Pse-ja e Mosikjes nga Vendlindja (Koment)

(sguraziu – ap, nentor 2019 – koment)

(…që nga “pavarësia” e deri para 2-3 viteve kontributi i diasporës kosovare me verdhushka ishte baraz me buxhetin vjetor të “gjithë” Kosovës si shtet – sa e sa gjenerata EU-kosovare, sa e sa gastarbajter-ë të Gjermanisë, të Zvicrës, Austrisë etj. kurrë s’janë kënaqur, i patën sakrifikuar me ëndrra e me gjithçka, vetëm e vetëm që Kosova ta shihte pakëz dritë…)

Gjithmonë kam pandehur se “pse-ja” e mosikjes nga vendlindja as që duhet shpjeguar me “lista arsyesh”, përherë jam nisur nga fakti që “mosikja” nënkuptohet vetvetiu. Dhe, sa i përket kësaj, akoma mendoj njësoj. Rendjen kah Perëndimi, pas mirëqenies ekonomike e pas ëndrrave (që njeriut i imponohet) gjithmonë e kam parë si një alternativë “fatkeqe”.

Shqipëria dikur s’ishte e “hapur”, Kosova sado-kudo e kishte një lloj “lirie” për të lëvizur. Zvicra e Gjermania kishin nevojë të madhe për fuqinë punëtore, lidhnin kontrata me ish-Jugosllavinë (dhe me mjaft shtete tjera, si psh. Turqi, Spanjë, Marok etj). Kosova ishte njëra nga Provincat Autonome… si pjesë administrative e Serbisë, rajoni më i prapangelur i YU-federatës. Nëse ekonomia e Serbisë i kullufiste përqindjet e kasës federale (që i takonin për zhvillim e investime), për ekonominë kosovare Serbia i ndante vetëm ca thërmia, për Kosovën gjërat lëviznin tepër ngadalë, si “kërmilli në kripë”. Beogradi qe bërë diç si metropol marramendës, sikur do ia kalonte dhe vetë Nju Jorkut (çështja e “eksploatimit”… thëniet e tilla si “Trepça punon, Beogradi ndërton” – ishte vetëm 1-ri segment i hileve serbe).

Sot, nëse e sotmja të krahasohej me kushtet e Kosovës së dikurshme, të nisesh tani kah Perëndimi (qoftë nga Kosova o nga Shqipëria), të gjesh punë përkohësisht, apo dhe të emigrosh… në kërkim të një jete më të bukur, është fare diç tjetër. Në kohën e ish-Jugosllavisë, të bëheshe “gastarbaiter” për kosovarët e varfër në fakt nënkuptonte të “sakrifikoje” për familjen (si sistem patriarkal – pasi ashtu funksiononte “ekonomia” rurale kosovare). Atëbotë ata që merrnin rrugën e gurbetit duhej t’mos “jetonin a të kënaqeshin” vetë, djersa e tyre duhej t’i dedikohej 100% mirëqenies kolektive familjare. “Gastarbaiter-ët” duhej të sakrifikonin gjithçka, mundin e ëndrrat, familja në Kosovë ishte “parësorja” e planit afatgjatë. Kolektivizmi familjar, mirëqenia fraternale kolektive (parë nga “përspektiva” patriarkaliste), pastaj ëndrrat e atyre vetë (si individë) mund t’ishin diç “sekondare”, apo dhe pa vlerë fare.

Tërë ditën nëpër kantiere ndërtimi, nëpër fushat, ndoshta nëpër fermat, 10, 12 orë… në mbrëmje pak darkë të varfër (bukë e jogurt) dhe në gjumë të rraskapitur. Të nesërmen e gjithë rutina do fillonte rishtas nga e para. Ashtu gjithë vitin, çdo cent duhej ta kursenin në mënyrë që të bëhej diç atje në Kosovë; o duhej martuar vëllai i vogël, o duhej larë borxhi për zabelin e blerë (plaku-xhufurraku pati vendosur ashtu, zabeli ishte “plan strategjik” në kokën e tij, e kryer tashmë, as që do diskutohej ekspertiza autoritare e tij, ndonjëherë mund t’ishte largpamësia e vëllait të madh, e më të madhit – të cilëve zakonisht u imponohej njëfarëlloj jete “parazitare”, s’bënin gjë… meqë shumë të zënë tek merreshin me çështjet administrative, u kishte dhe hije të mburreshin ngapak odave e dyqaneve të katundit, ashtu-kështu duhej t’ishin “truri” kyç për financat dhe ekonomikat e familjes), o duhej ndërtuar shtëpia, o duhej mbaruar “muri kinez” i oborrit, o duhej investuar për rimorkion, për hambarin, për traktorin etj etj. Aspiratat e ekonomisë patriarkale-fraternale ishin të pashterrshme, nevojat thjesht s’kishin fund, dhe ashtu 10-20-30-40 vite, deri në pension, pa “jetuar” vetë as pa u kënaqur kurrë mirëfilli.

S’është se kosovarët janë “mosmirënjohës”, por krijohet përshtypja sikur “harrojnë” nganjëherë. Jo pra, s’duhet harruar, sepse do hyhej në hak të shumë shpirtrave të përvuajtur të “Evropës”. Sot pothuaj 10% e popullsisë kosovare janë në Zvicër. Sa e sa gjenerata EU-kosovare, sa e sa gastarbajter-ë të Gjermanisë, të Zvicrës, Austrisë etj. kurrë s’janë kënaqur, i patën sakrifikuar me ëndrra e me gjithçka, vetëm e vetëm që Kosova ta shihte pakëz dritë, ta kishte ndonjë buzëqeshje, një grimë lumturi! Madje dhe sot e kësaj dite, kontributi i diasporës për ekonominë kosovare është një qyp me mjaltë, do ishte “turp” dhe për vetë Qeverinë ta mohonte. Që nga “pavarësia” e deri para 2-3 viteve… kontributi i diasporës me verdhushka ishte baraz me buxhetin vjetor të “gjithë” Kosovës si shtet.