SG – Pritje në Elisium, 2014

PRITJE NË ELISIUM
S. Guraziu, 2014

“ata që vallëzojnë konsiderohen të çmendur nga ata që nuk e dëgjojnë muzikën” – Friedrich Nietzsche

Si tejzat e “lahutes
së malcisë” në imagjinatën
e Fishtes, fjalët dridhen,
humbin diku në mua,
je fizika e gjallë e kordave,
vetë magjia e muzikës,
nëse do hesht, nëse do
më vrit, ashtu me fjalë…
siç vetëm ti di, ëmbël
e butësisht, të gjitha
plagët mund t’pikojnë
lulishtes, por ti e di,
s’jam Adonis, nga gjaku
im trëndafila nuk mbijnë –
pastaj po deshe lutu
në Olimp, bjer në gjunj,
si Afërdita gjysmë jete
më prit – herë me ty
do t’jem, herë i vetmuar
në “Elysium” do ik!

Tërë jetën mund t’pres
për gjysmën tjetër
“pranë” jetës, edhe pse
as zëri yt, as lutja në Olimp
s’do jenë mëshirë,
ringjallja ime ashtu-kështu
marrëveshje “politike”
do t’jetë, e Zeusit
me vëllain e vet.

– – –

Adonisi, mrekullisht i bukur, foshnja më e bukur e mitologjisë, pati ardhur në jetë nga incesti, me dëshirën e zotave lindi nga “pema” e pafajësisë (princeshën Mirra, nënën e tij, zotat e mbrojtën duke e kthyer në një pemë), Adonisit fundi i erdhi nga askush tjetër por nga një derr i egër – anise fatkeqësia e tij “është më e thellë”, dhe se dikush qe transformuar në derr enkas për ta vrarë, pa shkuar më tej në thellësinë e simbolikave të mitit, mund të thuhet: paçka se një egërsirë, për derrin në fakt ishte vetëmbrojtje, instinkt i mbijetimit, Adonisi vetë ishte duke e ndjekur për ta vrarë, gjahu ishte kënaqësia më e madhe e tij – as lotët e Afërditës nuk e shpëtuan, dashuria e vetë perëndeshës së dashurisë, vajtimi i nimfave të pyllit, për ringjalljen qenë kot… pa vullnetin e mirë të zotave të Olimpit.

Piktura:
John William Waterhouse (1849-1917) – Zgjimi i Adonisit, ~1900