Adel Abdessemed – Axe On, 2007, dhe Mémoire, 2011-2012

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2014 (Art Kontemporan – Koment)

“…kuptimi (kuptimësia) ndoshta është si një tas a pjatë me supë të alfabetit, me të cilat germa ne mund të ujdisim çdo gjë që i përshtatet qëllimit tonë…”

Të gjithëve na kujtohet Ruanda, na kujtohen “Hutu” e “Tutsi”, na kujtohen grupet etnike ndërluftuese të Ruandës që patën ushtruar gjenocid të ndërsjell gjatë luftës civile në vendin e tyre, të cilat masakra mbesin përgjithmonë në mbamendjen dhe në ndërgjegjen e njeriut. Të gjithëve na kujtohen ato “machetes” (shpatat) e përgjakura, dhe duart e zhytura deri në më të skajshmen e krimit njerëzor.

Artisti Abdessemed veprës së tij “Axe On” (2007) ia shton dhe “Mémoire”, të njëjtës vepër sikur ia shton dhe dimensionin e “mbamendjes”, një kujtesë që nuk hesht por që alarmon ndërgjegjen.

“Mémoire” është një video e shkurtër, një monitor i varur në të njëjtën hapësirë ekspozuese me veprën Axe On (“machetes”), në video paraqitet një majmun i trajnuar tek i radhit në një dërrasë germat magnetike një nga një, duke përcaktuar fjalët “Hutu” dhe “Tutsi”, dhe galeria mbushet me jehonën mekanike të secilës germë kur përplaset, si kujtesë e pakëndshme dhe e trishtë e tingullimës së “shpatave”.

Artisti mëton me videon të sugjerohet se kuptimi (kuptimësia) ndoshta është si një tas a pjatë me supë të alfabetit, me të cilat germa ne mund të ujdisim çdo gjë që i përshtatet qëllimit tonë.

(Foto nga ekspozita e artistit Adel Abdessemed në Doha, 2014)