E. E. Cummings – Zemër Brenda Zemrës

ZEMËR BRENDA ZEMRËS
E. E. Cummings [ 1894-1962, ShBA ]

e mbaj me vete zemrën tënde (brenda
zemrës), kurrë s’jam pa të (kudo
që shkoj dhe ti vjen me mua, e dashur,
dhe çdo gjë që kryhet nga unë
vepër e jotja është, zemra ime)

s’ia kam frikën fatit (pasi je ti
fati im, e ëmbla ime), s’më duhet bota
(pasi je ti më e bukura botë e imja,
e vërteta ime) dhe je ti gjithçka
që hëna ka menduar të jetë, dhe gjithçka
që dielli përherë do t’këndojë je ti

ja ku e ke sekretin më të thellë që askush
s’e di (ketu është rrënja e rrënjës, sythi
i vetë biskut dhe qielli i qiellit të një peme
të quajtur jetë; e cila rritet më lart
sesa shpirti mund të shpresojë, a mendja
mund ta fshehë, dhe kjo është mrekullia
që yjet larg njëri-tjetrit i mban…

zemrën tënde e mbaj (brenda zemrës)

– – –

© 1952 E. E. Cummings’ Trustees – Burimi: Complete Poems: 1904-1962 (Liveright Publishing Corporation, 1991) – via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2018