“Anglishtimi” i Botës – Gjuha Uniformale e Globalizmit!

S. Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2019 (Përsiatje“Save” (Ruaj) pjesët integrale të Identitetit Kombëtar)

Në dekadat e fundit, në shumë fusha kërkimore anglishtja është zhvilluar në një “Lingua franca” – thonë holandezët, ky zhvillim ka avantazhe në frymën e orientimit ndërkombëtar (ose “globalistik”) të Holandës.

Në v. 2003, Akademia Mbretërore e Arteve dhe Shkencave (KNAW) e pati publikuar raportin “Nederlands, tenzij…” (Holandisht, përveç nëse…) me të cilin raport bëhej e qartë se “jo Anglishta, por Holandishtja duhet t’jetë dhe të ruhet si gjuhë shkencore e institucioneve dhe universiteteve”.
Ky raport këshillimor i përpiluar nga “Komisioni Holandishtja si Gjuhë Shkencore” përmbante rekomandime për ruajtjen e Holandishtes. Komisioni ishte i mendimit se Holandishtja e meritonte mbrojtjen institucionale, nga institucionet të cilat dhe mbajnë përgjegjësi për këtë, në radhë të parë nga qeveria, por dhe nga universitetet si bartës të kulturës që janë, e kështusoj dhe të gjuhës.

Vetëm 14 vjet më pas, në v. 2017 e njëjta Akademi (KNAW) i “hëngri fjalët e veta”, publikut holandez iu prezantua raporti “Hollandisht dhe / ose Anglisht”, në të cilin raport thjesht pranohet që Holandishtja dhe Anglishtja në arsimin e lartë dhe shkencor të Holandës tashmë veç “bashkëjetojnë” (pra martesë s’është nevoja, ama njëfarëlloj “bashkëjetese”). Paçka se dihet që Anglishtja në fakt, për një kohë të gjatë tashmë veç është duke luajtur rolin kryesor.

Vallë “aq shumë mund të ndryshojnë gjërat në vetëm 14 vjet”- e kishte shprehur habinë André Keikes në shkrimin e vet, 2018, në “fryslan1/frl”, me titull ironik “Mund t’bëhet “Save” Frizishtja dhe Holandishtja?”! Ai vazhdon tutje duke na i bërë të qarta hujet e “anglishtimit”…

“Francezët, dikur përfaqësues të gjuhës së fuqishme të elitës, po bëjnë gjithçka brenda mundësive të veta për t’vazhduar ta “ruajnë” rëndësinë e Frëngjishtes ndërkombëtare (TV5 Monde), por me gjasë asgjë s’mund t’i bëjë ballë “anglishtimit”. Jo vetëm francezët, edhe spanjollët, italianët, gjermanët… madje dhe vetë kinezët tani flasin anglisht. Zhvendosja drejt anglishtes është bërë prej kohësh nëpër kolegjet dhe universitetet kineze. Edhe pse zyrtarisht gjuha më e madhe e botës, e folur nga 850 milionë kinezë, ata sikur janë vetëdijësuar se përjashta Kinës pak arrihet me kinezishten. Në lidhje me këtë, e njëjta mund të thuhet dhe për frizishten e holandishten.”

“Nëse e kujtojmë Frislanden e viteve ’50 (të shek. të kaluar), pothuajse gjithçka ishte akoma e përqendruar rajonalisht. Ishin kompanitë lokale të energjisë, kompanitë e ujit e të telefonisë dhe dyqanet furnizoheshin nga prodhuesit e zonës, Frislanda si provincë e kishte një ekonomi plotësisht të menaxhueshme. Praktikisht asgjë s’duhej sjellur nga vendet e tjera të botës me avionët ndotës ose me anijet plot me kontejnerë. Mirëpo, nga ana tjetër nuk ishin as dyqanet e llojit “Action”, ku sot mund t’i mbushni plast-shportat me lloj-lloj artikuj “made in China”. Gjithçka që sot e gjeni dhe e bleni “online” (nëpër dyqanet internetike) praktikisht mund t’jenë artikuj prodhuar kudo, në akëcilin skaj të botës.”

Ndërsa vetë Akademia Mbretërore e Arteve dhe Shkencave (KNAW); në parathënien e raportit të 2017, nga pres. J. van Dijck thuhet:
“Në dekadat e fundit, në shumë fusha kërkimore anglishtja është zhvilluar në një “Lingua franca”, kjo gjithashtu vlen gjithnjë e më shumë dhe për arsimin e lartë. Ky zhvillim ka avantazhe në frymën e orientimit ndërkombëtar të Hollandës, e gjithashtu duket se ka një ndikim të favorshëm në cilësinë e arsimit. Nga ana tjetër janë shfaqur trazira në sektorë të ndryshëm të arsimit të lartë rreth fenomenit të ashtuquajtur “anglishtim”: ndikimi i mprehtë në rritje i arsimit në gjuhën angleze nëpër trajnime dhe në menaxhimin e institucioneve. Janë organizuar takime brenda dhe jashtë kolegjeve e universiteteve, dhe ka patur debate të forta në politikë dhe në media. Parlamenti e ka shqyrtuar disa herë këtë çështje… Kohët e fundit, një grup veprimtarësh madje pati kërcënuar me një padi kundër të ashtuquajturit “anglishtim”. Ky debat vazhdon për vite me radhë. S’është as për t’u habitur, në thelb bëhet fjalë për vlerat e gjuhës dhe të kulturës holandeze. Ministri i Arsimit, Kulturës dhe Shkencës ka deklaruar se Holanda aktualisht është në një udhëkryq të rëndësishëm me debatin për politikën gjuhësore. Nga njëra anë, njihet rëndësia e madhe e ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë për Holandën, por nga ana tjetër nuk mohohet shqetësimi për brengat e lartpërmendura. ”

***
Zhvillimet në 10-vjeçarin e fundit sa i përket gjuhës në sektorin e arsimit të lartë dhe atij universitar holandez (kuptohet zhvillime këto për t’ngelur në “hap me hapin”, për ta ndjekur hapin e globalizmit), ndoshta duhet parë dhe si “zile alarmi” për ta ruajtur me çdo kusht Gegnishten, Toskërishten, Shqipen e vogël (në krahasim me Kinezishten e madhe, me Anglishten)… sikur dhe Frizishten e vogël.

Jo vetëm parë nga aspekti i “krenarisë”, as si shtytje parësore për ta ruajtur amzën gjuhësore (kjo dhe s’mund të tjetërsohet assesi, pasi në radhë të parë janë impulse natyrale të mbijetesës) por edhe sepse bota e globalizuar e qartë se do jetë totalisht “uniforme”, bajate… monotone!

Vallë, përndryshe what’s the point… të anglishtohet gjithçka, ku do ngelej bukuria dhe domethënia e asaj premises “dallimisht njësoj”, ku do ngeleje bukuria e laryshisë kulturore nëse të gjithë frymorët e planetit të flisnin Kinezisht? Desha ta prek dhe një shembull tjetër – vallë çfarë kuptimi na paska Konventa e Trashëgimisë Kulturore e ratifikuar nga 191 vende të botës, kur rrotull UNESCO ashtu-kështu vërtiten 197 vende (bota nuk i ka 699, as 991 shtete)?!

Kahdo të rrotullohemi e kemi fjalën për “globalizmin”. UNESCO në faqen zyrtare (e qartë, dmth. e gjithë bota, UNESCO është institucion global – 191 vende) thotë se është bërë aq shumë, se trashëgimia materiale e kulturore përbëhet nga 1121 “pika mbrojtjeje” të trashëgimisë së njerëzimit, shpërndar aneskaj globit, në 167 vende të ndryshme.
Është aq bukur nëse bëhet diç për mbrojtjen e trashëgimisë së njerëzimit. Nga këto 1121 “pika” të krenarisë, 868 janë mbrojtje të trashëgimisë kulturore, 213 aso të trashëgimisë natyrore dhe 39 aso të trashëgimisë së përzier (diç si kombinim i të dyjave).
5 vendet e botës me më shumë “mbrojtje” të trashëgimisë janë Italia (55), Kina (55), Spanja (48), Gjermania (46) dhe Franca (45).

Përveç lokacioneve hedhur në Listën e Mbrojtjes, UNESCO e mbron dhe Memorien Historike të Njerëzimit (Dokumentet), si dhe po ashtu UNESCO ka Listën e Trashëgimisë së Kulturës së Paprekshme. Derisa në listën e mbrojtjes së trashëgimisë Shqipëria deri tani i ka 4-5 lokacione të regjistruara (3 kulturore, dhe 2 natyrore), përveç këtyre Trashëgimia e Kulturës së Paprekshme e UNESCO e mbron bie fjala dhe Iso-Polifoninë Shqiptare.

Të katër rajonet e Shqipërisë së Jugut (Lalëria – Myzeqeja, Toskëria, Çamëria dhe Labëria) i kanë këngët polifonike si pjesë e kulturës së tyre. Anise një formë e ngjashme e këngëtimit polifonik është identifikuar edhe në veri të Shqipërisë – sqaron UNESCO.
Në rregull, dialekti i Labërisë është dialekti Lab, i cili është i veçantë për rajonin, apo jo. Dmth. e natyrshme që Labët polifoninë e tyre do ta ushtrojnë “labërisht”, ata s’do këndojnë as Kinezisht as Anglisht nëpër festivalet e traditës polifonike, që nga 1968-a.

Po ashtu dihet që muzika, qoftë e Shqipërisë apo e kujtdo vend, është pjesë integrale e identitetit kombëtar, njësoj siç është dhe gjuha, siç janë dhe dialektet. Nëse muzika është, vallë “gegnishtja” si dialekt amësor nuk qenka “pasuri kulturore” e popullit shqiptar, pjesë integrale e identitetit kombëtar, po aq sa polifonia muzikore? Vallë çfarë kuptimi do kishte Iso-Polifonia nëse Labët t’ia krisnin Kinezisht me këngët e tyre, aneskaj festivaleve të Kuqe të Kinës? Jo pra, labët e dinë se polifonia e tyre ka kuptim vetëm si pjesë integrale e Identitetit shqiptar, asesi e identitetit kinez. Ruajtja e gjërave të zgjedhura dhe unikale të popujve ka kuptim për “globalizmin”, ama ruajtja e tërësisë kulturore të popujve ka “kuptim” për vetë popujt.

Natyrisht që UNESCO s’mund t’i ketë të gjitha “pjesët integrale kulturore” të një populli të mbrojtura nëpër Listat e veta, atëherë ato e ka për detyrë t’i mbrojë, t’i ruajë e t’i kultivojë vetë populli. Toskët do ta ruajnë Toskërishten, Labët do ta ruajnë Labërishten, banorët e Frislandës do ta ruajnë gjuhën amtare… do insistojnë “Frysk”, do provojnë t’i bëjnë ballë sa Holandishtes po aq dhe Kinezishtes e Anglishtes… E edhe Gegët e kanë borxh e detyrim të kujdesen për Gegnishten.

Pasi skema “globalistike” e UNESCO për fat të keq thjesht s’mund t’i ketë të gjitha “pjesët integrale kulturore” të popujve nëpër listat e veta. Nëse diç nuk figuron në listën e UNESCO s’do t’thotë se ajo diç duhet lënë pas dore a nëpërkëmbur. Gegnishtja është gjysma e gjuhës së kombit. Dialektet Shqipërisë s’hyjnë në kriteret e UNESCO, s’hyn as krenaria “Frysk” e Frislandës, e qartë! Por kjo s’do të thotë se Toskërishtja e Gegnishtja nuk qenkan “integralitet”, pjesë integrale të identitetit shqiptar. Nëse Gjëma (Gjama, Vajtimi) i malsorëve ende s’qenka në Listën e Kulturës së Paprekshme të UNESCO, fare lehtë nesër mund t’jetë… njësoj si Iso-Polifonia.
Deri atëherë, për gjithçka të Identitetit të shqiptarëve e kanë borxh të kujdesen vetë shqiptarët.

Referencat:
– Nederlands en/of Engels? – Taalkeuze met beleid in het Nederlands Hoger Onderwijs – KNAW, 2017
– “Nederlands, tenzij…” – Tweetaligheid in de geestes- en de gedrags- en maatschappijwetenschappen, 2003
– Zijn het Nederlands en Fries nog te ‘saven’? – 2018/01/20 – http://www.fryslan1.frl/
– UNESCO…