SG – Pa e parë shiun e botës sime, 2010

PA E PARË SHIUN E BOTËS SIME
SGuraziu, 2010 (Skice…)

Ajri çahet, stinët ndërrohen për një ditë, zhurmërima e shiut e dridh kulmin e ëndrrës, pastaj dielli buzëqesh, gjethet zverdhen, bien… e Balzaku i vdekur për t’i mbushur shtatë faqe të vjeshtës verore, me përshkrimin e rënies së një gjethi të vetëm.
Qelqit me vakuum pikash të panumërta currilosen – xhamat e dyfishtë sikur e bëjnë të shurdhër peizazhin e së jashtmes, shurdhësia burgoset në boshësinë e pangjyrë, pa ajër – ndarje e dhunshme, ndoshta zonë neutrale mes ajrit të brendshëm dhe të jashtëm, izolim i dy botëve ajrore me vetë ajrin… ndoshta njëjtë është dhe brenda zemrës – shih përjashta, tani stuhi nga detërat e Veriut, ca minuta më vonë mund t’bësh dhe patinazh artistik, nga cepi në cep të akullnajes, këtë padyshim e dinte dhe Konica dikur, por ai çdo gjë e ndrydhte me “Zululandin” imagjinar, ndërsa unë me Lulandinë reale të tulipanëve…

Bukur dhe drithëruese kur ti mungon, dhe prapë këtu me prezencën, me buzëqeshjen ngujuar mes xhamash-puthitur, endesh në hemisferat e zemrës pa ekuator, pa topografikat, pa shenja, pa meridiane, zonash tropikale, as ishuj “paradise”, e ti… o zot, ti megjithate flet për shiun e plazhit, për pikat në fytyrë, aromën ezoterike të ozonit, flet për shiun pa e parë shiun e botës sime, ti madje flet për puthje nën currilat e vakët, tani sikur e shoh avullin nga buzët përtej xhamit, kapem aty, i lehtë si puplat e imagjinates, i bardhë ngjitem lart atje në retë që nuk i shoh.