Czeslaw Milosz – Yshtje

YSHTJE
Czeslaw Milosz [ 1911-2004, Poloni – Çmimi Nobel për Letërsi, 1980 ]

Arsyeja njerëzore është e bukur dhe e pathyeshme.
S’ka grila, tela me gjemba, s’ka falsifikime librash,
Asnjë syrgjynosje s’ngadhnjen kundër saj.
Ajo i përcakton idetë universale brenda gjuhës,
Dhe i prin dorës ta shkruajmë të vërtetën dhe drejtësinë
Me germa të mëdha, gënjeshtrën dhe shtypjen me të vogla.
E lartëson atë që duhet t’jetë mbi gjërat ashtu siç janë,
Arsyeja është armik i dëshpërimit dhe mik i shpresës.
Nuk e dallon hebraishten nga greqishtja as skllavin nga padroni,
Dhe na e dhuron pronësinë e botës për ta menaxhuar.
I kursen frazat e thjeshta dhe transparente
Nga mosmarrëveshja e ndyrë e fjalëve të torturuara.
Na flet se gjithçka është e re nën diell,
E hap grushtin e ngjizur të së kaluarës.
Të bukura dhe aq rinore janë Filo- dhe -Zofia
Edhe Poezia, aleati i saj në shërbim të së mirës.
Jo më larg se dje Natura e festoi lindjen e tyre,
Lajmi iu soll maleve nga një unikorn dhe një jehonë.
Miqësia do jetë e lavdishme, koha e tyre s’ka kufi.
Armiqtë e tyre i janë dorëzuar shkatërrimit.

Berkeley, 1968

– – –

© 1988 C. Milosz Royalties, Inc. – Burimi: The Collected Poems: 1931-1987 (The Ecco Press, 1988) – via Poetry Foundation, USA
© (në anglisht: Czeslaw Milosz, Robert Pinsky ) – nga anglishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2013