Shqiponjat e “mërrolura” të FSK – Forca më “simpatike” e botës!

SGuraziu – Ars Poetica, 2017

Në Korrik të 2016 lajmi se Gjeneral Brigade Enver Cikaqi diplomoi në Kolegjin Mbretëror në Britani, pati zënë vend gjithandej ndër mediat kosovare. Për mua ishte lajm ekstra-i gëzueshëm, pasi që Enveri është i afërm… duke qenë njëri nga dajallarët e tij : )

Forcat e Sigurisë së Kosovës padyshim janë “forca më simpatike” e botës. Jo se në FSK është aktiv Gjenerali Enver, as jo se FSK është forcë e “vogël” (ta zëmë, krahasuar me forcat kineze : ) as jo se FSK s’mund të jetë e armatosur me armatime të rënda, as jo për faktin që FSK s’ka “forca ajrore”, as jo për buxhetin simbolik prej 49 milionë Euro, pa rritje për 2016, 2017, 2018 (psh. krahasuar me buxhetin e Policisë së Kosovës prej 90 e kusur milionë Euro)… asgjë nga këso detaje s’ka rëndësi – por një detaj tjetër mua ma ngjallë buzëqeshjen e simpatinë, logot e “insignia-t” e FSK janë më simpatiket që kam parë ndonjëherë. Dhe unë kam parë mjaft sosh, pothuaj të gjitha llojet e mundshme të ushtrive të botës.

Gjithçka është e mërrolur, përveç fytyrave të gjeneralëve, vetëm buzëqeshja e tyre… si në fotot zyrtare si kudo, nuk shuhet dot.
Sa i përket “mërroljes” dhe shikimit vëngër, bie fjala, jo vetëm “shqiponja” e Ministrisë së FSK, por janë të mërrolura dhe ato të ushtrisë, pra dhe vetë “shqiponja” e FSK, pastaj dhe vetë “ujku” i Brigadës së Reagimit të Shpejtë “Ujqit”, e madje dhe “ketri” i Bataljonit të Logjistikës “Ketrat”.

Sa për “mërroljen” e Njësisë Speciale Intervenuese – NJSI (Special Intervention Unit – SIU), të cilët janë diç si maja e SWAT-forcave të mërrolura të Evropës, as që është nevoja të komentohet.
Po bashkëngjes disa gjëra për ta argumentuar “mërroljen”.