NRK (e Norvegjisë) dhe 2 video për Shqipërinë – 1982, 1988

S. Guraziu – Ars Poetica, Janar 2018

Muajt e fundit të vitit që lamë pas, 2017, pata hasur në 2 video origjinale dhe të paprekura të NRK-së norvegjeze, njëra e vitit 1982, tjetra e 1988 (i pata ruajtur si links) – dy video-dokumente të cilat së bashku për afro dyzet minutash e shpalosin Shqipërinë e atyre viteve, sipas “syrit” zhurnalistik-dokumentaresk dhe të besueshëm të NRK. I përgatita dhe ca info rreth NRK, duke mëtuar t’i filtroja ato më relevantet…

[ më poshtë disa fjalë rreth NRK (Norsk rikskringkasting) – TV-Radio Korporata Norvegjeze ]

NRK është shtëpia më e madhe mediatike e Norvegjisë dhe njëra nga organizatat metiatike më prestigjioze të vendit, por dhe të Evropes. Thuhet se NRK nuk i shërben asnjë interesi komercial apo politik dhe se impenjohet për një program strikt jokomercial (përveç sponsorizimit të disa ngjarjeve kulturore e sportive). Në prezantimin zyrtar të NRK thuhet se gjatë dites pothuajse të gjithë norvegjezët i përdorin një ose më shumë shërbime të NRK, dhe si transmetues publik i paanshëm që është NRK e “bashkon” popullin e Norvegjisë.

NRK i ofron publikut një gamë të gjerë përmbajtjesh nëpërmjet 3 TV-kanaleve të mëdha kombëtare, nëpërmjet 14 radio-kanaleve kombëtare dhe po ashtu nëpërmjet faqes zyrtare të Internetit (ku unë dhe i mblodha disa nga të dhënat).
Tutje flitet se decentralizimi i NRK është vendimtar për ta përfaqësuar denjësisht shoqërinë norvegjeze nëpërmjet programacionit dhe prodhimit përmbajtësor, dhe se NRK pasqyron diversitetin gjeografik të Norvegjisë, duke ofruar një sërë platformash programatike lokale. NRK ofron një sërë programesh të bazuara në cilësi, rëndësi dhe besueshmëri; ofron lajme, informacione dhe dokumentarë të besueshëm e të paanshëm, pastaj argëtim, sport dhe përmbajtje të tjera të zakonshme. Operon nga 15 zyra rajonale shtrirë në gjithë vendin, ku përfshihen dhe 3 qendra të mëdha të prodhimit, të cilat qendra mbajnë përgjegjësinë për fushat kryesore të zhanreve si shkencat, religjioni dhe natyra. Zyrat rajonale shpërndajnë përmbajtje të përditshme në radio, televizion dhe në Internet, duke siguruar një bazë qendrore të prodhimit dhe të distribuimit informativ në rrjetin e NRK, nga rajone të ndryshme të vendit.

– – –
Dmth. ky “rajonalizëm” prodhues e transmitiv rezulton në pasqyrimin e diversitetit gjeografik të Norvegjisë. NRK si transmetues i paanshëm që është e “bashkon” popullin e Norvegjisë. Hm, sa mirë do ishte sikur t’mund të thuhej “mediat shqiptare e bashkojnë popullin e Shqipërisë”. Po mendoja “sa e lehtë për norvegjezët kur ata ndoshta e kanë pakashumë të njëjtin mentalitet, të njëjtin nivel kulturor dhe të njëjtën kulturë politike – kam frikë në Shqipëri norvegjezët do ta kishin të vështirë ta arrinin të njëjtën “korrektësi mediatike rajonaliste”, pasi jugo-veriorja e Shqipërisë është e “lidhur” (patjetër që është, madje dhe politikisht është e lidhur) ama ngjashëm si ato gjilpërat e busullave politike (ku t’jetë koka jote, do jetë bishti im – dhe ansjelltas, thjesht hesape të magnetizmit këto), ose ngjashëm si ai katër-rrembori në logon e NATO-s i cili shenjon këmbëngultësisht drejt N, drejt S etj. – logos së NATO hiqja për inat Lindjen, privoje ca kohë nga Perëndimi… dhe ja, do kesh Shqipërinë mediatike-politike të pasqyruar ekzaktësisht : )
(ose tekefundit kështu i njoha unë TV-të shqiptare gjatë këtyre 20 viteve të fundit)
– – –

Së bashku me krenarinë, NRK i shpalos dhe disa nga statistikat; secilën ditë mesatare gjatë v. 2016 rreth 88% e popullsisë e kanë përdorur një ose më shumë shërbime të NRK (të televizionit, radios, ose të platformave mobile e internetike). Kanali më i madh televiziv në Norvegji është NRK1, me pjesën e tregut prej 30.7% në vitin 2016. Gjithsesi shikimi i përgjithshëm televiziv paska shënuar rënie gjatë 2016-ës, mesatarja e çdoditshme norvegjeze e përcjelljes televizive gjatë 2016 ishte 167 minuta (6 minuta më pak sesa gjatë vitit 2015). Ndërsa radio-kanalet e NRK e kishin një pjesë të kombinuar të tregut prej 67.9% – sqarohet tutje në prezantimin e NRK.

Përdorimi tradicional i radios dhe televizionit ka ruajtur qëndrueshmërinë ose stabilitetin modest – thuhet pakashumë në mesrreshtat e NRK. Pra edhe pse përdorimi i përmbajtjes në platformat mobile-internetike është rritur dhe rritet kohët e fundit (rreth 90% e norvegjezëve e kanë përdorur Internetin çdo ditë gjatë 2016-ës), s’ka vend për nuancash alarmuese rreth “rënies apo shuarjes së tradicionalizmit”. Ata po ashtu e shpalosin faktin që faqja internetike e tyre është faqja e dytë më e madhe në Norvegji, me mesataren prej 1.1 milion vizitorë-përdorues gjatë ditës.

Duke ndjekur modelin e ngjashëm të BBC, NRK qe themeluar në vitin 1933, si zëvendësim i radio-kanaleve private dhe synohej mbulesa e gjithë vendit, andaj NRK e kishte monopolin transmetues deri më 1975. Më pastaj zbutja graduale e monopolizmit të NRK erdhi me shfaqjen e TV-së kabllovike më 1982, të TV-kanaleve regjionale dhe i TV-së satelitore më 1986.

NRK si organizatë mediatike është anëtare themeluese e Unionit Radio-Televiziv të Evropes (EBU – themeluar më 1950), e që kjo duhet të jetë diç si “anije amë” e transmetuesve publik të Evropës (dhe që, në fakt, si organizatë apo si aleancë më së shumti është e njohur për mrekullinë “Eurovision”, të asaj euro-garës simpatike vit për vit për ta zgjedhur këngën më të mirë). Të tjerat detyra e zotime të EBU mund të jenë shumë, ama unë s’e kam idenë… mund ta marr me mend se thjesht janë biz-çështje të mëdha ose gala-aferash biznesi, të cilat afera herë mund të valviten si flamujt e krenarisë e herë të lulëzojnë si lulet e pranverës, varësisht nga hujet dhe puhizat politike të Evropës : )

Bazuar në infot e vetë NRK, thuhet se nga parlamenti norvegjez (Stortinget) mandati dhe roli i pronarit të NRK i është dhënë Ministrisë së Kulturës (dmth. është në pronësi të shtetit). NRK ka mandatin e posaçëm për të operuar politikisht në mënyrë të pavarur, si transmetues publik jokomercial. Numri i gazetarëve dhe punonjësve në NRK qenka rreth 3500 persona, ndër 56 departamente anembanë Norvegjisë. Buxheti total gjatë 2016 ishte rreth 500 milionë Euro, 96% të këtyre mjeteve ardhur nga tarifat e licencimit, e që paguhen nga të gjitha familjet që zotërojnë një aparat televiziv (ose diç tjetër si aparat, që ka mundësinë e kapjes së valëve të transmetuesit).
Gjithsesi në një burim tjetër përmendej “ndjenja” se sistemi aktual i financimit nuk është i qëndrueshëm në planin afatgjatë. Ca vite më parë qeveria paska njoftuar për ndryshime rreth mënyrës së financimit të NRK. Qenka duke u planifikuar një tjetër lloj “pagese mediatike” por ende s’qenka aq e qartë si do të funksionojë një sistem i tillë.

Video 1
Pak dritë mbi Shqipërinë (Rreth sistemit shkollor të Shqipërisë), NRK 1988
[ Burimi: Youtube channel “WketDZ” – Publikuar aty më 27 Q 2017 – me titull “We Are Albanians” ]

https://www.youtube.com/watch?v=KqXYKdCHYBU

Video 2
Albania – Går Fortsatt sin Egen Vei (Shqipëria – Ende duke ndjekur udhën e vet), 1982
[ Burimi: Youtube channel “WketDZ” – Publikuar aty më 27 Q 2017 – me titull “Albania Under Enver Hoxha” ]

https://www.youtube.com/watch?v=6v_z48do7NQ