Ostrakizmi do duhej të praktikohet edhe sot!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2015 (koment mjaft serioz politik : )

(…në Kosovë dihet që madje dhe “zombi-votuesit” kanë të drejtë vote, dmth. ata që “ngjallen” vetëm sa për t’votuar, përndryshe zyrtarisht pastaj të vdekur )

Më kujtohet, pata lexuar dikur:
në Athinën e lashtë, në demokracinë e parë të botës, e kishin një proces të quajtur “ostrakizëm”, 1 herë në vit njerëzit mund të votonin për politikanin që mendonin se ishte më i “keqi” për procesin demokratik. Politikani “fitues” i votës ostrakiste dëbohej nga Athina për 10 vjet.

Sot më shkoi mendja:
Ostrakizmi do duhej të zbatohet edhe sot. Sidomos në Kosovë, si demokracia më e re e botës, demokraci “shtalb”. Ka mjaft politikanë atje që e degradojnë procesin demokratik, nuk e avancojnë 1 hap përpara por e çojnë 2 hapa mbrapa. Do ishte mirë të dëbohej vit për vit së paku nga 1 politikan, qoftë i korruptuar qoftë si element “kancerogjen” i procesit demokratik.

Pastaj mendova:
Disa gjëra në histori janë mjaft zbavitëse, pothuaj “qesharake”, vallë kush mund të votonte në Athinën e lashtë? Skllevërit ?! Femrat ?! Sigurisht që jo. Shumica e popullsisë ishin “jashtë” demokracisë (anise s’mund të mohohet, ishte demokraci). Ndërsa në Kosovë dihet që madje dhe “zombi-votuesit” kanë të drejtë vote, dmth. ata që “ngjallen” vetëm sa për t’votuar, përndryshe zyrtarisht pastaj të vdekur 🙂

Tutje, psh. e dimë se në Holandë gratë s’mund të votonin deri vonë, kurrë në histori në fakt… mirëpo ja që ia dolën të kenë të drejtë vote para shek. XXI. Kjo është arritje e jashtëzakonshme – të paktën grave e drejta u erdhi para Luftës së Dytë Botërore, në v. 1919. Njëjtë në Kanada, në ShBA … por dhe në Shqipëri, në v. 1920. E vërtetë, Shqipëria s’është akoma në EU, ama sa i përket “votës së grave” është baraz me Holandën, me Kanadanë e me ShBA. Disa gra të tjera në Evropë u desh të prisnin deri pas L. II Botërore, madje dhe më vonë. Gratë e Francës patën pritur deri në v. 1944, ato të Italisë deri në v. 1946 dhe imagjino… ato të Zvicrës, të konfederatës bukuroshe 700-vjeçare, deri në v. 1971. Imagjino më tej, gratë e Arabisë Saudite do t’votojnë për herë të parë vetëm këtë vit, 2015. Pra s’mund të mohohet, po ecim përpara (në histori), paçka se hapat aq të vockël-përparimtarë, pothuajse qesharakë.