Autobahn – Autostradat Gjermane… të Shekullit të Kaluar!

S. Guraziu – Ars Poetica, D 2014 (Deutsche Autobahn, 1930-1943, koment)

(…disa politikanë përhumben dhe fluturojnë në qiellin e ambicjeve “historike”, dhe apo / ndoshta të idealeve personale megalomane, krijohet përshtypja sikur populli duhet t’jetë në “shërbim” të tyre që ata si politikanë të ngelin të pavdekshëm në “histori”…)

Autostrada e parë gjermane qe përfunduar në vitin 1932 mes Këlnit dhe Bonit. Edhe pse ideja për “autobahn” qe konceptuar në fund të viteve ’20 (dmth. të fillimshekullit XX, gjatë Republikës Weimar), ndërtimi pati vajtur ngadalë, për arsye të problemeve ekonomike dhe të mungesës së mbështetjes politike.

Menjëherë pas ardhjes së nazistëve në pushtet, në vitin 1933, thuhet se Hitleri e pati përkrahur projektin ambicioz “Autobahn”. Nga njohësit e këtyre çështjeve të historisë thuhet se autostradat nuk qenë menduar si infrastrukturë ushtarake, siç shpesh deklarohet, sepse të gjitha transportet e mëdha ushtarake në Gjermani qenkan bërë përmes hekurudhës (për të kursyer karburantet). Sidoqoftë, nga 1933 e deri në vitin 1941 kryq e tërthuer Gjermanisë qenkan ndërtuar rreth 3800 km autostrada.

Nga ana tjetër, e qartë që gjithçka përdorej për qëllimet politike, njëjtë siç bëhet dhe sot e kësaj dite. Sipas infove, Ministria Gjermane e Propagandës e pati kthyer “Autobahn” në bujë aq të madhe mediatike, dhe pati tërhequr vëmendjen gjithandej nëpër botë. (Video që po bashkëngjes këtu thuhet se është e vitit 1936, dhe padyshim ishte një lloj “klipi reklamatik” për qëllimet propagandistike të kohës).

 

Por vallë, nëse duhet paralelizuar dhe nëse duhen shembuj, pse të shkohet më larg, a nuk e bëri të njëjtën bujë dhe Berisha për secilën pëllëmbë asfalt (paçka se pothuaj 100 vjet pas Fyrerit : ) ? Pati bërë aq shumë bujë sa që, imagjino, madje dhe mua, edhe pse 2000 km larg Shqipërisë “buja” e tij politike më pati rënë në veshë dhe, pse të gënjej, qe bërë aq bajate.

Pastaj se mos ai sivëllai, “homologu” i tij kosovar, Thaçi… pati lënë gjë mangut nga Berisha?! Asfare, madje kam përshtypjen, Thaçi nuk pushon as sot e kësaj dite me kacagjelosjet e me mburrjet politike lidhur me “kosovarische autobahn”.
Për Berishën s’jam aq i sigurt (sepse Shqipëria ka tashmë 100 e kusur vjet si shtet, për shumë gjëra Shqipërisë dhe i ka hije 🙂 por mendoj se Thaçi duhej ta kishte parë këtë video përpara se të mburrej për autostradën e vet. Jo se ai në shkollë pati mësuar për t’u bërë historian, dhe se nga video 100-vjeçare do nxirte ndonjë leksion, por për ta “këndellur” veten se 100 vjet pas mrekullisë “autobahn” ndoshta nuk “shitet” në historinë kosovare (në atë shqiptare hiç se hiç) të mburresh aq shumë… ! Gjithë atë poterë me tupanash e surlash reklamatike! Ehuuuu thua se autostradën e pati ndërtuar me paratë nga xhepi i vet, thua se pati “harruar” që autostradat ndërtohen me paratë e popullit.

Mirëpo eh, ç’të bëhet, si duket gjithë politikanët “harruakan”, kështu ishte para 100 viteve dhe për fat të keq akoma s’ka ndryshuar gjë. Disa politikanë përhumben dhe fluturojnë në qiellin e ambicjeve “historike”, dhe apo / ndoshta të idealeve personale megalomane, krijohet përshtypja sikur populli duhet t’jetë në “shërbim” të tyre që ata si politikanë të ngelin të pavdekshëm në “histori”. Ka ngapak dallim dhe mes politikanëve, kuptohet. Bie fjala Berisha nuk e pati fshehur, ai e pati thënë troç e shqip se frymëzimi i tij vjen nga dëshira që t’jetë historikisht i pavdekshëm : ) Dhe s’bëj shaka, e kam dëgjuar me vetë veshët e mi, të cilëve iu besoj shumë… sepse deri sot kurrë s’më kanë gënjyer. Rishtas pra e qartë që nuk jam asfare i shurdhër, s’ka njeriu si t’jetë dhe po të donte. Cilido vesh i taposur i Evropës qe hapur nga buja dhe euforia ballkanike e “autostradave moderne”. Natyrisht, pa qenë as unë “përjashtim”, pse kush na qenkam unë që të mbetesha i shurdhër!

– – – [ kishte ca komente dikur, në v. 2014… dhe në kontekst të komenteve, si përgjigje pata shtuar si vijon ] – – –

Natyrisht, nuk duhet “nënvlerësuar” kualiteti i punës gjermane (as atëherë por as sot e kësaj dite), për Shqipërinë është arritje e madhe që ta ndërtonte dhe 1 autostradë të vetme (dmth. për “sherr të historisë”, për shkak te izolimit e ngecjes ekonomike. Lidhur me projektin e autoudhës në Shqipëri vërtet gjithçka ishte strikt e akorduar me buxhetin, mendoj – nuk duhet ankuar për aspektin e cilësisë. Kur është fjala për projekte të medha (qofshin dhe infrastrukturore) “kohet e dekadat janë të lidhura”, nëse të mendonim se “stagnimi” i Shqipërisë per 50 vite s’luan ndonjë rol, dhe se Shqipëria për 2 dekada nga “zero” e fuqisë ekonomike, pa “themel” të mirëfilltë ekonomik të shtyhet me “lokomotiven” ekonomike të Evropes… atëherë s’ia vlen, do ngeleshim të pikëlluar. Nëse themi se në vend të 150 km t’ishin bërë 80 km autostradë, atëherë padyshim do ishte më kualitative… kjo qëndron. Mirëpo prapë, bie fjala deri në Fier qe kryer pastaj duhej nëpër gropa e nëpër një magjistrale “mozomokeq” deri në Vlorë, afërmendsh edhe ky kontrast aspak i këndshëm!

Një shekull më parë, në atë kohë askush s’i kishte autostradat ashtu të avancuara, askush s’mund të shtyhej me gjermanët, as vetë Amerika. Psh. në vitin 1932 kur qe inauguruar seksioni i parë, ishte distancë prej vetëm pak më shumë se 30 km (autostradë që lidhte Këlnin dhe Bonin), por ishte teknologjia më e avancuar e botës, dhe në kohëlinjën e historisë konsiderohet si super-autostrada e parë e botës. Deri në fund të dekadës (1940) autostradat (ose projekti “Autobahn”) i patën kaluar 3.000 kilometra gjatësi, dhe tek atëherë e frymëzuan inxhinierinë civile në ShBA që dhe ata t’i përvilnin “mëngët” për ndërtimin e një rrjeti të ngjashëm.
Sot rrjeti i super-autostradave gjermane mbulon më shumë se 11.000 km, dmth. mund të kalohet oqeani – dhe vetëm autostradat e Gjermanisë të “shtriheshin”… do ia bënim fijuuuu nga Evropa në Amerikë.