Robert Bly – Shoqëri Madhështore

SHOQËRI MADHËSHTORE
Robert Bly [ 1926, ShBA ]

Dentistët vazhdojnë t’i ujisin oborret madje dhe në shi:
Duart e zhvilluara me punë të rëndë nga majmunët
Varen nga mëngë ungjilltarësh;
Ka mbretër të vrarë në poçet përjashta kinemave:
Arkivole varfanjakësh në gjumin dimëror
mbi grumbuj gomash të reja.

Portieri ulet i trazuar nga ngrohësi i ujit,
Drejtori i hotelit i përzien kartat e çmendurisë.
Presidenti ëndërron ta pushtojë Kubën.
Shkurret rriten nëpër skarat e oborrit,
Hardhitë mbi jahtet e sediljet prej lëkure.

Qyteti mendjevrarë mbi kanaçe hiri dhe llaçi të errët.
Në bregun e largët, në Coney Island, fëmijë zezakë
Lozin në plazhin e ftohtë: degë leshteriku të zi,
Guaca, një qiell zogjsh,
Kryebashkiaku ulur mban kokën në duar.

– – –
© Robert Bly – Burimi: The Light Around the Body, 1966 – via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

***
…sipas poetit Robert Bly, ai në një “tabllo” të vogël poetike e ka kapërthyer gjithë madhështinë e Amerikës – ose tekefundit ka pretenduar ta paraqesë madhështinë e shoqërisë së kohës sa më saktë, Amerika aq e madhe ama sipas poetëve mund të përshkruhet dhe vjershërisht, thjesht me disa vargje, përshkruaje saktë zymtësinë e një qyteti dhe ja, padyshim e ke përshkruar madhështinë e gjithë kontinentit 🙂 – e qartë se poezia duhet t’jetë shkruar gjatë viteve ’70 (dmth. të shek. të kaluar), siç dihet në v. 1962 mes ShBA dhe Bashkimit Sovjetik pati ndodhur “tendosja” mjaft serioze, e njohur si “Kriza e Kubës” (apo dhe si “Kriza e Tetorit”, siç ashtuquhet nga vetë kubanezët)
(sguraziu)