Demokracia – Riciklimi i përhershëm i shpresës!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2018

(Albert Camus – “liria s’është diç tjetër por shansi për të qenë më mirë“)

Nga shumë të mira të demokracisë, ato më të mirat kyç (bazuar në arsyen) mbase janë LIRIA dhe riciklimi i përhershëm i shpresës, riciklimi i shansit, filtërimi i përvojes… Sado të gabohet dhe sado të zvarriten gjërat, në demokraci shoqëria përherë e ka shansin e provës rishtas, shansin e provës ndryshe, shansin e përmiresimit, e ka lirinë e “eksperimentimit” me lloj-lloj filizash të ideve.
Thjesht duke aluduar në logjiken e thënies së nobelistit francez Albert Camus (lidhur me lirinë), pra, demokracia si liri e zgjedhjes nëpërmjet vetë “lirisë” prore e riciklon shpresën, dhe në thelb sikur i jep shansin vetë “shansit” për të qenë më mirë.

Demokracia mbase s’është perfekte, s’ka si t’jetë… meqë s’ka asgjë perfekte. Në Greqinë e lashtë (e që merret si djepi i saj) s’ka patur si t’na ishte perfekte, kur ndoshta mbi 70% ishin skllevër e femrash pa të drejtë vote. Demokraci i thënçin asaj të Greqisë… ama ja që ishte “demokraci” : )
Në kohët më të reja (në ditët e sotme) doli që normat e demokracisë mund dhe të manipulohen, psh. siç ndodhi nëpërmjet teknologjive të reja, AI e “big data” e nëpërmjet makinerive a la Facebook – Cambridge Analytica.

Prapëseprapë, qoftë dhe joperfekte sot për sot s’kemi diç më të avancuar. Gjëja më e dëmshme është nëse abuzojmë me vetë “lirinë”, nëse e cenojmë bazamentin e thjeshtë të lirisë, nëse s’ia dalim ta ruajmë elementin kryesor të demokracisë.

Besoj gjithkush është i informuar tashmë, gjithsesi meqë ra fjala e “jopërkryerjes”, “Cambridge Analytica” ishte një data-kompani britanike-amerikane, ishin diç si “minatorë” të të dhënave” (big data). Kompania merrej me analizën e këtyre “bjeshkëve” prej të dhënash dhe me marketingun e drejtpërdrejtë të komunikimeve strategjike për fushatat zgjedhore. Kompania qe startuar në v. 2013, dhe qe shuar para disa muajsh, 2018.

Mediat anembanë botës thoshin se arsyeja e mbylljes ishte skandali me të dhënat vjelur nga Facebook, manipulimi me të dhënat e dhjetra miliona llogarive të Fb, influencimi i zgjedhjeve të ShBA, në v. 2016. Në rregull, skandal i madh që ç’ke me të. Le t’themi se ardhjen e një Trump-i s’e pati pritur ndoshta gjysma e Amerikës demokratike, dhe ndoshta pjesa dërrmuese e botës. Asgjë, gjysma e Amerikës mund t’jetë zhgënjyer, por s’është shembur bota. Ja që “demokracia” do ta riciklojë akëcilin “judgement error” të votuesve, Amerika e madhe do ta ketë rishtas shansin për rikuperime e për meditime.

Ama problemi me manipulimin e demokracisë mund t’jetë shumë më i thellë, sesa një cikël zgjedhjesh. Njerezit me të drejtë sot dyshojnë që jo vetëm zgjedhjet amerikane qenë manipuluar, por dhe Brexit ndoshta na ishte “marifet” i Cambridge Analytica. E lehtë dmth. të imagjinohet sa dëm i madh i bëhet akëcilës shoqëri me “prekjen” e standardeve demokratike, pavarësisht se si bëhet.

[ Piktura: Jean Marc Nattier (1685-1766) – Drejtësia duke e ndëshkuar Padrejtësinë, 1737 ]