Mesazhet e Kubrick dhe të Sagan, si Humanistë e si Vizionarë!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2018

Monologu i “Frymëmarrjes” në Hapësirë!

Në odiseadën e dikurshme “2001: Odisea në Hapësirë” (1968), Stanley Kubrick për pothuaj 3 minuta i pati folur “njerëzimit” me frymëmarrjen. Për 3 minuta të tërë fiktivë Kubrick na e ofronte “monologun e frymëmarrjes”, monologun e kozmonautit në shetitje “eterit”. Monolog monoton i një frymori aq të brishtë, i kurthuar në skafandrin e vet, i rrethuar me pafundësinë e ftohtë. Kubrick sikur donte t’ia shpaloste njerëzimit thelbësoren e mesazhit, mirëpo jo me bujë as me zhurmë, donte të fliste thjesht me heshtjen, pa fjalët, sikur insistonte thjesht me gjuhën e frymës: në Tokë njeriu dhe është një lloj “Zoti”, por në kozmos ai s’është diç më shumë sesa një peshk i vockël jashtë ujit. Gjithçka e kozmosit është aq “armiqësore” ndaj njeriut, hapësira nuk është “mikëpritëse” për njeriun, duke filluar nga pafundësia… e deri tek akullsia. Hapësira i “shfaqet” njeriut aq mistike e misterioze. Më shumë se 99.99% e universit që mund ta “shohim” me sytë e me teleskopët thjesht nuk e përkrah jetën, përveç planetit amë. Sipas tij, në hapësirë njeriu është si një fëmijë që duhet të mësojë “ecjen” rishtas nga e para, secili hap i njeriut në kozmos do ishte baraz me “rilindjen”, i barabartë me zanafillën “evolutive” (filmi i tij dhe nis me skenën e gjatë të majmunëve tek e zbulojnë “veglën” e parë, një asht tibial për t’i thyer eshtrat tjerë, për ta përdorur si armë).

Stanley Kubrick (1928-1999) njihet si njëri nga regjisorët më novatore dhe më me ndikim i të gjitha kohërave, “2001: Odisea në Hapësirë” (1968), edhe pas gjysmë shekulli, ende nga shumë njerëz konsiderohet si filmi më i mirë i bërë ndonjëherë në zhanrin e fanta-shkencës. Mega-kompania amerikane Apple (që sot si flamur të shitjve globale e ka “iPhone”), krenohet për dizajnin e “iPad”, të “iPhone” etj… mirëpo dizajni i të tilla aparateve “origjinën” e ka që nga filmi i Kubrick, 50 vjet më herët, më 1968.

Toka si një “Pikë Blu e Zbehët”!

Në Shkurt të v. 1990, sonda “Voyager 1” e kishte përfunduar misionin e vet dhe ishte në rrugën e “pakthimit”, duke e lënë sistemin diellor për t’u zhdukur në pafundësinë e errët kozmike. Me kërkesë të Carl Sagan, atëbotë NASA e ktheu kamerën e sondës për ta bërë një foto të Tokës.
Fotografia qe shkrepur më 14 Shkurt 1990, planeti ynë nga largësia prej 6 miliardë km është një pikë e vogël blu në errësirën e universit të pafund. Ishte kjo fotoja e bërë nga distanca rekord prej 6 miliardë km, 40 AU (njësi astronomike). Plutoni psh. ndodhet rreth 40 njësi astronomike larg Tokës, dmth. sado larg t’na duket “6 miliardë km”, megjithatë është brenda rrezes së sistemit tonë diellor, e që në krahasim me distancat e marramendjes “galaktike” na del si një largësi “qesharake” ! Sagan e pati quajtur foton “Pale Blue Dot” (pikë e zbehtë blu), dhe në vitin 1994 e pati përdorur në titullin e librit “Një Vizion i së Ardhmes Njerëzore në Hapësirë”.

Përveç si astrofizikant e si kozmolog, Carl Sagan (1934-1996) qe bërë i njohur si pionier rreth popullarizimit të shkencës, si një komunikator i madh, si një avokat i madh i shkencës. Rreth e rrotull viteve ’80 (të shek. XX) në botën perëndimore ishte një personalitet i famshëm televiziv, kryesisht përmes serialit “Kozmosi” (1980), i përcjellur nga më shumë se 500 milionë shikues në mbarë botën. Sagan sikur e pati sjellur astronominë e kozmologjinë nga katedrat e profesorëve “retorikë” në dhomat e njerëzve të thjeshtë.
Në vitin 2014 u vazhdua me “Kozmosi 2”, Neill deGrasse Tyson ishte si prezentator “pasardhës” i vizionit saganist të “Kozmosit”. Seriali i ri qe ngjeshur me akoma më shumë pompozitet, meqë tanimë efektet speciale ishte disa herë më e lehtë të bëheshin sesa në kohën e Sagan, mëtohej të ishte diç si balancim mes “religjionit” shkencor dhe dramatikës dinamike të filmave hollivudeskë. Gjithsesi as deGrasse Tyson nuk ishte më i dobët sesa pararendësi i tij, edhe ky si promovues e si prezentator ishte një “prift-predikant” i devotshëm i vizionit për “Kozmosin” në frymën e saganizmit.