O Salutaris Hostia, 1885

George W. Rhead (1855-1920) – O Salutaris Hostia*, 1885

George W Rhead (1855-1920) – O Salutaris Hostia, 1885

…kur vetë engjëjt ia thonë këngës, njëra engjëllushe paska madje dhe violinë, instrument modern… – buzëqesha teksa po shihja pikturën e George Rhead – “O salutaris hostia” (* O Sakrificë e Shpëtimit) është pjesë e himnit religjioz “Verbum supernum prodiens” shkruar ose kompozuar që në shek. XIII – teksti i latinishtes padyshim do jetë i përshtatur në të gjitha gjuhët por (aty ku i gjeta – dhe i ngjita poshtë pikturës) për fat të keq s’kishte dhe version “shqip”…
Edhe himni patriotik pakashumë është lavdithurje… ama himnet religjioze janë lavdithurje unike, janë këngë që i shprehin lavd Perëndisë. Sipas fjalorit kishtar, Shën Augustini e pati përkufizuar himnin si lavdërim ndaj Perëndisë me këngë (hymni laudes sunt Dei cum cantico). Disa nga himnet, në kohë të caktuara, këndohen në kremtimin e Meshës dhe rregullisht në Liturgjinë e Orëve. Himnet e liturgjisë eukaristike janë himne me përmbajtje lavdërimi ndaj Sakramentit të shenjtë, teksti është rëndom në latinisht por dhe i përkthyer në gjuhë të ndryshme. Psh. himnet Pange Lingua, Tantum ergo sacramentum, Panis angelicus, Adoro te devote, O salutaris hostia… etj.
(sguraziu, dhjetor 2019)