Francesca Abbate – Ditë pazakonshëm e ngrohtë e Marsit…

Francesca Abbate

DITË PAZAKONSHËM E NGROHTË
E MARSIT DUKE I SJELLUR STUHITË
Francesca Abbate [ ShBA ]

Gjithçka gjysmake këtu,
si koka e mermertë
e perandorit romak, dhe
torzoja shtrembër
e të preferuarës së tij.
Mënyra se si hinkë-reja
duket nuk e prek tokën,
e prek – i rrotullon disa
makina, një traktor –
mësojmë ecjen me milje
mbi trupat tanë. Fermat
e derrave shpërbëhen,
pastaj kodrinat. Si në
ëndrrat e rënduara
me gjestikulime të
pakthyeshme, bota
e rrënuar duket më
e madhe, një pallat
gjysmëdjegur mespërmes
tunelesh të shikimit.
Sa mirë e mbajmë mend
skenën – aktorë tek shkasin
me ndodhinë si velash
të vogla, parmakë duke
i ftohur pëllëmbët tona.
Jo flatra as këngëtim, por
errësirë e shpejtë si gjaku.
Mbaroi në majëgishtat tanë:
gardhishta i hapi rrugë pyllit.
Bota filloi.

– – –
© F. Abbate – Burimi: revista “Poetry”, Mars 2002, Poetry Foundation, USA
© për përkthimin: S. Guraziu, Ars Poetica, 2020

– – –

* “hinkë-reja” e qiellit – nëse t’mos i takoja së sotmes, vetëm njëmijë vjet mbrapa dhe s’do dija si t’i “kuptoj” tornadot, kurrë s’i kam parë realisht ato vorbullat e tmerrshme, ngrysjen… zezonen e reve kumuloze, rrymat e ajrit e presionin, fuqinë marramendëse tek vërtiten a rrotullohen (nëpër filma shohim si vorbulla i bartë lokomotivat, shtëpitë, makinat… kulmet e fabrikave, lisat, bagëtinë, gjithçka), për mua tornadot sikur janë diç jashtëzakonisht “surreale”, sikur të tilla gjëra i “takojnë” ndonjë bote tjetër, ndonjë planeti të fantazive… assesi botës sonë, sipas meje janë “gabimisht” pjesë e realitetit tonë, diç ngjashëm sikur në vend të shiut normal ta kishim shiun acidik të Venerës, apo në vend të liqeneve me ujë normal t’i kishim liqenet metan-ike të Titanit 🙂

…nëse t’i imagjinonim dhjetra-mijëra vitet e së kaluarës, panumër mileniume të para-njeriut, pastaj të njeriut i cili s’mund të “ngjitej” më lart sesa bjeshkët, i cili s’mund të ngjitej me balonat në stratosferë dhe apo nga sateliti t’i hedhte në “kartë” gjithë sferat e atmo-konditat, aq e lehtë të kuptohen panumër “produkte” të imagjinatës, siç e dimë mbamendja e njerëzimit është e ngulfatur nga mitet e bestytnitë, pemën e sotme botërore të religjionit dhe degët e saj i rëndojnë me mijëra besime, fe, bestytni e paragjykime, aq e lehtë të kuptohet se gjatë mijëvjeçarëve të ekzistencës për njeriun rrufetë ishin “mllef” i Zeusit, apo i ndonjë hyjnie ekuivalente – qëkur nga pozita e tyre sinqerisht as vetë s’do dija si t’i “kuptoj” tornadot, veç e thashë… vetëm njëmijë vjet mbrapa mbase do besoja në Zeusin njësoj siç besoj sot në shkencën…

…madje dhe vetë meme-tipologjia moderne është dëshmi e pafajësisë së njeriut paganistik, “memet” janë pjesëza memoriale, pjesëza të mbamendjes kolektive, frikërat e mijëvjeçarëve janë “stampuar” në gjenet tona evolutive, psh. falë memeve industria e Hollivudit i vërtitë me miliarda verdhushka, vit për vit na i shet lloj-lloj përrallash ultra-moderne rreth vjetërsirave “paganistike”, rreth lashtësive e mitologjikave, bie fjala lloj-lloj perëndi të mitologjisë nordike, lloj-lloj Thor-ash defilojnë me çekanin fluturues, panumër heronj të imagjinatës na zbavitin, na argëtojnë sepse si kolektivitet i “njohim” gjurmët e memories, frikërat e neandertalëve të largët padyshim janë “meme” të mbamendjes kolektiviste, përndryshe përrallat nga furrat e tyre si “Lord of the Rings”, “Game of Thrones”, “Harry Potter”… dhe panumër të ngjashme s’do shiteshin si hallvaja e ëmbëlsirat, se na intrigojnë storiet e llojit “Titanik” okidoki… miliardat e Hollivudit dhe justifikohen (tekefundit ishin tragjedi reale, ishin njëmendësi, ishin fatkeqësi ujore… tokësore, dmth. përjetime reale të njerzëve të Tokës, jo trillime për gjelbrushët e Marsit, ujdisi lloj-lloj romancash imagjinare për të fundosurit prapë do kishte kuptim) ama si të sqarohen vallë miliardat magjikë të “Harry Potter”, të “çekanit fluturues” e të ngjashme 🙂
(sguraziu – ap, mars 2020)