Panairi i Frankfurtit – Kryeqyteti botëror i Ideve!

S. Guraziu – T 2018 (Koment – Pak fjalë e info për “jolibraxhinj” : )

Me shuuuumë krenari, organizatorët e Panairit në Frankfurt (Frankfurter Buchmesse) e thonë se 1 herë në vit Frankfurti kthehet në Kryeqytetin Botëror të Ideve!
Natyrisht, thënia e tyre qëndron, është e saktë. Aroma e ideve mund të ndjehet dhe rreth e rrotull Frankfurtit. Vit për vit panairi është një ngjarje shumë e madhe, sidomos për tregtarët e librave, për libraxhinjtë (s’ka nevojë të fshehet ky fakt), por jo vetëm…

Pasi Panairi madje e ka dhe Zonën e Vetë-Botuesve, dmth. nëse më mbushet mendja ta botoj librin vetë, edhe unë mund të marr pjesë, askush s’ma ndalon. Vetë autor, vetë publikues, vetë promovues (vetë-lavdërues : ) vetë librashitës, vetë gjithçka. Problemi është që stendat me të gjitha xingla-minglat e panairit (drita, reklama, ekrane, afishe etj) janë bukur shtrenjtë. Meqë ra fjala e stendave, pakëz sikur më dhimbsen libraxhinjtë e Prishtinës e të Tiranës, të ngratët duhet të “kursejnë” me stenda sa më të vogla, duhet sa më pak “xingla-mingla”, në mënyrë që shpenzimet e stendës t’mos kalojnë mbi 10 mijë Euro (7 mijë eshtë minimumi). Ose dhe mund t’mos “kursejnë e as ta rrudhin dorën”… por nëse njeriu dëshiron të jetë “realist”, atëherë lind pyetja: vallë si ia dalin të nxjerin profit! Nëse të dëgjoni që ndonjë publikues nga Tirana s’ka marrë pjesë në Frankfurt, mos mendoni që s’kanë “patur dëshirë”…

Panairi i ka të gatshme panumër salla, skena e pavijone, secili me kodin, me numrin, me çmimin e me eventin e vet. Njeriu mundet gjithçka, të gjitha pavijonet mund t’i vizitojë, mundësitë janë të pakufizuara. Mund të vizitohen restorantet me gjërash të shijshme, ekziston mundësia e provës së mijëra markave të birrës, e deri tek mundesia e organizimit të koncerteve a të një disco-mbrëmjeje. Në Frankfurt ka shumë banka, është qendra financiare e Evropës, mirëpo asgjë s’është falas. Nëse udhëton si përfaqësues i një kompanie publikuese dhe shpenzimet i mbulon “boss-i”, a si shkrimtar me donacione e me shpenzime të “sponzorëve”… ashtu dhe mund të kënaqesh. Përndryshe duhet fort kujdes, xhepi brenda 3-4 ditëve mund t’ju lehtësohet për disa mijëra Euro.

Panairi të mahnit për nga madhështia e për nga laryshia, dihet kjo, përndryshe s’do ishte panair. I mbushur me panumër libra, sa e sa kokash të mençura kanë shkrirë mend për ardhjen në dritë të atyre librave, afërmendsh që aroma e ideve mund të ndjehet madje dhe rreth e rrotull Frankfurtit.
Gjithsesi Agora është vendi më i madh dhe më i rëndësishëm për prezantime në Panairin e Librit. Agora është zemra e gjithë “hesapeve” rreth Panairit. Të gjitha rrugët çojnë në Agora. Fokusi në Agora është jo aq në librat dhe përmbajtjen, sesa në autorët, yjet dhe në performancat. Në Agora të Panairit vulosen nami e fama. Bie fjala në çadrat e Nënshkrimeve të Agora (Signing Boxes), tifozët (lexuesit) mund t’iu afrohen yjeve (shkrimtarëve) të tyre të preferuar, mund t’i shkëmbejnë buzëqeshjet me ta, ndonjë fjalë e edhe t’i vjelin autogramet.

Mirëpo si jolibraxhi ta vizitosh panairin sikur s’ia vlen barra qeranë, njeriu duhet t’i ndajë 4-5 ditë, duhet t’i nxjerr biletat (jo 2-3 sosh por duhet 101 bileta), duhet të akomodohet diku. Nëse ta kesh ndonjë mikeshë që jeton në Frankfurt a diku në Gjermani… dhe t’ia zësh derën, kjo do ishte një lloj ëmbëlsire. Shkurt duhet 1001 telashe… dhe + duhet vullneti për t’i shpenzuar disa mijëra Euro.

Mua për vete vit për vit më ngelet merak që s’mund të shkoj, për 1 javë ngrysem dhe më prishet qejfi fort. Meqë s’kam as 1 libër, s’jam as autor as libraxhi, as shkrimtar as librashitës, sikur nuk ia vlen barra qeranë. Përndryshe do kisha shkuar, patjetër. Bie fjala sot, më 12 Tetor 2018, veçanërisht më ngelet merak që s’jam në Frankfurt, sepse pikërisht sot ai filozofi slloven Slavoj Žižek me librin e vet ua ofron mundësinë gjithë pjesëmarrëve të Panairit… që ta rizbulojnë Leninin, pas 100 vjetësh. Më ngelet merak që ç’ke me të… : (

(infografika: fakte dhe shifra rreth Panairit të Frankfurtit, 2017)

…Tetor 2019 – në Tetor të vitit të kaluar paskam komentuar rreth Panairit të Frankfurtit (diç si koment “kushtuar” jolibraxhinjve), e kuptoj që shumkujt mund t’mos i ketë pëlqyer (sidomos botuesve dhe atyre që merren me biznes librash), e kam të qartë që mund t’i kem “humbur” shumë miq : )