Mahmoud Darwish – Ikja e Selvisë

IKJA E SELVISË
Mahmoud Darwish [ Palestinë, 1941-2008 ]

( Selvia është pikëllimi i pemës e jo vetë pema, dhe nuk ka hije, pasi që hija është e pemës. – Bassam Hajjar )

Selvia u këput si një minare, dhe fjeti në
rrugë me hijen e plasaritur, të errët, të gjelbër,
siç ka qenë përherë. Askush s’u lëndua.
Renden automjetet mbi degët e saj. Pluhuri
i mbuloi xhamat e përparmë… / Selvia u thye,
por pëllumbi s’e ndërroi folenë publike në një
shtëpi aty pranë. Dhe dy zogj migrantë
ndenjën pezull mbi palën e vendngjarjes, i
shkëmbyen ca simbole. Një grua i tha fqinjes
së vet: Ke parë ndonjë stuhi? Ajo tha: Jo,
madje as buldozher… / E megjithatë selvia
u thye. Ata që kaluan pranë trupit përdhe thanë:
Ndoshta qe mërzitur nga shpërfillja, ose qe
ndjerë e vjetruar, e gjatë si një gjirafë,
por në kuptim s’e arrin as një fshesë
pluhuri, s’fal dot hije për një çift të dashuruar.
Një vogëlush tha: e vizatoja të përkryer, figura
e saj ishte e lehtë për vizatim. Një çupë tha:
qielli sot s’është i plotë për shkak se selvia
u thye. Një i ri tha: por qielli sot është i plotë
pasi selvia mungon. Unë i thashë vetes:
as mister as qartësi, selvia u thye, kjo është
e gjitha çfarë realisht është: selvia u thye!

– – –
© 2008 M. Darwish – Burimi: “The Butterfly’s Burden”, Copper Canyon Press, 2007 (via Poetry Foundation, USA)
© (në anglisht nga Fady Joudah) – nga anglishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2015