Hedonizmi dhe Ekzistencializmi (filo-grafika)

[ hedonizmi ] – pozicionimi etik ose moral se kënaqësia është qëllimi kryesor (i jetës) dhe e mira më e madhe (më e ëmbël), andaj duhet t’jetë diç si boshti (aksio-logjik) rreth të cilit vërtiten të gjitha vendimmarrjet tona
(më vajti buza në gaz me ngjyrën “rozë” që dizajneri ka zgjedhur për grafikën rreth hedonizmit 🙂

[ filo-grafikat ] – në faqen e mirënjohur nga dizajnerët aneskaj botës, Behance, e cila tashmë ka vite operon nën ombrellën e gjigantit Adobe, në v. 2011 nga Studio Carreras (Barcelonë, Spanjë) qenka publikuar një seri grafikash të ashtuquajtura “philographics” (dmth. filo-grafika, grafika filozofike), shpjegohej aty se fjala është për një seri grafikash me ca figura të thjeshta dhe me sqarimet shkurt të fjalëve (ideve) të mëdha filozofike – në rregull, unë vetë s’e kisha hasur këtë term “philographics” më parë, natyrisht s’kam patur faj, pasi është fjalëformim sipas metodes “porte-manteau” i vetë dizajnerit Genis Carreras (atëbotë në “kickstarter” ideja e tij i paskesh grumbulluar mbi 70.000 Euro – në atë faqe vizitorët, kryesisht artistë, japin donacione vullnetarisht si financim-mbështetje të një projekti të caktuar, apo të një ideje për një projekt të caktuar që ia vlen)

* në linguistikë me shprehjen “porte-manteau” nënkuptohet dyzimi ose shkrirja e pjesëve të dy fjalëve për ta krijuar një term të ri, nëse të thosha “filo-grafikë” (ngjashëm si me termin “info-grafikë”) do t’thotë se kam përdorur dy morfema, pra siç ka bërë dhe dizajneri Carreras me fjalën filozofi + grafikë

[ ekzistencializmi ] – individi është vetë përgjegjës që jetës së vet t’i jep kuptim, dhe t’jetojë vërtetësisht e me pasion (100% i sinqertë, pa hile dmth), duke u ballafaquar me kushtet ose konditat e veta, me emocionet, me veprimet, me përgjegjësitë si dhe me mendimet
(e saktë dhe e qartë kristal, filozofizmi i sqaron gjërat bukur, apo jo 🙂