Epikurusi i Mençur – Nuk Pajtohej me “Neutralitetin” e Zotit!

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2019

(…as 2300 vjet pas tij, s’di si do ta përshkruaja më saktë “shpirtin”, qëkur s’e kam idenë, kurrë s’e pata idenë se ç’na qenka shpirti! Se mos vetëm unë s’ditkam, kam frikë as vetë shkencat s’e kanë idenë : )

Sa i përket “Politikës” Epikurusi (341-270 p.e.s.) ishte fort i qartë: shmangiu politikës aty ku është e mundur! S’është nevoja asnjë fjalë t’i shtohet qartësisë së tij, vetëm sa do “turbullohej”.

Sa i përket Universit, ishte mjaft i “saktë”, bie fjala “string-teoria” moderne (multiversiada dhe shumëdimensionaliteti në kuadër të teorisë së sotme) padyshim duhet t’ketë “huazuar” ca ingrediente nga mençuria e lashtë epikuriane. Gjithsesi, duhet theksuar se “Big-Bang-u teorik” është totalisht në kundërshti me mençurinë tij.
Sipas Epikurusit, meqë asgjë s’mund të krijohet nga diç joekzistente, Universi duhet t’ketë ekzistuar gjithmonë, dhe do jetë ekzistent përgjithmonë. Po ashtu Universi duhet t’jetë i pakufizuar, pasi s’mund të ketë asgjë jashtë tij. Ama brenda Universit ekziston një numër i pafund botërash, ndonjëra ngjashëm si bota jonë, të tjera ndryshe nga kjo…

Në rregull, “string-teoricienët” e kanë zgjeruar pakëz duke thënë jo “botëra” por “universe”, dmth. tani e kemi multiversin (rishtas rezulton që Multi-versi duhet të jetë “brenda” një Gala-versi të paskajshëm – këtë të fundit e shtova tani vetë, pasi e kërkon dhe “logjika”, andaj them se nuk shoh asgjë më të mençur në teoritë e “string-istëve” të së sotmes, krahasuar me mençurinë e dikurshme të Epikurusit : )

Sa i përket “shpirtit” filozofikisht ishte fort i “saktë”, sipas tij shpirti është diç e trupit, përbërë nga grimca të imëta, të shpërndara në gjithë kornizën (trupore), pothuajse i ngjan erës përzier me nxehtësinë, në disa aspekte si era, në të tjera si nxehtësia. Por përsëri, ekziston pjesa e tretë që tejkalon dy të tjerat në hollësinë thërmijore dhe kështu mban “kontakt” më të ngushtë me pjesën tjetër të kornizës (së trupit).
Vetë, as 2300 vjet pas tij, s’di si do ta përshkruaja më saktë “shpirtin”, qëkur s’e kam idenë, kurrë s’e pata idenë se ç’na qenka shpirti! Se mos vetëm unë s’ditkam, kam frikë as vetë shkencat s’e kanë idenë : )

Edhe rreth Jetë-Vdekjes, pikëpamja epikuriane ishte mjaft origjinale dhe simpatike – “mësoje veten me bindjen se vdekja nuk është shqetësuese, pasi gjithçka e mirë dhe e keqe qëndron në ndjesinë tonë, dhe ndjesia mbaron me vdekjen. Prandaj besimi i vërtetë se vdekja s’është gjë, e bën të lumtur jetën tonë të vdekshme, jo duke i shtuar asaj pafundësinë kohore, por duke e hequr dëshirën për pavdekësi. Sepse s’ka asnjë arsye për njeriun, i cili e ka sigurinë e plotë qe s’ka pse t’kihet frikë vdekja, ta gjejë pastaj ndonjë gjë për t’iu frikësuar jetës. Pra, gjithashtu, është i marrë dikush i cili thotë se i frikësohet vdekjes, jo sepse do t’jetë e dhimbshme kur të vijë, por sepse vetë të menduarit për vdekjen është diç e dhimbshme; pasi diç që nuk është “barrë” kur është e pranishme s’ka për qëllim të sjell dhimbje kur t’mendojmë për të. Ja përse vdekja, më e frikshmja nga të këqijat, nuk na shqetëson; sepse ndërsa ne ekzistojmë ajo s’është e pranishme, dhe kur vdekja është e pranishme, ne s’ekzistojmë më. Prandaj vdekja s’është gjë, as për të gjallët dhe as për të vdekurit, pasi për të gjallët nuk është e pranishme dhe të vdekurit (ashtu-kështu) s’janë më. ”

Sa për Religjionin dhe rreth pikëpamjes për Zotin, sot jemi me fat pasi kemi luksozitetin e zgjedhjes, mund të zgjedhim, mund t’kërcejmë me oportunizmat herë andej herë këndej sipas qejfit, ka me dhjetra e qindra degësh e nëndegësh të opsioneve. Madje dhe brenda Ateizmit ka sa të duash variacione e lehtësira. Sidoqoftë, Epikurusi nuk “pajtohej” që Zoti ka zgjedhur t’jetë asnjanës, i papërcaktuar. Sëpaku të ligat e kësaj bote duhej t’i asgjësonte… e jo t’i injoronte, të shtirej gjoja Zot neutral : )

“Ka Zoti vullnetin, dëshirën ta parandalojë të ligën, por s’është në gjendje? Atëherë s’është Zot i gjithëfuqishëm (pra omnipotenca e tij e ka pikëpyetjen në “bisht”). Është në gjendje, por s’ka dëshirën (vullnetin)? Atëherë qenka një Zot keqdashës. Është të dyja, i aftë dhe vullnetmirë? Atëherë prej nga na vjen ligësia e kësaj bote? Apo s’është as i aftë dhe as vullnetmirë? Atëherë pse ta quajmë Zot?”.

Ja pra, në kohën e tij ende s’qenë shpikur shumë gjëra rretherrotull religjionit modern… ç’faj kishte i ngrati nëse i pikëlluar për të ligat e botës. Jam dhe unë vetë i pikëlluar, dymijë e kusur vite pas tij, psh. sa herë nisen luftrat, sa herë lexoj për padrejtësitë e kohës sonë. Pa le që ndoshta dhe ateistët modernë (njësoj si ai para 2300 vjetëve) çdo ditë “grinden” me Zotin duke e sfiduar me lloj-lloj paradokesh ideatike që i zbulojnë.