SG – Tabula Rasa e Kullës, 2009

TABULA RASA E KULLËS
S. Guraziu, 2009

Rrasë të hirëta, heshturake,
pa gjuhë, dy-tre shekuj
pa gojë – poreve të mugëta,
tisit këpurdhor, asgjë e shkruar,
vetëm një zemër… gërvishtur
me gurin e mprehtë të së sotmes,
nga dorë e njomë – natyrë
dhe nyrtyrë e foshnjes
as kujtime, as mbamendje.

Por vallë ç’sup patën burrat
e kohës, gjithë ata Herkulesë
të harruar me muskuj të bardhë,
binjakë monozigotikë ngopur
me misëroren nga saç’
i nënëlokes, ç’ndodhi vallë,
pse s’ka akrobatë dhe sot
që luhaten shkallëve të drunjëta,
faqeve të kullës, burra
me bjeshkën copa-copa
në supet, tek ia falin njëri-tjetrit
diellin e djersitur, ku u tretën
vallë ato hije fëmijësh
që buzëqeshin… aq burrërisht.