Jimmy Santiago Baca – Dhurata

DHURATA
Jimmy Santiago Baca [1952, ShBA]

Po ta fal këtë poezi si dhuratë,
pasi s’kam tjetër ç’të të jap.
Mbaje si një pallto të ngrohtë,
kur dimri vjen të të mbulojë,
apo si një palë çorape të trasha
dhe të ftohtit s’mund të depërtojë,

Të dua,

S’kam asgjë tjetër të të jap,
është si një enë kokrrash misri
të pjekur, që stomakun në dimër
të ta ngrohë, është si një shall
që ta mbash në kokë, ta lidhësh
mbi flokë, fytyrën ta mbulosh,

Të dua,

Mbaje, dhe çmoje siç do ta bëje
nëse të humbisje, nëse drejtimin
t’mos e dije, në tokën e shkretë
jeta kur piqet bëhet jetë; dhe
thellë në këndin e sirtarit tënd,
palosur si kasolle a kolibë
navajosh në pyllin e dendur,
ti troket, dhe unë ta hap derën,
ta tregoj rrugën, ta fal ngrohtësinë
e këtij zjarri, ta ofroj prehjen,
dhe bëj që t’ndjehesh e sigurt

Të dua,

Është e gjitha ç’kam të ta fal,
dhe e gjitha ç’nevojitet dikush
të jetë gjallë, që t’vazhdohet
me të jetuarit brenda, atëherë kur
bota e jashtme s’çanë kokën
nëse ti rron a vdes; mbaje mend,

Të dua.

– – –

© 1990 by J. S. Baca – Burimi: Immigrants in Our Own Land… (New Directions Publishing Corp., 1990) – via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2016

Notë:
Jimmy Santiago Baca është një poet amerikan me prejardhje nga apaçët dhe nga komuniteti hikano (një emërtim i vetëzgjedhur për identitetin e disa amerikanëve në ShBA, me prejardhje meksikane)