Ruajtësit e Qiellit – Miliona Shpirtra në “Duart”!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2016

(“Guardians of the Sky” i mbajnë miliona jetë në duart e tyre, çdo-secilën ditë, çdo-secilën orë e minutë… Video + Koment, diç si tribut, si përsiatje për avancimin e njeriut të së sotmes, dhe për ambicjet për të nesërmen…)

E dimë që Arti e Shkenca janë të lidhura, nëse jo si “gërshetim”… atëherë si faqet e ndonjë kubi, apo të ndonjë pentagoni, heksagoni etj. Cilado nga të dyja është vetëm “njëri” dimension i diçkaje më komplekse. E dimë që Arti dhe Shkenca pikëtakohen, pandalë ndërthuren me njëra-tjetrën. Leonardo Da Vinçi “frymëzohej” sa nga Tekna po aq dhe nga Muzat tjera, sa merrej me piktura, vizatime, studime, merrej dhe me lloj-lloj idesh shkencore. Qe ftuar nga Mbreti i Francës së atëhershme për “cilësitë” artistike të tij, dhe një pikturë që e pati marrë me vete, “Mona Liza”. Piktura më e popullarizuar e të gjitha kohërave, sot kur bota është lidhur dhe kthyer në një “fshat virtual” pothuaj s’ka frymor të planetit që s’di për “Mona Lizën”. Thua se qe “paracaktuar” që Mona Liza t’i takonte ndonjë koleksioni a trezori nacional të Francës, anise ishte thjesht rastësi. Edhe sot e kësaj dite mund ta gjejmë në “Château du Louvre”, ndërtesë e cila në kohën e Da Vinçit ende ishte një kështjellë parisiene, si ndërtesë shumë më e vogël sesa është sot kompleksi i zgjeruar muzeal, i njohur si Louvre.

Pra, siç thamë e dimë që ai nuk merrej vetëm me piktura, merrej dhe me shkencë, e vriste mendjen pandalë, bënte skica për “shpikjet”. Nuk ka të dhëna t’jetë marrë me zbatimin e ideve në praktikë, t’i testonte ato si modele. Nga të tjerët, disa nga idetë e tij dhe janë zbatuar aty për aty, ose dhe më vonë. Pjesa dërrmuese e ideve të tjera kanë ngelur thjesht si vizatime a skicash. Disa nga to, sepse ndoshta as që do funksiononin përnjëmend. E dimë që ai si skica pati “shpikur” dhe mulli të ujit (dmth ato elementet mekanike qe duhet të rrotullohen), e madje dhe biçikletë (të ngjashme siç e kemi sot), por nuk i pati testuar vetë ato.
Për nder të gjenialitetit të tij, dhe lidhur me “shpikjet” e tij të glidave, të kopterëve e të “fluturakeve” të ndryshme… sot aeroporti i Romës e mban emrin e tij, “Leonardo Da Vinçi”. Ne e dimë që Da Vinçi ishte një artist gjenial, Mona Liza nuk është vepra e tij e vetme e famshme. Megjithatë Aeroporti nuk e mban emrin e tij për arsye të Mona Lizës as për çështjet e aktivitetit të tij artistik, por për ato shkencore në fushën e “fluturimeve”.

E dimë që Arti dhe Shkenca janë të lidhura, ndoshta problemi është që nuk e “dimë” ç’janë as Arti as Shkenca mirëfilli… nuk e dimë aq saktësisht. Ne i definojmë ato si nocione “gjithëpërfshirëse” – e dimë që të dyja si “aktivitete” të intelektit njerëzor janë të lidhura dhe kanë të bëjnë me “kreativitetin”, me krijimin, me avancimin, me gjetjet inteligjente dhe me zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara… etj. etj.
Në të njëjtën frymë “rrumbullakësuese” ne aq shpesh ia themi: Shkenca dhe Natyra ndodhen jokushtimisht në një “balans”, dhe ndërlidhja e tyre është njëfarëlloj “dansi”, ato prore hedhin valle ose vallëzojnë njëra me tjetrën. Ashtu ia themi dhe për “ndërlidhjen” mes Artit e Natyrës, si dhe kuptohet, edhe për lidhjen mes Artit dhe Shkencës… e të ngjashme.

***
Hapësira qiellore mbi ne është e bukur dhe mahnitëse, ashtu siç ka qenë përherë, me miliona e miliona vite, që nga zanafilla e njerëzimit dhe përgjatë gjithë rrugës së frymimit tonë. Bluja e qiellit përherë e gjithmonë, pa përjashtime e ruan magjepsjen për ne, i jep kuptim gjallimit tonë. Qielli ynë ashtu totalisht i thjeshtë, si një bruztësi e paskajshme, është “frymëmarrja” e gjithë planetit. Ajo thjeshtësi e qiellit në fakt është dimensioni ynë tepër shumë kompleks, është mbrojtja dhe “kulmi” aq i ndërlikuar, të cilit ia kemi borxh vetë jetën.

Derisa si qenie që frymojmë (njerëzit sipas shkencës janë diç si organizma kompleks, “bashkëdyzuar” me inteligjencën, pasi që vetë shkenca jo bash “mirëfilli” e ka idenë se ç’është inteligjenca : ), derisa të hutuar me “gjallimin” apo me jetën, në rezonimin tonë, qiellin mahnitës e shohim si “mishërim” të lirisë absolute, si pafundësi. Qëkur jetën e marrim si diç të “gatshme”, qiellin e përjetojmë përjashta nesh, diç si zgjatim, si një hapësirë paralele me hapësirën e jetës sonë, e përjetojmë jashtë “domenit” jetësor, pothuaj si një “nivel, apo zonë eksploruese”… mbase për zogjtë.

Gjatë rutinave të ditës nuk e shohim, por qielli realisht ka ndryshuar shumë. Në kohët moderne qielli mbi ne është i “ngjeshur” jo vetëm me kaltërsinë por dhe me jetën. Qielli mbi ne përshkohet secilën ditë nga miliona shpirtrash e zemrash. Nuk është tutje “zonë eksploruese” për zogjtë aspak më shumë sa është dhe për njerëzit.

Ajo histori prej miliona vitesh e qiellit “pa njeriun” ka ndryshuar drastikisht për vetëm një shekull të fundit të historisë njerëzore. Pothuaj kurrë nuk e vrasim mendjen shumë, ose dhe fare, por hapësira qiellore e paskajshme sot është aq komplekse dhe e brishtë. Duke rendur pas çështjeve tona “tokësore” të jetës, nuk shohim pothuaj asgjë “qiellore”… Përveç ndonjëherë rrallë kur ngrejmë kokën dhe na bie në sy ndonjë “vazhgë” e bardhë lart në qiell. Nuk udhëtojmë çdo ditë me aeroplan, madje shumica nga ne ndoshta një herë në disa muaj, një herë në disa vite, e ndoshta dhe fare. Nuk e kemi idenë për “trysninë” as në qiell, por as nuk do ia dilnim ta paramendojmë intensitetin e operacioneve të çdoditshme nëpër qindra aeroporte të botës.

Secilën ditë të vetme me miliona udhëtarë, dhe me panumër tonelata mallrash e “lundrojnë” kryq-e-tërthuer qiellin e kaltër. Sipas NATS, qielli ynë është një vallëzim i koreografuar me kujdes mes shkencës dhe natyrës, qiell për të cilin kujdesen panumër ekspertë të NATS, të padukshëm, pa u vënë re, pa i hetuar as pa ditur për “Guardians of the Sky”, ruajtësit e Qiellit.

Dhe vërtet është aq mahnitëse dhe mbresëlënëse ndërlidhja mes Natyrës e gjenialitetit njerëzor kur është fjala për kontrollin e qiellit dhe të miliona operacioneve që lidhen me fluturimet. Është “dansi” më i jashtëzakonshëm dhe po ashtu, jashtëzaknisht kompleks, sa vetë marramendja. Edhe po të doja tani, nuk mund të kapërthehet kurrë me disa fjalë ky kompleksitet. Një video e NATS ndihmon që të “kapërthehet” sadopak mrekullia e gjenialitetit njerëzor, ata madje i shpalosin dhe ëndrrat, ambicjet, vizionin për të ardhmen, mirëpo sa i përket “kompleksitetit” të trafikut dhe të kontrollit të qiellit… hm, zor se mund të kapërthehet me një video!

Mirëpo s’është as nevoja ta kuptojmë “kaotiken” mahnitëse të së sotmes, dhe as të së ardhmes. Mjafton ta ndjejmë, ta admirojmë “organizmin” tejet kompleks dhe inteligjent… tek vallëzon para syve tanë, me emra ujdisur nga askush tjetër por nga ne vetë si: “Arti”, Shkenca”, “Natyra” etj. Unë për vete sikur mrekullohem me “kujdestarët qiellor” të gjithë botës, me të gjithë ata që janë pjesëza imcake, si dritëza kontributive për gjithë mrekullinë marramendëse në shkallë globale, që janë të ngërthyer “somehow”, kush më pak e kush më shumë, në artin koreografik të këtij dansi madhështor.

E mora si shembull NATS (National Air Traffic Services) sepse më duhej një shembull, sepse NATS është lider global në kontrollin e trafikut ajror dhe të performancës së aeroporteve. Sepse është lider sa i përket hapësirës britanike, duke operuar çdo vit me 2.2 milionë fluturime dhe me 220 milionë pasagjerë, duke menaxhuar “UK-Airspace” dhe operacionet e 14 aeroporteve britanike. Sepse NATS ofron shërbimet e veta në më shumë se 30 vende të botës, përfshirë Evropën, Lindjen e Mesme, Azinë dhe Amerikën e Veriut. Ja sepse, pra sepse… sepse janë “guardians of the sky”, ruajtësit e qiellit!

Edhe sikr ta harronim fare “mahnitjen” tonë, shikuar dhe vetëm nga ana e “biznesit”, NATS mban miliona premtime secilën ditë – premton për të mbrojtur kufijtë kombëtarë, premton të mbështesë korporatat më të mëdha, premton të sjell në destinacionin e duhur secilin pasagjer, në mënyrë të sigurtë dhe në kohë. Tekefundit, kështu thotë vetë ata të NATS, “Guardians of the Sky”, këta “mbrojtës a kujdestarë” të qiellit i mbajnë miliona jetë në duart e tyre, çdo-secilën ditë, çdo-secilën orë e minutë.

(Video nga faqja zyrtare e NATS – http://www.nats.aero/)