James Cook – Moskuptimi, ngatërrimi dhe keqemërtimi për Kangurët!

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2014 (ngjashëm siç shurdhani Kolumbo e pati quajtur Ameriken : )

Një mit lidhur me kangurët qenka hedhur poshtë në vitin 1970 nga gjuhëtari-studiusi John B. Haviland, në studimin e tij lidhur me popullin “Guugu Yimithirr” të Australisë! Paska qarkulluar besimi se “kangur” ishte emri origjinal i kangurëve, si shprehje e gjuhës Guugu Yimithirr, “gangurru” (por e cila shprehje në fakt do t’thotë “nuk të kuptoj” – dmth. nga moskuptimi ka ardhur ngatërrimi… dhe pastaj si rrjedhojë keqemërtimi : )

Sipas kësaj legjende, James Cook dhe Joseph Banks duke eksploruar një zonë të Australisë (që sot u quajka Cooktown, sepse tani është qytet dhe dmth. mban emrin e tij) paskan hasur në një kafshë të çuditshme, e cila kërcente si e çmendur. Ata e paskan pyetur një banor lokal për emrin e kësaj kafshe të panjohur, indigjeni s’paska qenë mospërfillës por qenka përgjigjur “gangurru” (dmth. “s’të marr vesh”), dhe hoooop kapiteni Cook na e paska marrë të jetë emri që i duhej.
Emri qenka regjistruar për herë të parë si “Kanguru” më 12 korrik 1770 në ditarin e vet nga Joseph Banks, ndërsa nga James Cook pakëz më vonë, më 4 gusht 1770.

***
Buzëqesha 🙂 sepse m’u kujtua diç e ngjashme, m’u kujtua emërtimi i Amerikës nga shurdhani Kolumbo. Çfarë analogjie, James Cook… më çoi tek Kristofor Kolumbo (apo tek Cristóbal Colón, meqë ishte spanjoll).
Rastin e ngatërresës së Kolumbos dikush, shumë vite më parë, në v. 1997, teksa donte t’i fshikullonte pseudo-historianët, pseudo-gjuhëtarët apo në përgjithësi, pseudo-shkencëtarët shqiptarë, e pati sqaruar si vijon:

“…në kronikën e lashtë të indianëve gjeta raportin e saktë për takimin e parë të Kolumbos me prabanorët e kontinentit. Ata kishin vëzhguar afrimin e anijes së tij dhe sapo shkeli në tokë të tyre ia bënë pyetjen: “A MBËRRIJTKE?” mirepo spanjolli Kolumbo dëgjoi një “AM(B)ERI(J)KE?” dhe kontinentin e quajti “Amerike“. – Ilir O. Logu (ps), 1997

[ Ngjitur: Nathaniel Dance-Holland – James Cook (portret), ~1775 – detaj ]