Kepler i ringjallur, dhe numrat magjikë të Universit!

(S. Guraziu – Ars Poetica, D 2014 – Koment)

(…pa lëvizur “vendit” mund të udhëtojë ndoshta Dalai Lama në seancat e veta spirituale, por jo dhe shkenca – nganjëherë sikur më gudulisë dëshira që gjithë atë pafundësi faqesh “shkencore” të shkencëtarëve ta thuktoj në 1 artikull të vetëm. Kuptohet, kjo s’do t’thotë që unë s’i kuptoj shkencëtarët, i kuptoj ata fort mirë, aq mirë sa që nganjëherë sikur ndiej një lloj “keqardhjeje” për ta : )

[ Diç si Prolog ]

Kepler mund të vdesë dhe dy herë, apo sa herë t’jetë nevoja, por jo dhe kureshtja e njeriut për të zbuluar nëse njerëzimi vërtet të jetë civilizimi i vetëm, fillikat në këtë botë. Apo thjesht njeriu nuk është i vetmuar… dhe s’mund t’jetë i “vetmuar” në Universin e paskajshëm, të pakapërthyeshëm dhe nga vetë imagjinata e njeriut.
Në Mars të vitit 2009 Agjencia Kombëtare Amerikane e Hapësirës (ose siç ia themi shkurt: NASA) e pati nisur teleskopin Kepler në hapësirë. Dhe ky teleskop në shumë drejtime ishte dhe akoma është unik, por diç nga “misioni” i tij vërtet ishte dhe mbetet e jashtëzakonshme. Apo nëse kjo fjalë të tingëllojë tepër e “madhe”, atëherë bënë të thuhet “speciale”. Sepse teleskopi është pakëz më ndryshe nga të tjerët, Kepler është një aparat apostafat i ndërtuar për t’i zbuluar posaqërisht planetet, nëse ata të jenë “ekzistent” diku në Rrugën e Qumështit. Dhe teleskopi Kepler nga entuziastët ndoshta me kohë është quajtur ashtu, por dhe nga unë lirisht mund ta ketë nofkën “gjuetar Kepleri”, gjuetari i planeteve.

Sot për sot, teleskopi Kepler nga asgjëja dhe nga pafundësia kozmike, apo qoftë dhe nga pafundësia hipotetike, e ka “afruar” shpresën e njeriut relativisht afër, në vetëm një pikë, 1200 vjet-drite larg nesh. Mirëpo, për ta vizituar këtë pikë në hartën e kozmosit, njeriut i duhet të arrijë atje ose me “teknologjinë” fantastike të shkrimtarit Frank Herbert, “pa lëvizur vendit”, ose të udhëtojë me shpejtësinë fotonike pa ndalë për 1200 vjet, pa stopuar dhe pa e “zvogëluar” kurrë shpejtësinë e dritës prej 300.000 km në sekondë. Sepse destinacioni është yllësia Lyra, 370 parseka larg si njësi astronomike, ose përafërisht ~ 11.350.000.000.000.000 km.

Bazuar në “Alien Planets Revealed”, thuhet aty se fluturakes më të shpejtë tokësore ekzistente do t’i duheshin me miliona vite për të arritur në KOI 701.04, ose planetin Kepler-62 f. Kështu është kataloguar planeti pakëz më i madh se Toka, që ndodhet në orbitë të yllit Kepler 62. Ky planet është zbulimi më domethënës i Kepler, dhe konsiderohet si kurorëzimi i tij, i misionit të tij. Sepse ishte pikërisht ky lloj objekti hapësinor synimi, arsyeja që ai qe nisur për “gjah” hapësirës galaktike. Ky zbulim i Kepler konsiderohet nga shkencëtarët si “analogu” më i afërt i planetit tonë, i cili pra siç e dimë “gjallëron” dhe e përkrahë jetën, Toka ka kushte për jetën më të bujshme… që njihet deri sot në Univers.

***
Le t’i kthehemi rishtas ndonjë numri rreth Keplerit, jo Johannes Kepler (1571-1630) sipas të cilit qe emëruar teleskopi në fjalë, por pra Teleskop Keplerit.
Shkencëtarët thonë se deri në Nëntor të 2014 teleskopi “Kepler” ka gjetur 995 të ashtuquajtur “eksoplanete”, dhe dmth. që janë konfirmuar, në më shumë se 400 sisteme yjore (së bashku me 3217 kandidatë të tjerë prej planeteve të pakonfirmuar).

Në nëntorin e 2013, bazuar në të dhënat nga Kepler, astronomët patën raportuar se mund të jenë deri rreth 40 miliardë planete me madhësi pakashumë sa të Tokës që orbitojnë rreth diejve vetëm në galaktikën tonë, dmth. fjala është vetëm për Rrugen e Qumështit. Rreth 11 miliardë planete të tillë vlerësohet se rrotullohen rreth yjeve të ngjashëm me Diellin, me yllin tonë.

Problemi është pra se planeti më i afërt i zbuluar nga Kepler, që eventualisht mund të ketë kushte për jetën, qoftë dhe ndonjë lloj jete të panjohur për ne, ndonjë formë jetësore jashtëzakonisht “alienike”… është 1200 vjet-drite larg Tokës, larg sistemit tonë diellor.

Natyrisht, nuk them se “teknologjia” imagjinative e stilit “Dune” të Frank Herbert është dhe do mbetet përgjithmonë e pamundur. Vepra epike e autorit F. Herbert vërtet është një “storie” e bukur, shikuar nga aspekti letraristik-zbavitës, është një storie e thellë dhe rangohet në zhanrin e fanta-shkencës, ngase është e bazuar në shumë elemente “sci-fi”. Por s’mund të thuhet e njëjta dhe për ndonjë element tjetër si psh. udhëtimi “pa lëvizur vendit” që e përmenda më lart. Sepse fantazia ka shumë dallim nga fanta-shkenca, kjo e fundit s’mund dhe nuk bën t’u shmanget parimeve-strukturologjike shkencore. Pa lëvizur “vendit” mund të udhëtojë ndoshta Dalai Lama në seancat e veta spirituale, por jo dhe shkenca !

Prapëseprapë nuk them se imagjinata e F. Herbert është dhe do mbetet përgjithmonë nonsens. Çfarë është realisht e pamundur, fort e pamundur… është fakti se nuk mund të injorohen qindra-mijëra apo dhe miliona faqesh të shkencëtarëve, faqesh stërmbushur me panumër faktesh e shifrash, me lloj-lloj imagjinatash e kalkulimesh, me lloj-lloj numrash magjikë të Universit.
Njeriu modern nuk interesohet për fanta-shkencën për hir të Fantazisë dhe, apo të imagjinatës, por pikërisht për hir të Shkencës. Është shkenca ajo që na e “imponon” dhe fanta-shkencën, edhe imagjinatën… dhe meqë ra fjala, them se sfida më e madhe në këtë drejtim është rigoroziteti, ndarja e “shapit…”, filtërimi i materies… sa më afër shkencës.

E di se 1200 vjet-drite si distancë është kalkulim shkencor, parë nga larg me “sytë” e Kepler diku thellë në humbëtirat e galaktikës sonë (për ta ilustruar “rrezen e syve” të Kepler në kuptimin e distancës galaktike, po bashkëngjes këtu dhe një grafikë). E di se dhe vetë logjika ime, pa sytë e Kepler, mund të “kalkulojë” lloj-lloj distancash, jo shkencërisht të sakta por relativisht të sakta, mjaftueshëm të sakta… Nga ana tjetër, po ashtu nuk e mohoj se 1200 vjet-drite më duket dhe si numër “magjik” i Universit, madje sikur merr atribute mistike, hyjnore… pothuaj sikur më e lehtë dhe më mbarë do i vinte ta pyesja për gjithçka Zeusin… apo ku ta di unë tani se cilin duhet pyetur saktësisht : )

Pse t’mos më duket “magjik” nëse e dimë se vetëm galaktika jonë është vatra e qindra miliarda yjeve. Tutje… nëse e dimë dhe i shohim jo vetëm me miliarda sistemesh yjore (një fraksion qiellor tashmë dhe e kemi hartografuar), por me miliarda galaktikash të tjera “përjashta” galaktikës sonë!?
Ja përse nganjëherë vërtet më gudulisë dëshira që gjithë atë pafundësi faqesh “shkencore” të shkencëtarëve, ta thuktoj në 1 artikull të vetëm. Kuptohet, kjo s’do t’thotë që unë s’i kuptoj shkencëtarët, i kuptoj ata fort mirë, aq mirë sa që nganjëherë sikur ndiej një lloj “keqardhjeje” për ta 🙂

***
Lajmi i keq – në Maj të 2013, diç e aparatit të avancuar qe prishur dhe ky ishte një lajm fort i keq, sepse mbledhja e të dhënave thjesht qe pamundësuar, nuk përjashtohej as mundësia që i gjithë misioni të braktisej. Teleskopi faktikisht dhe konsiderohej i “vdekur”, pasi që pati humbur aftësinë e vetë-orientimit dhe s’mund ta ekzekutonte shkencën e vet ashtu siç duhej.

Ringjallja – Kepler për rreth një vit mbeti ashtu i “penisonuar”, por në Maj të 2014 ekspertët e NASA erdhën publikisht me një lajm optimistik, me pak fjalë ata e konfirmuan gjetjen e një zgjidhjeje për t’ia zgjatur jetën shkencore teleskopit dhe për 2-3 vite. Kjo nënkuptonte jo kthimin e tij të mirëfilltë në “jetën shkencore” por diç ngjashëm me kthimin e një zombi, një lloj gjysmë ringjalljeje…