Gaspare Landi – Ndarja e Hektorit nga Andromaka, Kasandra dhe Astinaksi, 1794

Gaspare Landi (1756-1830) – Ndarja e Hektorit nga Andromaka, Kasandra dhe Astinaksi, 1794

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik)
Majtas në pikturë, mbështetur në supin e Hektorit, sipas artistit Gaspare Landi shihet Kasandra e pllakosur nga dhimbja dhe ankthi, motra e Hektorit, e Parisit etj. Dmth. Kasandra ishte princeshë e Trojës, e bija e mbretit Priam dhe mbretëreshës Hekuba. Shkollarët thonë se mund të përpilohet një listë e “përgjithshme” prej 18-20 vajzash të Priamit. Nga këto 18-20 vajzash, 4 prej tyre përmenden t’jenë vajza legjitime (me gruan Hekuba) – Iliona, Kasandra, Laodika, dhe Poliksena. Të gjitha ishin, ose duhet të kenë qenë fort të bukura, gjithsesi psh. “favoritja” e Homerit për nga bukuria ishte Laodika. E dimë që Poliksena qe rrëmbyer nga Akili (sikur që mund ta “dimë” që kryetrimi grek s’do ta rrëmbente ndonjë shëmtaraçe). Iliona ishte vajza e parë e tyre, dmth. më e moshuara. Kasandra pati lindur si binjake (motra binjake e Helenusit). Gjithsesi, s’ka referenca mitologjike të kënaqshme për 12 vajzat tjera (jolegjitime).

Kasandra do bëhej më e bukura nga të gjitha vajzat e mbretit Priam dhe si rezultat shumkush do dashurohej në të. Vetë i biri i Zeusit, Apolloni ia kishte vënë syrin. Ka disa versione të mitit, por në njërin version Apolloni ia mundëson Kasandrës profecinë (dmth. ta parashihte të ardhmen). Apolloni e kishte humbur mendjen nga bukuria e Kasandrës, ajo një princeshë vdekatare ndërsa ai një perëndi… por Kasandra s’mërzitej, s’ia varte aq. Apolloni përpiqet ta joshë princeshën, ia ofron dhuratën e profecisë, dhuratë të cilën Kasandra e pranon me dëshirë. Mirëpo pasi e pranon dhuratën Kasandra siduket ia tregon “bërrylin” Apollonit. Sipas saj s’kishte pse ia kthente “dhuratën” me aventurash seksuale, siç Apolloni do ketë parapritur.

Dhe kështu, kot e pati “mprehur” dhëmbin Apolloni, i përbuzur preket sa s’ka më. Edhe perëndi edhe të të refuzojnë vajzat ordinere (qofshin dhe princesha) ehuuu thjesht s’pinte ujë. Mbase Apolloni mund thjesht ta zhbënte aftësinë që ia pati dhuruar, por donte hakmarrje. Pati vendosur ta dënonte refuzuesen mosmirënjohëse. Le ta mbajë aftësinë e profecisë ajo, por profecitë e saj tutje do t’jenë të “pabesueshme”, parashikimet e princeshës Kasandra s’do i besojë kush i gjallë. Ajo thjesht do duket në sytë e njerëzve si një e çmendur. Kurrë dhe hiçkurrë s’do besohet fjala e saj – ky pati qenë dënimi, kjo pati qenë hakmarrja dhe përtallja e Apollonit ndaj princeshës së bukur të Trojës.