Sfida e radhës – Produktet “Made in Albania” për tregun e EU!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2018 (Koment)

(Holandezët kanë shumë fjalë të mira për zhvillimet e viteve të fundit të industrisë tekstilore shqiptare. Italianët s’kanë qenë kot më kot prezent në Shqipëri për një kohë të gjatë, dhe tani janë partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë – thonë holandezët)

Twitter thotë se qeveria shqiptare e paska postuar “Next challenge: ‘Made in Albania’ products“. Dhe tutje “fjala” e postimit të tyre është rreth fabrikës “Ambra” në Durrës, e cila – sipas cilësimit të qeverisë – “është një prej fabrikave më të mëdha të veshjeve në Shqipëri, me cikël të mbyllur, e specializuar për prodhim dhe eksport të veshjeve për emra ndër më të njohurit në tregun europian“.

Gjatë vizitës së Kryeministrit bërë fabrikës (që paska ndodhur para ca ditësh) ai qenka shprehur se kalimi në sipërmarrje me “cikël të mbyllur” është një arritje e rëndësishme dhe se sfida e radhës janë më shumë produkte “Made in Albania”.
Fasoni klasik i “Ambra-së” ishte “porositës”, kalimi në “ciklin e mbyllur” është hapi që e kemi dëshiruar të ndodhte. Dhe tani hapi tjetër, i treti – qenka shprehur Rama, është që të fillohet me modelet shqiptare për tregun evropian, të fillohet me “Made in Albania”, me sa më shumë modele e produkte.

Përgëzime “Ambra-së”, për hapat e zhvillimit të tyre dhe për ambicjet reale, urime për ecjen përpara… secilit sektor të ekonomisë shqiptare. Natyrisht, pres të plasohen e të gjenden produktet me markën “Ambra” sa më shpejtë në dyqanet gjithandej Evropës. Por s’jam vetëm unë entuziast (nëse na qenkam, më ka hije tekefundit, jam shqiptar : ) ama, bie fjala, edhe holandezët kanë shumë fjalë të mira për zhvillimet e viteve të fundit të industrisë tekstilore shqiptare.

Industria e tekstilit në Shqipëri ka shumë për të ofruar, për prodhuesit dhe për markat holandeze – thuhej në ftesën e vitit të kaluar për kompanitë, para se të niseshin në misionin studimor disaditor në Shqipëri. – Shqipëria është afër, ka cilësi, ka pak rreziqe CSR (Corporate Social Responsibility – Përgjegjësi Shoqërore e Ndërmarrjes) dhe mund të prodhohet në shkallë të vogla, të cilat prodhime mund t’jenë shpejtë në treg. Italianët s’kanë qenë kot më kot prezent atje për një kohë të gjatë, dhe tani janë partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë“.

Viteve të fundit holandezët kanë qenë të interesuar realisht për zhvillimet e industrisë shqiptare, duke iu “qasur” këtij interesimi me hapa konkretë.
Në vitin 2014 qe kryer një studim tregu, por dhe për t’i identifikuar industritë premtuese në Shqipëri. Studimi pati hedhur në pah se sektori shqiptar i tekstilit ishte një prej industrive më premtuese.
Në vitin 2015 qe zhvilluar një mision tjetër në Shqipëri për të parë nëse mundësitë e identifikuara nga studimi i tregut mund të realizoheshin si “biznes aplikativ”, dmth. për ta kthyer gjithçka nga rezultatet pozitive të studimeve në biznes real.
Shkurt, ky mision s’do të ndërmirrej nëse parametrat nga raportet t’mos na ishin pakashumë në përputhje me parapritjet.

Vitin e kaluar, në Prill të 2017 nga holandezët rishtas qe ndërmarrë një “mision” në Shqipëri, ishte diç si një lloj kombinimi i turnit studimor dhe i misionit tregtar. Padyshim dhe diç si finalizim, si “përmbyllje” e hulumtimit-studimit të mundësive. Sipas fjalëve të tyre, misioni i vitit të kaluar ishte hapi tjetër për t’i trajtuar çështjet e studiuara pararendëse dhe për t’i kthyer mundësitë e identifikuara tashmë në veprim.

Sipas M. van Yperen, ose bazuar në fjalët e tij në “Report Study tour on Sustainable textiles Albania, 2017“, gjithsej 15 “ekipe” kompanish holandeze qenë pajtuar për misionin dhe patën fluturuar drejt Tiranës secili me shpenzimet e veta. Grupi i këtyre 15 kompanive holandeze ishte përafërsisht një përzierje e dizajnerëve, e ekspertëve për modën e femrave dhe të fëmijëve, si dhe të veshjeve të punës (uniformave të ndryshme). Nga pala shqiptare patën marrë pjesë rreth 35 kompani e institucione, duke i përfshirë dhe dy universitete, Universitetin Politeknik (prodhimi i tekstilit) dhe Universitetin e Arteve (dizajn dhe modë).

Pra, të gjitha këto misione, studime e fjalë të mira, jashtëzakonisht pozitive lidhur me zhvillimet e industrisë tekstilore shqiptare janë një arsye për të buzëqeshur e për t’u gëzuar. Mua për vete “postimi i qeverisë shqiptare në Twitter” sikur më flet shumë më shumë, sesa si mesazh i shkurtër (si cicërimë) prej 2-3 rreshtash (aq sa lejon Twitter). Andaj sikur ndjeva dëshirë t’ia shtoj dhe 2-3 fjalë të mia më shumë.

(fotoja: pamje të fabrikes “Ambra”, Durrës)