Realizmi Socialist – Ndjenja mbizotëruese e optimizmit

Llambi Blido (l. 1939) – Në Pultin e Komandimit, 1971

…vërejtja se “Modernizmi Artistik” (Perëndimor) pati filluar të “hibridizohej” me Artin e Realizmit Socialist (apo ta influenconte këtë të fundit) padyshim qëndron, dhe ndoshta mjaft mirë mund të hetohet në këtë tabllo të piktorit Llambi Blido…
(s. guraziu – ars poetica, n 2019)

***
Realizmi Socialist – Ndjenja mbizotëruese e optimizmit
(s. guraziu – ars poetica, j 2016)

Termi “realizëm socialist” qe kalitur në fillim të shekullit XX. Dmth. shumë dekada më herët… përpara se të piqeshin kushtet për “lulëzim” në Shqipërinë e së kaluarës (si “fenomen” i përgjithshëm artistik). Në sovjetikën leniniste akoma ndjehej rezistenca e futuristëve, dhe s’mund të flitej për dominancë të soc-realistëve.

Por që nga fillimi i erës staliniste kushtet për “përqafimin e soc-realizmit” filluan të ndryshojnë dukshëm. Në fakt pothuaj të gjithë e patën “përqafuar”, me të dyja faqet, qoftë me dashje qoftë me detyrim. Arti i realizmit socialist veç i kishte të gjitha karakteristikat e veta, vetëm se ende nuk e kishte një “emër” adekuat. Në vitin 1933, Maksim Gorki sikur “papritmas” e publikoi një artikull me titullin “realizmi socialist”. Dhe ky titull i ardhur nga një ithtar i frymës së soc-realizmit letrar, sikur do t’ishte vula e kuqe e asaj që veç dihej tashmë.

Vetëm pak kohë më vonë, madje me bujën sovjetike “kongresionale”, qenë përcaktuar udhëzimet se si duhej të ishin veprat artistike të “realizmit socialist”. Qe përcaktuar “relevanca” (proletare), “e zakonshmja” (tipikja subjektive), “realistikja” (prezantuese), “partizanizmi” (partiak).
Kuptohet, duhej të promovoheshin pro-sovjetizmi, idealet sovjetike, por “partia” ishte boshti qendror, ishte fryma e gjithçkaje, fryma e një rëndësie të jashtëzakonshme dhe gjithmonë duhej paraqitur në mënyrë sa më të favorshme.

Sipas A. Ellis, këto koncepte kryesore që u zhvilluan e siguruan devotshmërinë dhe besnikërinë për partinë; siguruan dhe garantuan “partiinost”” (pikëpamjen, botëkuptimin partiak), “ideinost” (përmbajtjen ideore, ose ideologjike), “klassovost” (përmbajtjen e lidhur ngusht me klasën punëtore), “pravdivost” (vërtetësinë, justifikim “historik”).

Ellis shkruan se kishte një ndjenjë mbizotëruese të optimizmit, funksioni i realizmit socialist ishte paraqitja e shoqërisë ideale sovjetike. Jo vetëm që duhej të glorifikohej e tashmja, por dhe e ardhmja duhej të përshkruhej sa më bukur dhe këndshëm. Sepse e tashmja dhe e ardhmja duhej idealizuar vazhdimisht.

Realizmi socialist e impononte një ndjenjë optimizmi të detyruar, tragjedia dhe negativiteti në art nuk lejoheshin, përveç nëse të paraqiteshin në kohë apo në një vend tjetër. Ky sentiment krijoi atë që më vonë do të quhej “romantizmi revolucionar”, i cili e ngriste në qiell punëtorin e thjeshtë, qoftë të fabrikës qoftë të bujqësisë, duke i paraqitur jetën e tij, punën dhe rekreacionin si të admirueshme. [ (Ellis, A. – Socialist Realisms: Soviet Painting 1920–1970, 2012) ]

Çlirim Ceka (l. 1945) – “30 korrik 1978” (Çeliku Çan Bllokaden)

…çeliku është i pandalshëm, çeliku “kalitet” dhe bëhet çelik-metalik, çeliku e çanë bllokadën, çeliku është çelik… e qartë se piktura ishte diç si “refleksion” i përkushtimit, i sakrificës, i determinancës, i vetëbesimit në një kohë të vështirë ekonomike, tashmë Shqipëria duhej ballafaquar me vështirësitë fillikat e vetmuar, e vetëizoluar, e ngrata Shqipëri e mbështetur vetëm në “forcat e veta”, faza e rëndë e izolimit total të Shqipërisë do ta bënte pashmangshëm të veten (sa për orientim, e ngjita djathtas një lloj “kohëlinje” grafike…)
(s. guraziu – ars poetica, n 2019)

Vilson Kilica (1932-2016) – Brigada e grave (ose Brigadieret)

Sipas biografisë në Galeria Kombëtare, Vilson Kilica ishte njëri nga artistët më të rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist në vitet 1960-1990. Ishte studenti i parë shqiptar që merrte mësime në ateljenë e profesorit B. V. Joganson, një nga figurat më të rëndësishme të artit të Realizmit Socialist Sovjetik.
Derisa biografinë e artistit V. Kilica në Galeria Kombëtare e kanë hedhur mjaft të “gjaaaaatë” – fjalë pa kursim, mirëpo për fat të keq, s’kanë prezantuar ilustrime sa i përket veprës pikturale të Kilica, në faqen e vet Galeria i prezanton vetëm 2-3 foto të dobëta “low res”, më të dobëta sesa fotot e kohës së Xhaxhit dikur : (
(s. guraziu – ars poetica, n 2019)