Kriptomnezia – Plagjiatura e Paqëllimshme e Krijuesve!

S. Guraziu – Ars Poetica, Dhjetor 2019

( …idetë e krijuesve është supozuar të lindin në kokat e tyre si ide origjinale, të jenë impulse të kreativitetit kozmik, assesi “huazime”, kopjime, plagjiatura e të ngjashme… muzat nuk i frymëzojnë krijuesit me ide “fals”, me ide të huazuara e me plagjiaturash të (pa)vetëdijshme… )
***
Sot është mjaft e vështirë t’jesh 100% autentik, i pandikuar, i painfluencuar, 100% origjinal, gjithsesi diç mjaft e “rrezikshme” ose e dëmshme për integritetin intelektual të krijuesve padyshim është kur ata t’mos jenë të vetëdijshëm se mendimet e tyre në fakt s’janë mendime origjinale, ose ide të lindura në kokën e tyre.
Në botën e qytetëruar madje dhe “huazimi” i një shakaje “nonsens”, i një batute a barcolete kot, shkruar nga një person tjetër, dhe përdorur si e “jotja” pa pëlqimin e autorit (pa e kredituar) është një formë e plagjiaturës dhe, në disa raste (dmth. ka raste kur) mund t’jetë shkelje e të drejtave autoriale.
Thuhet se lexuesit e dramës (poetike) “Manfred” të Bajronit, dikur mund t’kenë ngelur të hutuar nga ngjashmëria me “Faust-in” e Gëtes. Meqe ngjante sikur Bajroni ta kishte lexuar përkthimin e “Faust-it”, dhe ne rregull… ishte frymëzuar, pastaj kishte “huazuar”, “adaptuar” ide etj. Natyrisht, edhe Gëteja do jetë “çuditur”, në një shkrim në v. 1820 e paska shprehur indinjatën e vet rreth zotësisë prej kopjaci të Bajronit:
“Tragjedia ‘Manfred’ e Bajronit ishte për mua një fenomen i mrekullueshëm, dhe m’ka prekur nga afër. Ky poet intelektual dora vetë e ka përvetësuar Faust-in tim, dhe ka nxjerrë prej aty ushqimin më të çuditshëm për humorin e vet hipokondriak. Ai i ka përdorur parimet kryesore (të Faust-it) në mënyrën e vet, për qëllimet e veta, në mënyrë që asgjë prej tyre t’mos ngelej e njëjta gjë; dhe është veçanërisht kjo për çfarë s’mund ta admiroj mjaftueshëm gjenialitetin e tij” – qenka shprehur Gëte.
Bajroni, me gjasë, në njëfarë mënyre pati qenë mirënjohës për komplimentin e Gëtes rreth “zotësisë” së tij autoriale. Meqë e kishte “ndërgjegjen” kristal, Bajroni kurrë s’e pati pranuar ta kishte lexuar Faust-in – dmth. e kundërshtonte çfarëdolloj influence “faustiane”, as që bëhej fjalë.
Sidoqoftë, psh. Niçe s’e vriste kokën nëse Manfred-i i Bajronit i ngjante Faust-it të Gëtes, në fakt qe frymëzuar nga drama e Bajronit (nga përshkrimi i qenies “mbinjerëzore”) për ta hartuar një melodi pianistike në v. 1872 (me titull “Meditimi i Manfredit”). Ky frymëzim i tij ishte aso i “vetëdijshëm”, ama mustakologut Niçe do i kthehemi pak më poshtë, pasi mustakologëve mund t’u ndodhin dhe frymëzime të pavetëdijshme : )
***
Sipas R. T. Carroll, kriptomnezia do duhej kuptuar si “memorie e fshehur”. Termi “kriptomnezia” qe krijuar nga profesori i psikologjisë Th. Flournoy (1854-1921) dhe sot përdoret për t’shpjeguar origjinën e ideve për të cilat autorët besojnë se janë origjinale, por që realisht bazohen në kujtimet ose në përvojat, në ngjarjet që ata i kanë harruar. “Duket sikur shumica e të ashtuquajturave regresione të jetës së kaluar, shkaktuar nga hipnoza, janë konfuzione të ushqyera nga kriptomnezia” – thotë Carroll.
Shembulli i parë i regjistruar i kriptomnezisë paska ndodhur në v. 1874, një medium gjatë “trans-seancës” së vet paskësh pretenduar se ishte në kontakt me shpirtrat e dy vëllezërve (që kishin vdekur kohët e fundit në Indi). Vdekjet qenkan verifikuar atëbotë, fjalët e mediumit paskan rezultuar të sakta, mirëpo “hulumtimet e mëtutjeshme” paskan sjellur në pah se në fakt një nekrologji për vëllezërit qenkësh publikuar në gazetë, gjashtë ditë para seancës së tij.
Nëse të flisnim për religjionin, fare e lehtë… pasi fjala do ishte për “besimin” (besim jokushtimisht). Do flisnim për kontaktin me hyjnoren (zakonisht të profetëve) dhe pastaj kemi zbulimin e ndonjë forme të së vërtetës. E kemi përshfaqjen e njohurive përmes komunikimit me hyjnoren, apo me ndonjë entitet të mbinatyrshëm (me engjëjt psh. etj). Edhe pas mijëra vitesh ne thjesht iu besojmë profetëve (se ata flisnin me Zotin), qëkur të përzgjedhur nga vetë perëndia. Pra në rastin e besimit për çështjet hyjnore, e lehtë.
Ama një medium i cili ka aftësi të flet me “shpirtrat”, qoftë në Indi a në Tasmani, afërmendsh se kjo është fare diç tjetër. E qartë, mediumi mund t’ketë llogaritur se jo gjithë njerëzia do jenë marrë me nekrologjitë e gazetave. Përndryshe s’pi ujë që ai t’harronte vetëm pas një jave : )
Prandaj dhe konsiderohet se kriptomnezia nuk është plagjiaturë e qëllimshme, por ama nuk është as rastësi totalisht e pafajshme.
E përmenda rrëshqitazi “hyjnoren”, meqë për çështjet e mëdha të religjionit, siç e thamë fryma hyjnore i frymëzonte profetët, perëndia i zgjedhte ata… dhe pastaj ata shërbenin si “intermedietra” (mes vullnetit hyjor dhe njerëzimit).
Për çështjet e artit rishtas është supozuar që hyjnorja (nëpërmjet muzave) i mbjell idetë gjeniale në kokat e sa e sa poetëve, shkrimtarëve, muzikantëve, piktorëve etj. etj. Idetë e krijuesve është supozuar të lindin në kokat e tyre si ide origjinale, të jenë impulse të kreativitetit kozmik, assesi “huazime”, kopjime, plagjiatura e të ngjashme…
Sipas mitologjisë ishin (dhe ende janë) muzat ato që i frymëzojnë të gjitha format e artit dhe të shkencës. Grekët e vjetër besonin se idetë e frymëzimet i sillnin muzat nga qielli. Ato u pëshpërisnin në vesh artistëve, poetëve, të cilët dmth. me anë të frymëzimit hyjnor, i realizonin “idetë qiellore” këtu poshtë… në botën tonë, tokësore.
E tashmë, nëse muzat janë vetëm diç si funksione neurokimike në trurin tonë, as që duhet të brengosemi… S’duhet mërzitur se ç’thonë shkencat ekzakte për mitet e për lashtësinë, pse t’ia prishim bukurinë vetë imagjinatës : ) Ama e qartë se muzat nuk i frymëzojnë krijuesit me ide “fals”, me ide të huazuara e me plagjiaturash të (pa)vetëdijshme, assesi.
Në kuptimin si “memorie e fshehur”, kriptomnezia ndodhë kur një diç e përjetuar (psh. diç e lexuar dikur, dhe tashmë e harruar) kthehet në mbamendje (pa u njohur tashmë si “përjetim i dikurshëm”). Personi beson se është diç e re dhe origjinale, e gjeneruar nga mendja, nga gjenialiteti (origjinal).
Me fjalë të tjera i bie se kriptomnezia është diç si “lajthitje” e kujtesës. Për shkrimtarët e poetët (ose në përgjithësi për të gjithë krijuesit) pra diç mjaft e pakëndshme. Krijuesi mund t’pandeh se fjala është për një mendim origjinal, ide, melodi etj., ai as që e ka idenë se në fakt mendimet e tij përbëjnë një lloj plagjiature të paqëllimshme. Në rastin e një shkrimtari dmth. ai e hedh një diç në letër, shkruan duke e përjetuar si frymëzim të ri. Ndër rastet e figurave të mirënjohura që përmenden si shembuj për “lajthitje të kujtesës” janë Niçe, Bajroni, Umberto Eco etj.
Sipas F. Oppel, psikiatri dhe psiko-analisti zviceran Carl Jung (themeluesi i Psikologjisë Analitike) besonte se Niçe vuante nga “kriptomnezia”. Vepra e fundit e Jung ishte “Njeriu dhe simbolet e tij”, shkruar pak para vdekjes, botuar në v. 1964 – aty Jung sqaronte se libri i Niçes përfshinte pothuaj fjalë për fjalë diç identike me një libër të botuar rreth v.1835, gjysmë shekulli para se Niçe të merrej me “…Zarathustra”.

Në librin e Niçes ai i pati njohur ca detaje të rrëfimit për detarët tek ndalen në ishull të gjuajnë lepuj, pasi diç të ngjashme Jung e kishte lexuar dikur në bibliotekën e gjyshit të vet. Jung do t’i shkruante motrës së Niçe, znj. Elisabeth Forster-Nietzsche, e cila do t’konfirmonte që Niçe e kishte lexuar librin në fjalë, kur ishte 11 vjeç“. [ Frances Oppel – “Nietzsche On Gender”, University of Virginia Press, 2005 ]

[ fotoja: Carl Jung, në studion e vet ]