale. Tutje, psh. Picasso pas eksperimentesh të panumërta me bukuroshet e kësaj bote thjesht qe “dorëzuar”, sipas meje në njëfarë mënyre “dorëzimi” i tij pati qenë dhe shpëtimi artistik, ia pati qëlluar pikës 🙂

Më vonë Brigitte Bardot pati rrëfyer që artisti van Dongen lidhur me portretin e dytë qenka shprehur, “portreti më i keq në karrierën time”. Mirëpo pak vite më pastaj buroshja Bardot u bë e famshme si yll i botës së filmit, dhe van Dongen thjesht na i paska “hëngër” fjalët e veta, s’paska hezituar aspak të deklarojë se portreti na qenkësh në fakt “më i miri… dhe njëra nga kryeveprat e tij”! Ec e mos buzëqesh me “oportunizmat” e kësollojshme të artistëve : )

***
Kees van Dongen (1877-1968) – Emri i vërtetë Cornelis Theodorus Marie Dongen, lindi më1877 në Delfshaven (Holandë) dhe vdiq në moshën 91 vjeç, më 1968 në Monako.
Në vitin 1905 ka ekspozuar veprat e tij së bashku me Henri Matisse. Ngjyra e përndezur e veprave të tyre konsiderohet “origjina” e emrit “Fauvistët”. E mori shtetësinë franceze në vitin 1928.

***
Fauvizmi ishte një stil artistik i “les Fauves” (frëngjisht për “bishat…”), një grup i artistëve modernë të fillim-shekullit XX, veprat e të cilëve theksonin cilësi të “veçanta” piktoreske dhe ngjyrën e fortë, mbi vlerat përfaqësuese artistike trashëguar nga “Impresionizmi”. Lëvizja “fauviste” zgjati vetëm disa vjet, as 10 vite gjithsej, dhe pati 3 ekspozita. Udhëheqësit e lëvizjes ishin Henri Matisse dhe André Derain.
Sipas autorit J. Elderfield (The “Wild Beasts” Fauvism and Its Affinities, 1976), artistë të tjerë të “Fauvizmit” ishin:
Albert Marquet, Charles Camoin, [ Kees van Dongen ], Georges Braque, Georges Rouault, Jean Metzinger, Rik Wouters, Louis Valtat, Henri Evenepoel, Maurice Marinot, Karl Pärsimägi, Jean Puy, Maurice de Vlaminck, Henri Manguin, Raoul Dufy, Othon Friesz.

Bashkëngjitur:
– 2 portretet, 1954 dhe 1959 të Brigitte Bardot nga Kees van Dongen,
– Brigitte Bardot duke pozuar për artistin Kees Van Dongen, në studion e tij, Paris 1959 (foto)