(R)evolucioni dhe Tekno-volucioni i Super-njeriut! (2)

(fragment – 2)
S. Guraziu, 2014 (fragm. – të shohim nëse do ia hedhim “ndërskamcën” vetë dritës…)

1. Nga “rrota e vonuar” deri tek ëndrra super-luminale!

Që moti në Mesjetë njerëzit e kuptuan se shpejtësia e zërit është e kufizuar. Me shpikjen e topit (si armë e “tmerrshme” e kohës) sikur demonstrohej dhe ishte e qartë që mund të shihej zjarri apo drita mjaft përpara se të dëgjohej shpërthimi (zëri). Jo shumë tutje në kohë pas kësaj, disa shkencëtarë të atëhershëm, ndër të cilët dhe vetë shembullori prej gjigantësh, Galileo, e kuptuan që ndoshta shpejtësia e dritës po ashtu mund të jetë (ose duhet të jetë, në mos “patjetër”) e kufizuar. Madje dhe qe eksperimentuar në këtë drejtim, ka patur sprova që të ofroheshin dëshmi lidhur me kufizimin e shpejtësisë së dritës.
Por shpejtësia tepër e madhe e fenomenit “dritë”… në ndeshje me kufizimet teknologjike të kohës, i bënte këto eksperimente të paverifikueshme si “dëshmi”, dhe po aq jofunksionale si “shkencë”.

Sot, në shumë drejtime ose fushat e fizikës pothuaj merret sikur i “gatshëm” konkluzioni: asgjë s’mund të lëviz më shpejtë se drita. Në fakt, akoma më saktësisht, thuhet: asgjë fizike në univers s’mund të ketë shpejtësi më të madhe se shpejtësia e dritës. Ose, tekefundit kështu pati thënë Ajnshtajni.

Në domenin shkencor të shekullit XX, teoria e Relativitetit padyshim është arritja më e madhe, është arritja intelektuale më ikonike e njerëzimit, dhe fare lehtë ndoshta arritja më domethënëse e teorizimit shkencor deri sot. Shpejtësia vakumore e dritës, për aparatin matematik shkencor, është quajtur “c”. Kjo shpejtësi vakumore e dritës zë vend dhe në ekuacionin e ekuivalencës masë-energji, në ekuacionin e famshëm ajnshtajnian, E = mc2. Sipas Teorisë Speciale të Relativitetit, “c” është shpejtësia maksimale universale me të cilën e gjithë materia që njohim* dhe informacioni mund të lëvizin.

Nëpër kabllot e avancuara dhe fiber-optikat, qofshin shtrirë në fund të oqeaneve tek i lidhin kontinentet, qofshin tek e përshkojnë lagjen diku nën asfaltin, informacioni vërtet lëviz me shpejtësinë e dritës, prapëseprap, thua si për ironi, ne ende presim mjaft gjatë që dosjet tona të shkarkohen nga Interneti. Mirëpo problematikat teknike janë diç tjetër, shkencëtarët fare lehtë na i sqarojnë të tilla gjëra.
Nga ana tjetër, shkencëtarët shpesh flasin edhe për gjëra që nuk i dinë (saktë), sepse tema qëllon të kryqëzohet me gjëra ende të panjohura, të pa studiuara. Asgjë, ata thjesht buzëqeshin dhe gjithmonë thonë në shumës “ne” – “ne… nuk e dimë këtë ose atë, por supozohet kështu apo ashtu”. Pra ata flasin pa i përjashtuar as ingredientët hipotetikë, që imponohen aty-këtu.

Dhe pse jo, le të merremi rishtas me “ekskursione” krahasimtare, thjesht për hir të shkencës dhe të arritjeve të deritashme. Sepse shkencëtarët asgjë s’i pengon që të spekulojnë madje për shpejtësi superluminale (FTL – faster-than-light / më shpejtë se drita). Ata i mbushin faqet e revistave shkencore me lloj-lloj hipotezash, vërtiten rreth-e-rrotull Teorisë Speciale të Relativitetit.
Edhe pse ata e dinë, s’kanë harruar që Ajnshtajni pati thënë qartë, “asgjë… më shpejtë se drita“. Shkencëtarët po ashtu e dinë që një grimcë (e cila posedon masë, dhe shpejtësi aq të vogël në krahasim me shpejtësinë e dritës) ka nevojë për energji të pashtershme për ta përshpejtuar “veten” në nivelin e shpejtësisë së dritës.

Mirëpo në anën tjetër pse jo, shkencëtarët “spekulojnë” ndoshta sepse gjithmonë në ngrehinat ideatike “përzihet” dhe imagjinata, dashtas e padashtas edhe ajo futet ne lojë, me hiret e veta. Kështu që pastaj përherë mbetet hapur një derë “hipotetike”. Përshembull, Relativiteti Special nuk e ndalon ekzistencën e grimcave që lëvizin më shpejtë se drita (ndoshta të ashtuquajturat “tahione”), andaj pse jo.
Termi “hapësirë-kohë” i Ajnshtajnit është një lloj porte e hapur, por jo vetëm thjesht si “portë hipotetike”. Ja pse nuk mungojnë as ëndrrat për “warp drive”, veç e kemi thënë tashmë, në imagjinatat e llojit Star Trek anijet prej “teneqeje allaturka”, qofshin dhe lëgurash të avancuara të kohës, i përshkojnë hapësirat ndëryjore me shpejtësinë prej disa warp-njësive.

Sepse në fakt s’ka rëndësi nëse fjala është për “teneqe allaturka” apo për qerre të drunjëta, aso ujdisur menjëherë pas shpikjes së rrotës, dhe dmth. pas ca detajeve të përkryerjes së saj. Sot sikur e nënvlerësojmë zbulimin e rrotës, teknologjikisht dhe shkencërisht na duket asgjë, na duket imtësi… por “rrota” në fakt ishte ndoshta shpikja më revolucionare e njeriut, pas zjarrit. Rrota ishte hapi i parë teknologjik, teknologjia më domethënëse, dhe njeriut iu desh aq shumë kohë për ta zbuluar. Kuptohet, parahapi ishte dhurata e Prometeut, hapi i parë s’mund të bëhej pa një grimë stimulim hyjnor, prandaj dhe Prometeu sakrifikoi atëherë për njeriun. Dihet, pa zjarrin s’do arrinim askund.

Aspak s’prish punë të teorizohet lidhur me shpejtësinë super-luminale, sepse s’ka fare “lëvizje” nëse qëndron në surf-dërrasën mbi valë, nuk lëvizim ne por është vala ajo që zhvendoset. E gjitha çfarë kërkohet është që ajo “space-time” ajnshtaniane të kullufitet… ngjashëm si ajri nga turbinat e Rolls-Royce, montuar në aeroplanët e Airbus apo të Boeing. Dhe voilà… çarje përpara, ekskursion superluminal pafundësisë së universit.

Sepse jemi mësuar në tokë. Sa i përket flatrave sot ia kemi tejkaluar shpejtësisë së zërit, dhe atë pothuaj 3-4 herë. Kemi dëshmi të sakta** për këtë, psh. 3529.56 km në orë është shpejtësia “rekord” e fluturakes “Blackbird” (këtu dua ta shpreh dhe admirimin – sipas meje, si dizajn, “Blackbird” është fluturakja më e arritur që ka prodhuar njeriu ndonjëherë, pothuaj e gjitha prej titaniumi, pra nuk qe ujdisur me “teneqe… allaturka”).
Mirëpo vërtet gjithçka do rrotullohej kokëposhtë dhe do na dilte qesharake nëse t’bënim krahasime me shpejtësinë e dritës prej rreth 1080 milionë km në orë, ose 300.000 km/s. Ndonëse, ç’është rishtas faktike, dhe vetë Ajnshtajni për t’i thjeshtësuar hesapet e veta “relative” shpesh i përdorte trenat, ashensorët… etj.

Sipas tekno-thashethemeve të entuziastëve vitin e kaluar NASA e pati porositur “konceptin prototipor”, dhe një designer holandez veç e ka punuar konceptin e parë të fluturakes ndëryjore… Fluturakja “në të ardhmen jo fort të largët” pritet të kthehet në realitet, të jetë fluturakja e parë me warp-drive. NASA gjërat i mban sekret, natyrisht, por si duket “space-time” e Ajnshtajnit edhe pak e do “kullufitet”…

Sa i përket “shpejtësive të dritës” shkencëtarët dhe entuziastët do ta thonë me fjalorin e tyre të thjeshtësuar “pse jo, e dimë që natyra e bën këtë pa problem, pyetja është nëse dhe njeriu mundet të njëjtën”.
E pra, e saktë kjo, pa hë… të shohim nëse do ia hedhim “ndërskamcën” vetë dritës.

| – – –

* materia që njohim – sot kemi mjaft “paqartësi”, në qarqet shkencore të sotme flitet se pjesa dërrmuese e universit është “dark matter” (materie e errët!) – askush s’e ka idenë për çfarë është fjala saktësisht. Materia e “errët” është një lloj i materies hipotetike në univers, e cila s’është e dukshme me anë të mjeteve optike dhe për këtë arsye e pakapshme via veglave shkencore që posedojmë sot, psh. nëpërmjet rrezatimit elektromagnetik i cili arrin në tokë.

** dëshmi të sakta – në kuptimin empirik të shkencës, në kuadër të saktësisë së instrumenteve të kohës dhe të matjeve zyrtare, qoftë kjo e lidhur me vlerat, kalkulimet, rezultatet e eksperimenteve, qoftë lidhur me vetë atributet e instrumenteve fizike të cilat përdoren në kryerjen e eksperimenteve shkencore

(ngjitur: koncept i IXS Enterprise, gjenerata e parë e anijes kozmike FTL (Faster than Light), design nga Mark Rademaker (sipas infove, me porosi të NASA)