Libri i “shkokluar” i Shekspirit – Poezia Haptike si Art Ekspresiv!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2018

(…poezia na i “kërkon” fjalët më të përsosura, më kuptimplote… të “ujdisen” në rregullin më të përkryer, sepse duhet të jetë e bukur dhe e ëmbël si vetë muzika, mirëpo çfarë nëse poezia s’ka të bëjë fare me fjalët – përkundrazi, çfarë nëse duhet “përzënë” fjalët, çfarë nëse poezisë i duhen pikërisht “hapësirat boshe” të fjalëve…)

Nëse do t’niseshim nga baza sa më e thjeshtë e dallimit mes prozës e poezisë, do t’mund ta përdornim sa më shkurt derivacionin nga fjalët e mençura të Jonathan Swift (autorit të Udhëtimeve të Guliverit), “proza = fjalët në rregullin më të përkryer”, “poezia = fjalët më të përkryera në rregullin më të përkryer”.
E qartë, anise sipas vendit e kuvendit, do t’i gjejmë panumër mënyra për ta “dalluar” me fjalë dallimin mes këtyre dy zhanreve letrare.

Poetja britanike Mina Loy qe shprehur se “poezia është një lloj proze e magjepsur, është një muzikë e bërë nga mendimet vizuale, nga tingujt e një ideje“.
Fort e qëlluar thënia e saj, sidomos poetëve iu pëlqen shumë ndonjë përshkrim kështusoj, sa më “mistik” e me fjalë të buta, në vetvete pastaj sikur dhe “përshkrimi” tingëllon poetik : )

Poezia “lirike” si zhanër poetik e “mbulon” ndoshta volumin prej 90%… e më shumë, të poezisë botërore (thjesht si supozim, nuk e kam idenë ndryshe). Poezitë lirike janë (relativisht) të shkurtra dhe e theksojnë cilësinë “muzikale” – kur themi “poezi” zakonisht mendojmë në këtë lloj të poezisë.

Të tjerat zhanre poetike sikur i “harrojmë” ose dhe nuk i konsiderojmë fare “poezi” që ia vlen humbja e kohës. Psh. vetë poezia “epike”, përveç si interes i shkollarëve, disi na duket “monotone”, e stërzgjatur… ec e merru me “Iliadat” a la homerike të lashtësisë apo me “Lahutat…” e Fishtes, kur më e ëmbël të lexohet diç nga Neruda, apo tekefundit dhe nga filizat modernist të Dickinson, apo diç nga sentimentet feministike të Mina Lloy (meqë e përmendëm)… etj etj.

Poezia na i “kërkon” fjalët më të përsosura, më kuptimplote… të “ujdisen” në rregullin më të përkryer, sepse duhet të jetë e bukur dhe e ëmbël si vetë muzika. Mirëpo çfarë nëse poezia s’ka të bëjë fare me fjalët – përkundrazi, çfarë nëse duhet “përzënë” fjalët, çfarë nëse poezisë i duhen pikërisht “hapësirat boshe” të fjalëve…?!

Veprimet Flasin më Zhurmshëm” përbëhet nga faqet e shkëputura të librit “Romeo e Xhulieta” të Shekspirit, të gjitha fjalët janë hequr nga faqet (mbase prerë me gërshërë). Duke e zëvendësuar tekstin me hapësirë negative, sipas Carolyn, shqyrtohet aftësia e komunikimit në një nivel më intim pa përdorimin e fjalëve dhe pa mangësitë e gjuhës si mjet me të cilin përshkruhet emocioni.

Kjo formë e të shprehurit apo e ekspresionit artistik, në fakt është një formë poetike (ose zhanër poetik), dhe njihet si “Poezi Haptike“. Me këtë “poezi” në v. 2010 Carolyn Thompson qe përfshirë në revistën “Ekleksografia”.

Poezia Haptike (ngjashëm si Poezia Vizuale dhe Audio-Poezia) është një formë arti ku kombinohen karakteristikat e tipografisë dhe të skulpturës për të krijuar objekte jo vetëm vizuale (të dukshme), por dhe për t’u prekur e manipuluar. Në poezinë haptike ndjenja e prekjes është e rëndësishme po aq (apo dhe më tepër) sa ndjenja e shikimit. Që të dyja format, poezia tekstuale (e zakonshme, me fjalë) dhe poezia haptike kanë të njëjtin qëllim – krijimin e një efekti estetik në mendjet e audiencës përkatëse.

Nisma e “objekteve poetike” (si poezi haptike) si origjinë iu përshkruhet disa veprave të rrymës artistike “Dada”, psh. të Marcel Duchamp, Kurt Schwitters, po ashtu dhe kutive surrealiste të Joseph Cornell. Gjithsesi çështja “haptike” e poetikes shkon në të kaluarën e largët, përmenden talismanët, objektet si elemente gnostike, vulat dhe objektet e ndryshme fetishistike. Përmendet po ashtu dhe përdorimi i sistemit alfabetik të Louis Braille për krijimin e teksteve letrare. Një diç tjetër që ushqehet në idenë e “objekteve poetike” është krijimi i librave artistikë”, siç në këtë rast mund të konsiderohet “libri i shkokluar” i Shekspirit, pra i britanikes Carolyn Thompson.

Përdorimi i poetikes haptike si zhanër ekspresiv është gjithnjë në rritje (sidomos me tekno-zhvillimet marramendëse të 3-4 dekadave të fundit, me fazën “revolucionit” internetik, me krijimin e mjediseve gjithnjë e më të sofistikuara, ndëraktive), mirëpo në qarqet akademike ende nuk është dokumentuar sa duhet. Bie fjala në faqet e Harvard University ku kërkova si verifikim të një liste “zhanresh” poetike, Poezia Haptike ende nuk figuronte. Po ashtu as në Enc. Britannica dhe në disa burime tjera… ende nuk përmendej.

[ Carolyn Thompson – Veprimet Flasin më Zhurmshëm, 2007 ]