Bosët e drogës i nxirosin të dyja “Faqet” shqiptare!

S. Guraziu – Ars Poetica, Shkurt 2017

nëse Evropa ta vë një “etiketë”, duhen pastaj 500 vite për ta hequr – në dukje grupet kriminale shqiptare s’kanë në ballë as të parë as prijatar, as Don Corleone as Al Capone… është e tmerrshme që 2000 mafiozër të Zvicrës ta vulosin “prestigjin” e 200.000 shqiptarëve zviceranë. Sikur që është e tmerrshme që 2000 mafiozër të Shqipërisë i nxirosin të dyja Faqet shqiptare

(Angela Merkel, mjaft e shqetësuar i shkruan letër të “mbyllur” Presidentes së re zvicerane Doris Leuthard, lidhur me problemin e narko-bosëve të Zvicrës dhe te Evropes)

E dashur Doris,
para së gjithash uroj që t’jeni mirë atje në Helvetia. Sa për zgjedhjen tënde Presidente veç ta kam uruar zyrtarisht. Ta them se akoma jam krenare me festën e vitit që shkoi… për Tunelin tuaj gjatosh, për atë mrekullinë e gjatë prej tuneli që na e sjell Italinë aq afër… Gjithsesi kësaj radhe desha ta shpalos një brengë tjetër.
(Isha duke pirë një çaj rehat, s’po bëja gjë, më shkrepi të të shkruaj shpejtë e shpejtë)

Siç e di dhe ti vetë (të dyja e dimë… Doris), unë dhe ti kemi më së shumti shqiptarë në “shtëpi”, apo jo? S’ka vend i Evropës të ketë më shumë shqiptarë sesa ka Gjermania e Zvicra. Ma thuaj si do ia bëjmë – sepse kohët e fundit disa gjëra janë mjaft shqetësuese?
Unë i kam rreth 300.000 – 400.000 shqiptarë (mos më kerko shifër 100% të saktë, sepse refugjatet e “fundit” – gjoja vetëm nga Siria – na e kanë trazuar pakez tabelen e statistikave), ti i ke nja 200.000 shqiptarë e ndoshta dhe më shumë, kjo i bie 10% e popullatës së Kosovës. Duke qenë aq shumë (dmth. per një Zvicër të vogël), duhet t’jesh e lumtur që politikisht s’po ta kërkojnë një “Kanton” në vete, pra diç si shtet brenda shtetit, njësi kantonale shqiptare brenda konfederatës 700 vjeçare… Kjo në rregull, aq larg s’kanë vajtur akoma, por ama e di që s’je e lumtur. Gazetat e Zvicrës po shkruajnë që mafia shqiptare në Zvicër e ka uzurpuar “monopolin narkotik”, gjithë trafikun e të gjitha llojeve të drogës (besoj e ke lexuar Le Matin Dimanche, 19 Shkurt 2017). Shqiptarët e Zvicres dhe të Italisë po bëhen një lloj “mafie” ultra-moderne, të drejtuar nga lidhjet klanore e nga kodet e tyre. Në dukje grupet kriminale shqiptare s’kanë në ballë as të parë as prijatar, as Don Corleone as Al Capone… shërbimet policore anti-narkotike të gjithë Evropës janë hutuar, s’po dinë si t’ia bëjnë me “urithët” shqiptarë të nëntokës…

Me 10 tonelata drogë çdo vit, Zvicra si konsumatore mund të konsiderohet dhe “simbolikja e Evropës”… pra Zvicra s’është dhe aq në “delirin” e vet, Zvicra s’i ka as 10 milionë banorë, ama e dashur Doris imagjinoje gjithë Evropën, imagjino 500 milionë evropianë, padyshim do të tmerrohesh!
Siç më kanë informuar këta ekspertët e mi, edhe statistikat e vrasjeve me armë zjarri të shqiptarëve janë më të mëdha në githë Evropën, vetëm në Shqipëri 2-3 herë më të mëdha janë shifrat e vrasjeve sesa në 50 shtete të Amerikës. Dmth. e kam fjalën vetëm për Shqipërinë (londineze), pa i përfshirë vrasjet në Kosovë dhe trojet tjera në Ballkan ku jetojnë shqiptarët, si dhe pa vrasjet që, eventualisht, i kryejnë shqiptarët në vendet evropiane. Kjo është e trishtueshme e dashur Doris… s’mund t’i mbyllim sytë.

Policët gjermanë sapo më informuan që brenda një jave u konfiskuan 10 tonë marijuana nga Shqipëria. Nëse njeriu i analizon dhe vetëm lajmet e vendeve evropiane (pa u bazuar në fjalët e në statistikat e policëve) e qartë që shqiptarët dominojnë me 75-80% të tregut narkotik të Evropës. Si në Turqi, ashtu dhe në Greqi, por dhe në Itali… në fakt që prej skajit më të skajshëm të Turqisë e deri në Amsterdamin e Zemrës së Evropës dominojnë klanet shqiptare, tregtarët dhe mafiozët shqiptarë të drogës.

E dashur Doris, hipi aeroplanit dhe endu mbi Shqipëri, mos shko për ta vizituar as atë Edi Ramën as Ramushin as Lulushin, por thjesht endu në ajri. S’është aq e madhe Shqipëria, gjysmë ore të duhet, dhe do t’bindesh që rreth 20% e territorit të Shqipërisë është e mbjellur me kanabis a marijuana… apo si quhen ato barërat e këqija. Unë vetë e kam të qartë që duhet të ndërhyjë Evropa me financime të mëdha në të gjitha fushat “shqiptare” të Shqipërisë, përndryshe kam frikë një miku im nga Holanda, z. Guraziu do t’ketë shumë të drejtë. Ai e pati shprehur brengën e vet që Shqiperia sëshpejti do të etiketohet “Kolumbia e Evropës”, Albaniana-Kolumbiana, si parajsë e droges dhe e ëndrrave… E dija dhe vetë, por tani kur më lajmëruan se ç’shkruajnë gazetat e Zvicrës sikur m’u bë e qartë që z. Guraziu vërtet kishte të drejtë. E kuptoj brengën e tij, ai i ngrati e di që nëse Evropa ta vë një “etiketë” duhen pastaj 500 vite për ta hequr.

Andaj fqinja ime, e shtrenjta dhe e dashura Doris, ma thuaj dhe ti mendimin tënd, konsultohu dhe ti me ekspertët zviceranë dhe ta zgjidhim disi “problematikën shqiptare” në vendet tona. Duhet të bëjmë diç sa më parë, sepse më dhimbsen shqiptarët e ndershëm që vërtet i dua shumë, më shumë se 90% të tyre janë punëtorë dhe i kanë ndihmuar ekonomitë tona për dekada të tëra. Është e tmerrshme që 2000 mafiozër të Zvicrës ta vulosin “prestigjin” e 200.000 shqiptarëve zviceranë. Sikur që është e tmerrshme që 2000 mafiozër të Shqipërisë i nxirosin të dyja Faqet shqiptare, të dy shtetet (njëri madje shtet shtalb, ende i paqëruar).
Shpresoj Doris… që ta ujdisim një platformë të përbashkët, tekefundit si masë afatshkurtër, të bëjmë diç për shqiptarët e pafajshëm këtu tek ne, në Zvicër e në Gjermani.
Sepse janë qytetarë dinjitozë të vendeve tona, merre vetë Zvicrën si shembull, kujtohu: nuk e meritojnë 200.000 shqiptarë… nxirosjen e turpërimin nga një grusht mafiozësh!

E jotja, Angela

(në foto: Presidentja aktuale zvicerane Doris Leuthard dhe Angela Merkel – sguraziu, 2017)