Sylvia Plath – Paralajmërim

PARALAJMËRIM
Sylvia Plath [ 1932-1963, ShBA ]

Nëse e disekton një zog
Për diagramin e gjuhës
Do ia këpusësh kordin
Këngës artikuluese.

Nëse e rjep një bishë
Të mrekullohesh me krifën
Do shkatërrosh pjesën tjetër
Ku gëzofi e kishte zanafillën.

Nëse e shkëput zemrën
Të shohësh ç’e bën të lëvizë,
Orë-zemrës do ia ndalësh
Sinkopat e dashurisë.

© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

– – –

Autopsia poetike – Poezitë s’janë “bretkocash laboratorike”!
(sguraziu – ars poetica, 2019 – pak fjalë)

Shumica e poezive që poetja Sylvia Plath i niste të publikoheshin në gazetat e revistat e kohës, refuzoheshin, dy librat e botuar qenë pritur me dashamirësi por nuk shiheshin si diç e jashtëzakonshme – fama e Sylvia Plath do vinte vetëm pas vdekjes. Si duket Plath kishte pakëz vështirësi me mënyrën si lexuesit i interpretonin krijimet e saj poetike, i sigurt s’mund të jem, natyrisht, por ndoshta poezia “Paralajmërim” ishte pikërisht diç si klithmë lidhur me këtë tematikë (të ndjeshmërisë).

Ndoshta mesazhi i Plath mëtonte të ishte se lexuesi nuk duhet ta teprojë me “autopsinë poetike”, poezitë s’janë “bretkoca laboratorike” që secili sipas kureshtjes e qejfit të merret me disektomi e analiza, Plath sikur ka dëshirë ta “pralajmërojë” lexuesin eventual që t’mos merret me “masaskrimin” analitik të secilit varg, poezitë nuk duhet analizuar me tekno-veglurinash të “laboratorit” gjuhësor, lexuesit duhet t’i shohin krijimet si tërësi, si “krijesa poetike” që gjallojnë, si zogj që cicërojnë, si zemra që dashurojnë por që dihet, zemrat funksionojnë vetëm nëse janë në vendin e vet, aty ku duhet të jenë, e jo shkulur nga kraharori për analiza e “tehurinash” kritike, sipas saj ndoshta poezitë nëse nuk përjetohen në tërësinë e tyre ashtu siç janë, kompakte, atëherë mbase dhe e humbin kuptimin e tyre të vërtetë…

Lidhur me ndjeshmërinë ndaj “disektomisë poetike” kanë shkruar sa e sa poetë, sidoqoftë… poeti amerikan Billy Collins, në njërën nga poezitë e veta e pati thënë mjaft bukur:
“…ua kërkoj që poezinë ta mbajnë në dritë si një slajd ngjyrash, ose ta mbështesin njërin vesh kundër luzmës së saj, unë dua që ata të bëjnë ski mbi ujin valëzues aneskaj sipërfaqes së poezisë duke ia bërë me dorë emrit të autorit në breg – por e gjitha çfarë ata duan është ta lidhin me litar në një karrige dhe ta torturojnë rrëfimin e saj…” : )