EU-Morali Para Tribunalit (Propozim)!

E gjithë bota mbarë e dinë, shqiptarët dhe grekët janë evropianët më të vjetër të Evropës, demokracinë Evropa s’e pati shpikur vetë… por e pati “huazuar” (nga shqiptarët e nga grekët), sot madje dhe 1 miliard kinezë me gjithë eskimezët analfabetë e dinë që popujt e trojeve ballkanike e patën përkundur të parët djepin e demokracisë, shqiptarët ishin “demokratë” madje atëherë kur evropianët ende s’e kishin idenë se na qenkeshin “evropianë”… e gjithë bota mbarë e dinë, demokracia shqiptare s’është ndonjë demokraci e “imponuar” (gjoja nga Evropa, apo akoma më keq, psh. aso demokracie që i mbjell Amerika me dhunë nëpër regjione të ndryshme të botës, as aso demokracie me “hile”, me eshkë e me strall të rrjeteve sociale-virtuale – troç, aso me fitila të Google e të Facebook, kujto “arab spring”, pranverën arabe, kujto secilin Gadaf e Mubarak…), e megjithatë sot e gjithë ditën evropianët ua bëjnë me “hile” sa grekëve me financat, kohëve të fundit po aq dhe shqiptarëve me politikat. Mjaft është mjaft!

Para 1 jave një dikush e paska nisur një peticion (në change-org, diç si thirrje diasporës shqiptare drejtuar BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë – dmth. për aderimin e Shqipërisë në BE), i lumtë atij peticionistit, peticion i drejtë dhe me vend – por ç’desha të them, hm, desh harrova… duke mos e mohuar pra faktin që demokracia shqiptare është pothuaj “indigjenike”, e lindur, brumosur, e pjekur… madje akoma rreshkoset aty ku e ka zanafillën, duke qenë mirëfilli demokraci autentike-ballkanike, vetë origjinali më i kulluar – tutje, në përputhje me aspiratat për ta përqafuar frymën ultra e supra-moderne evropiane… natyrisht, duke mos harruar as përvojën e keqe së bashku me hidhësinë e krizës greke, sepse tekefundit me aderimin në EU nënkuptohet mirëqenia ekonomike, assesi e kundërta (ruana zot nga aso krizash a la greke) – PROPOZOJ që shqiptarët dhe grekët ta bashkënisin një institucion tribunalistik për ta shoshitur moralin e Evropës para një gjyqi historik, të rreptë dhe të pakompromis!
Në përputhje me këtë propozim (me titull: Evro-Epoka Para Gjyqit, ose EU-Morali para Tribunalit, ose diç ngjashëm) pse jo… instanca dhe subjekte të ndryshme shqiptare e greke inkurajohen të propozojnë modele sipas vizionit dhe sipas “peshores” së tyre sa u përket HILEVE të politikave aktuale Evro-Bashkiane.

ps.
s’është nevoja të nënshkruhet – nëse t’mos ju pëlqejë si ide s’është nevoja madje as ta lexoni… deri këtu – fund!
(ideator: sguraziu, ide origjinale: nëntor 2019)