Albanologu Elsie – Audio-hartë e Dialekteve të Shqipes!

S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2016

Pak kohë më parë, albanologu Robert Elsie në një faqe si “shtojcë” kompakte dhe duke përdorur si “subdomain” /dialects.albanianlanguage.net/ , me rreth 150 audio-inçizime të ndryshme e ka vënë në kartë praktikisht gjithë dialektologjinë e shqipes. Dr. Elsie na e ofron një hartë me regjistrime personash tek e flasin një gamë të gjerë të dialekteve të shqipes. Gamën dialektore Elsie teknikisht e ka prezantuar në mënyrën më praktike dhe logjike, për Shqipërinë ka ofruar një hartë ndëraktive me “pikat” e audio-inçizimeve, me koordinatat gjeografike për vendndodhjen e folësit të regjistruar dhe me të gjitha detajet relevante lidhur me inçizimin, subjektin etj.
Për Kosovën ka bërë të ngjashmen, për Maqedoninë, Malin e Zi… një punë vërtet e madhe, për admirim dhe për mirënjohje.

Shqipëri – 76 audio-inçizime
Kosovë – 34 audio-inçizime
Maqedoni – 26 audio-inçizime
Mal i Zi – 12 audio-inçizime

Faqja është e pajisur me një tekst të thuktë sa i përket materies që prezanton. Unë nuk e gjeta versionin në shqip të tekstit, gjithsesi versioni në anglisht (si përherë në seksionet e faqeve të ndryshme të Dr. Elsie) është thjesht kopje ekzakte… ose versioni 2-3 gjuhësor, zakonisht: AL, En, De.

Për realizimin e inçizimeve albanologu ka përfshirë persona të thjeshtë, fermerë, barinj etj. Studiuesi Elsie thekson se disa prej këtyre individëve e flasin mirë dialektin, të tjerët janë regjistruar në mënyrë të rastësishme për ta kapërthyer idenë se si përdoret shqipja moderne, në mënyra të ndryshme.
Edhe pse, zakonisht, dialektet e shqipes janë reciprokisht të kuptueshme për dëgjuesit, Elsie shënon se dallimet rajonale, që rrjedhin kryesisht nga zhvillimi historik i gjuhës, mund të jenë thelbësore, dhe mjaft interesante.

Dy format themelore, thekson albanologu, të pranuara universalisht për dialektin modern të shqipes janë: forma Veriore apo Gegë, e folur në veri të lumit Shkumbin që kalon përmes Elbasanit në Shqipërinë Qendrore; dhe ajo Jugore ose Tosk, që flitet në jug të lumit Shkumbin.
Për fat të keq nuk ka marrëveshje të plotë për çdo klasifikim të mëtejshëm dialektor edhe pse dialektologë kryesore si Jorgji Gjinari, Gjovalin Shkurtaj, Agnija Desnickaja, Shaban Demiraj dhe Bahri Beci kanë dalë me skemat pakashumë të ngjashme” – është shprehur ai. Bazuar në studimet e mëparshme, albanlogu Elsie propozon në këtë rast atë që konsiderohet si një sistem pragmatik, për kualifikimin e saktë të dialekteve të shqipes, edhe pse lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se për shumë dialekte lokale, mbi këtë temë fjala përfundimtare ende nuk është thënë.

Është për të shpresuar se rezultatet e mbledhjes së regjistrimeve do të përdoren në mënyrë të veçantë nga dialektologët, por dhe nga të gjithë ata që kanë interes në gjuhën shqipe” – shkruan Elsie në fund të tekstit që e shoqëron lëndën në faqe.