Macho-Maçok me Edukatë Lulandeze!

S. Guraziu, 2014

(…xhaxhi e kishte atë vesin e keq për vetëpëlqim të tepruar, ai gjithmonë me ato veset narcisoide, i pëlqente vetja përtej normales, ai vetëm sa nuk ia bënte si ato çupërlinat në vlugun e pubertetit, që tërë kohën kokën nga pas… për t’i parë “kodrat” e harlisura të natyrës : )

Shpesh më thonë i ngjajë Xhaxhi-Hoxhës… si në pamje si në qëndrim, madje shumë shqiptarë çuditen pse i kam zgjedhur të “kaltrit”… e jo “kuqaloshët” e politikave!
Dhe mua s’më vjen aspak inat, sepse e di që njerëzia shohin ngjashmëri sa i përket çështjes së bukurisë dhe të mençurisë. E di dhe vetë se jam i bukur, i freskët, i zgjuar, pra nuk brengosem sepse e di që njerëzit e kanë në kuptimin pozitiv, ata nuk më krahasojnë me një diktator… por e konsiderojnë si kompliment.

Nganjëherë vërtet jam i zënë me punërat e bashkisë dhe të shtëpisë, s’kam kohë ta vras mendjen për komplimentet e botës, por nganjëherë kur shoh shkëlqimin dhe admirimin në sytë e gazetareshave tiranase, kur i shoh mikrofonat e panumërt para meje… e pranoj, përhumbem pakëz dhe imagjinoj sikur vërtet jam ai Xhaxhi-Luani i dikurshëm.

Imagjino kur ai shkonte në Moskë për vizita, s’kishte më shumë mikrofona se unë, garant. Por desh çmendeshin prostitutat e Rusisë pas tij. S’kishin aspak faj të ngratat, sepse buzëqeshja e tij shpesh i hutonte dhe vetë burrat, pa le gratë. Pastaj gjysma e atyre bukurosheve që nuk e njihnin (ngase vinin nga provincat e paskajshme të Sovjet-Rusisë) e ngatërronin me atë poetin e hijshëm, me Jeseninin e famshëm.

Dhe vërtet, historia na mëson që prostitutat çmendeshin dikur pas Jeseninit, është e saktë. Ai ishte i varfër mbase, i pasur nuk ishte (thuase na paska ndonjë poet të pasur, ehuu kjo s’pi ujë!), s’mund ta paguante ndonjë dhomë luksoze, me suitat “royal-iste” a ku di unë, s’kishte i ngrati në xhep përveçse disa kopekë… mirëpo të dhënat flasin që ai aq shpesh luante “gurambledhës” me prostitutat nëpër dhomat e hoteleve të Moskës! Padyshim dhe ato duhet t’kenë parë “përmes gishtave”, pavarësisht që biznesi-biznes s’ke si e refuzon një engjëll, nuk refuzohet një poet-bukurosh.

Ndonëse joooo…, për t’u shmangur nga ndonjë keqkuptim eventual duhet sqaruar; nuk do t’më pëlqente të jem ai, sepse Xhaxhi e kishte atë vesin e keq për vetëpëlqim të tepruar, ai gjithmonë me ato veset narcisoide. E saktë që njeriut duhet t’i pëlqejë vetja një grimë, po nuk pëlqeve veten vështirë t’i pëlqesh ndokujt tjetër, kjo qëndron, mirëpo s’duhet tepruar. Xhaxhit i pëlqente vetja përtej normales, ai vetëm sa nuk ia bënte si ato çupërlinat në vlugun e pubertetit, që tërë kohën kokën nga pas… për t’i parë “kodrat” e harlisura të natyrës.

Edhe pse, natyrisht, kurrë s’mund t’jem ai, përveç buzëqeshjes dhe bukurisë s’kemi hiçgjë tjetër të përbashkët. Parë politikisht, ai ishte si një lapidar-monolit atje diku në majë të Dajtit, i fortë si shkëmb a granit, si hekur a çelik… ishte Mbret, pothuaj një Faraon (ok, “piramida” e tij dështoi por fare lehtë mund t’ia kalonte dhe asaj të Keopsit në Giza). Ndërsa dihet, një mbret me të drejtë konsiderohet Luan, dhe anasjelltas. Unë s’mund t’jem kurrë Luan, mund t’jem së shumti një Lulush-bukurush, mund të jem ndonjë maçok… por jo Luan!