Përtej Pragut të Dhimbjes

SG, 2003

(gjithkush ka kohën e vet të gurtë a të akullt)

Unë ha me një lugë të gurtë
dhe pushoj në një shtrat të gurtë
pse jo, që tani madje
dhe arkivolin e dua të gurtë
si princeps senatus
nuk kushton më shumë se jeta
por kjo nuk më thotë asgjë
edhe – njeriu më i fortë se guri
edhe – guri më i fortë se njeriu
më lënë të ftohtë.

Zemër anemike, spazmosur
mos më tradhto dhe ti
së paku jo ti tani, nuk është koha
më mbaj në këtë gëzhojë të gurtë
tempull – pontifex maximus
ngrohur me buzëqeshjen
ma fal ngapak kuptim e mirësi
tinëz botës së çoroditur
të mbijetoj i fortë, denjësisht
siç ia bëjnë gurët.

Hm… sa bukur tingëlluaka,
paleolitika e qenies,
neolitika e hershme e zemrës,
“epoka e gurit” të gurëve,
herëdokur, nëse koha ime të jetë
të ik përtej pragut të dhimbjes
i gjithi prej guri, mbyllur në gur
si një gur që buzëqeshë.