Në retrospektivë – Mospasja e Pasaportës Poetike! (2005)

Më shkon buza në gaz me “vlerësimin” e shkrimtarit Flurans Ilia, 12 vjet më përpara në revistën “FjalA” të Tiranës (Kryeredaktor Agron Tufa), ku ai sa ma lavdëronte poezinë, e quante “poezi vërtetësisht drithëronjëse”, mua po ashtu më quante “poet”, pastaj megjithatë e shprehte keqardhjen se ende s’kisha botuar ndonjë libër për t’ma dhënë “pasaportën si poet i gjuhës shqipe”, paçka se mrekullisht vargëzoja : )
Tani pas plot 12 viteve padyshim për Fluransin (i cili vetë i ka me dhjetra libra të botuar) do t’jetë çudi e pakapërthyeshme që unë akoma dhe sot e kësaj dite ngela pa libër – sa për “pasaportën” kurrë s’e pata, s’di as ku duhet kërkuar një sosh, mbase në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Letërsisë… ndoshta ka një departament të veçantë për “pasaportat poetike” : )
Gjithsesi, i jam dhe i ngelem mirënjohës Fluransit që ma pati “publikuar” poezinë në FjalA, ra kritikologjia e tij dhe poezia zuri vend për t’u mos u “shlyer” kurrë nga FjalA e Tiranës, përndryshe sa për vete, pa “pasaportë” ashtu-kështu s’do ta kisha patur kurrë një nder të tillë.
(sguraziu, 2017)

 

| – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

…është për të ardhur keq që në këtë udhëtim ka shumë xhelozira, mosmarveshje, replika që shpesh shndërohen në “masakra” artistike duke na dhënë të kuptojmë se nuk është aspak kjo një “tendencë” artistike në emër të artit. Më mirë se unë do ta shembullonte këtë mendim poezia vërtetësisht drithëronjëse e poetit Senad Guraziu i cili ende nuk ka botuar ndonjë libër për t’i dhënë “pashaportën si poet i gjuhës shqipe” ndërsa mrekullisht vargëzon :

Në kokë një lëmsh vijash të harlisura
një shtatore, një trupore… statujë
skicuar në bllokun fletëzverdhur
orvatet të marrë jetë me trup e pa trajtë
ndërsa poeti pyet veten
përse në kokën e tij
nuk përfton befas imazhi i Euterës.

Më kot ëndërron shtatorja
të sheh gjymtyrët, të ngjallet,
bronzi s’është embrion i përzier (nisje me pahir)
me shurrën e spermën mëngjesore
sepse të gjitha shtatoret e botës
do të dilnin të përçudnuara, makabre
mutacion “à la natura” – kokteje të dështuar

Matanë grilave të mjerimit, zezonë
ku shpirti është përmbytur, skëterrë
në honin e brendësisë-boshatisur
kërpudhë helmuese pikaloshe
tek tymon pluhur djegës helmatisur
statujat mbesin pa jetë…

Shtatoret nuk derdhen, nuk gjallërojnë
në emër të poetikës pikante
me sharje e zbrazje moderne
ato nuk mund të frymojnë
me pak lëkurë të bardhë, lëkurë zombish
mbështjellë si me dashuri mize
Shtatoret kurrë s’do t’i hidhërojnë muzat
ato më me dëshirë heshtin të vdekura…

(Senad Guraziu – Terraforma Poetica)

– – –

(Shkëputur nga: “Dora misterioze drejt krijimit (ose: ç’është arti)?” – etyd nga Flurans Ilia, Cape Cod, Mars 2005 – Publikuar në gazetën e përjavëshme kulturologjike Fjala në Tiranë 12 Prill 2005)