Arti dhe Efektet Anësore!

SG – Ars Poetica, 2015 (materie reale, me nga ndonjë kokërr gazmore aty-këtu, duke “këshilluar” tim bir : )

(…Arti shpesh shkakton një lloj efekti të Dunning-Kruger. Ndoshta arti i kundërvihet Rusellit gjithashtu, filozofisë së tij. Mbase kjo është arsyeja që sot kemi një botë përplot me budallenj të cilët posedojnë vetëbesim të jashtëzakonshëm, ndërsa ata të zgjuarit, kokat gjeniale përherë pllakosur nga heshtja, gjithmonë duke dyshuar… …)

Ilustrimi: vepër e artistit kontemporan, Anish Kapoor – “When I am Pregnant“, 1992

Arti ekziston, është këtu ku është për të qenë i “liruar” nga çdo gjë tjetër, për të qenë i lirë madje dhe nga vetvetja. Mos harro, në art ka parime, të tilla si: “arti është krijim, jo shkatërrim”, arti ka dhe “rregulla të arta”, të tilla si: “kurrë kundër jetës”, sepse do t’ishte në kundërshti me “krijimin” (e që pra është arti si i tillë, “krijim”).

Nuk duhet t’i injorosh disa “rregulla të arta”, disa principe bazike. Me dizajnimin dhe me projektimin e armëve nuk besoj se do t’jesh ndonjë artist. Kjo të bën diç… çfarë ti thjesht dëshiron të jesh, por jo më shumë e as më pak. Asnjë artist i vërtetë nuk do të “përhapte” ide që kanë t’bëjnë me armët e me shkatërrimin, në asnjë mënyrë, kurrë. Artistët janë të “zënë” me jetën, me krijimin, me avancimin e jetës… jo me të kundërtën.

Por sigurisht që arti është i lidhur me shkencën, me fizikën, me teknologjinë dhe me çdo gjë… arti madje është i lidhur dhe me ekonominë (kujto muzën Emporia 🙂 Ndoshta kjo është arsyeja se përse s’ka asgjë të keqe nëse filozofohet për artin, siç filozofohet dhe për çdo gjë tjetër. Kjo është arsyeja se përse dhe ti filozofon sot, dhe nuk pajtohesh bash 100% me disa vërejtje të mia – ndonjëherë do t’jesh i gabuar, ndonjëherë mjaft afër, ndonjëherë do t’ia huqësh totalisht pikës… Arti sugjeron, por dhe ti do t’jesh i lirë për të menduar e për të shkruar gjithçka sipas mënyrës që ty të pëlqen, përgjatë gjithë jetës tënde. Kurrë nuk do t’jetë gjithçka e përfshirë në “ndonjë kuti”, kurrë nuk do t’jetë ndonjë “definendum absolut”.

Dhe vetë da Vinçi i madh, si artist, si filozof e si teknolog kishte “vështirësi”, edhe ai projektonte dhe shpikte armë nga më të tmerrshmet, edhe ai lajthitej, filozofisht e shkencërisht, në Codex Leicester, ndër të tjera ai pati shkruar diç si vijon: “sipërfaqja e Hënës është e mbushur me ujë, kjo është arsyeja që rrezet e diellit reflektohen…”, sipas tij ishte shkencë fort e saktë 🙂

Kështu që, po, arti është magjepsës, mos harro, shpesh dhe shkakton një lloj efekti të Dunning-Kruger. Ndoshta arti i kundërvihet Rusellit gjithashtu, filozofisë së tij. Mbase kjo është arsyeja që sot kemi një botë përplot me budallenj të cilët posedojnë vetëbesim të jashtëzakonshëm, ndërsa ata të zgjuarit, kokat gjeniale përherë pllakosur nga heshtja, gjithmonë duke dyshuar…