Trumpizmi suprematik, (mos)zhbërja e shekujve të supremacisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2020

dikur partia “skllavopronare”, sot partia e cila bëri të mundur që Obama të bëhej Presidenti i parë zezak në historinë e SHBA – atëbotë kur qe formuar, politika partiake ishte kundër interesave të elitës dhe të biznesmenëve, demokratët qenë kapur për “amerikanin” e vogël dhe të varfër, kushti i vetëm – “amerikani” i vogël t’na ishte i bardhë, assesi zezak

Adolphe Yvon (1817-1893) – “Gjeniu i Amerikës”, ~1870

Para ca ditësh (teksa u jepte këshilla biznismenëve të rinj) miliarderi Warren Buffett ndër të tjera u shpreh:
“…nuk di me çfarë do ta ndërroja Kapitalizmin, them se Kapitalizmi është “ok” mirëpo për t’funksionuar i duhet Qeveria, qeverisja efektive, s’duhet kurrë t’jeni kundër Amerikës, s’duhet kurrë ta vëni “bast” Amerikën dhe vlerat e demokracisë…”.
S’di pse ma ka ënda të mendoj se “këshilla” e Buffett, në fakt më së shumti i drejtohej dhe do duhej të vlente për vetë Presidentin Trump. Se si më bëhet që Buffett i “drejtohej” pikësëpari Presidentit…

[ Amerika e “përgjysmuar” si mos më keq ]

Është aq e dhimbshme për një demokraci kur nga 300 milionë qytetarë, gjysma e tyre… 150 milionë t’mos e “duan” Presidentin e vet! Gjithë analistët e politikave, gjithë ekspertët e botës sikur “pajtohen” se Amerika ndoshta kurrë s’ka qenë më e përçarë. Anise e përçarë ishte, bie fjala dhe gjatë Depresionit të Madh. Edhe më herët në shek. XIX, në prag të Luftës Civile, Amerika ishte dhimbshurisht e përçarë. Thuhet se atëbotë, një senator i vetëm me aftësitë e veta diplomatike, duke negociuar kompromise pati arritur ta shmangte Luftën Civile për pothuaj 40 vjet. Mirëpo senatorë të tjerë me argumente se pronarët e bardhë të skllevërve na qenkeshin gjoja “pakica e shtypur realisht”, ndihmuan që Lufta Civile përfundimisht dhe të ndodhte.

Siç e dimë, presidenti i parë i ShBA qe zgjedhur G. Washington. Mbase Washington na ishte diç si para-federalist (s’di si ta quaj ndryshe, meqë kuptohet “federalistët” erdhën pas tij – atëbotë Partia Federaliste (pararendësit republikanë) qe formuar pikërisht nga fraksioni “pro-Washington”).
Sidoqoftë, republikani i parë që e pati fituar garën presidenciale ishte Abraham Lincoln. Ndërsa republikani i “fundit”… natyrisht, Donald Trump. Gjatë zgjedhjeve (fushatës) së Trump, doli në pah që Amerika t’na jetë e “përgjysmuar” si mos më keq. Thuhet se vlerat e Partisë Republikane e reflektojnë konservatorizmin “klasik” ekonomik (dmth. konservatorizmin modern). Sot, konservatorizmi “ekonomik” i Trump pakashumë dhe përputhet me linjën e vjetër të partisë. Problemi është se Trump nuk është vetëm “konservatorist”, mbarë bota e arsyes së shëndoshë e di se Trump herë-herë me zhargonin e vet zhytet deri në ekstremin e “arrogancës suprematike”.

[ (Mos)zhbërja e shekujve të supremacisë – Partia “skllavopronare” e Amerikës ]

Në v. 2017, “Independent” e pati përdorur një titull të madh “Zgjedhja e Obama si presidenti i parë zezak nuk e shfajëson Amerikën për historinë raciste”, autori Feliks Garcia i citonte fjalët e Presidentit: “…marrëdhëniet racore janë më të mira se ato para 30 viteve, mirëpo pengesat e racizmit ende duhet pastruar. Pas zgjedhjes sime ka patur diskutime rreth një Amerike Post-raciste, një vizion i tillë, sado i mirëqëllimshëm, s’ka qenë kurrë realist. Racizmi ngelet një forcë e madhe dhe shpesh ndarëse në shoqërinë tonë.”
Do t’ishte naive të mendosh se një president i vetëm në vetëm tetë vjet mund t’i zhbënte me shekuj të supremacisë së bardhë amerikane. Kjo thjesht s’është mënyra si vepron a “rrjedh” historia – shkruante Feliks Garcia.

Partia Demokratike e ShBA është partia më e vjetër jo vetëm e Amerikës por e gjithë botës. Ironikisht, dikur partia “skllavopronare”, sot partia e cila bëri të mundur që Obama të bëhej Presidenti i parë zezak në historinë e SHBA. Kjo kontradiktë bazike e Partisë Demokratike, e cila parti dmth. qëndronte dhe qëndron për egalitarizëm (për barazi), tani për neve lexuesit sikur është “niveli” i dytë i ironisë. Atëbotë kur qe formuar (si parti), politika partiake ishte kundër interesave të elitës dhe të biznesmenëve, demokratët qenë kapur për “amerikanin” e vogël dhe të varfër (kushti i vetëm – “amerikani” i vogël t’na ishte i bardhë, assesi zezak).

[ Partizanizmi dhe Partitë e Amerikës – Pak histori ]

Që nga koha e Presidentit të parë, Washington, në skenën politike amerikane ishin opozitare dy fraksione kryesore. Ndarja e parë në Kongres pati qenë pikërisht mes përkrahësve (Djathtas) dhe kundërshtarëve (Majtas) të Administratës së Washington.
Rryma ose fraksioni “pro-Washington” i favorizonte marrëdhëniet e rehabilituara me Britaninë, pastaj politikën e shëndoshë fiskale kombëtare, bënte thirrje për biznesin, i përkrahte konservatorët (të cilët i favorizonin bankat), e kundërshtonte Revolucionin Francez. Nga fraksioni “pro-Washington” atëbotë qe formuar Partia Federaliste.

Fraksioni “anti-Washington” i favorizonte të drejtat e shteteve dhe fermerët, e kundërshtonte atë që shihej si “tendencë drejt elitarizmit e monarkizmit”. Nga “anti-Washingtonizmi” u formua partia Republikanët-Demokratikë, për t’i kundërshtuar pra politikat e centralizimit të Partisë Federaliste. Partia ia pati nisur bukur, si një fraksion i vetëm në Kongres, anëtarët e quanin veten “republikanë” (bazuar në ideologjinë e tyre, në republikanizmin), dhe sa u përket të mirave për Amerikën nuk kishin aspak besim në angazhimin e federalistëve.
Pas përçarjes në Partinë Demokratike-Republikane, në v. 1824 u formua Partia Demokratike. Me një bazë të madhe anëtarësh midis fermerëve të varfër Jugorë, demokratët sikur u bënë partia “skllavopronare” e Amerikës.

Në fillimshekullin XIX, politika amerikane do t’ishte kryesisht e dominuar nga çështja e skllevërve. Skllavëria do t’përkrahej nga fermerët e varfër të Jugut dhe do t’kundërshtohej nga intelektualët e nga biznesmenët e pasur të Veriut. Këta ishin mbështetës të biznesit, të tregjeve, të modernizimit ekonomik e të reformave sociale, qenë dobësuar pakëz “politikisht” rreth çështjes së skllavërisë, mirëpo përfundimisht në v. 1854 do ta merrnin veten dhe do ta krijonin Partinë Republikane.

Jugu dhe Veriu filluan ta ndjenin hendekun të “zgjerohej”, në të gjitha drejtimet, në aspektin ekonomik e kulturor, “tema kyç” e përçarjes ishte skllavëria. Politika e Jugorëve sa i përket skllavërisë fokusohej rreth të drejtes së shteteve, sipas tyre pa sklleverit s’do t’ishte e mundur mbështetja e ekonomisë bujqësore të Jugut. Shtetet bujqësore kishin nevojë për fuqinë punëtore dhe natyrisht fermerët ishin pronarë të shumë skllevërve. Dalëngadalë këto shtete filluan ta përkrahin idenë e shkëputjes si zgjidhje. Mirëpo kërcënimi “secesionist” ose ndarja sillte po ashtu dhe idenë e luftës. Edhe ndarja po aq sa dhe lufta sikur do ishin të pashmangshme.

Në v. 1861 Abraham Lincoln u inaugurua President. Pas zgjedhjes së tij, një grup prej 11 shtetesh (të ndara nga ShBA, ose vetëshpallur “të ndara”) do t’luftonin për legjitimitet, grupi i shteteve secesioniste vetëquhej Shtetet Konfederale të Amerikës, anise kjo Konfederatë asnjëherë nuk u njoh nga ndokush. Vetëm një muaj pasi Lincoln qe inauguruar President, Lufta Civile Amerikane do t’fillonte. Konfederata e shteteve të Jugut do t’mposhtej dhe do t’pushonte së ekzistuari. Në v. 1864 Abraham Lincoln do t’i fitonte rishtas zgjedhjet. Vetëm 1 vit më vonë, në v.1865, dhe vetëm 4-5 ditë pas përfundimit të Luftës Civile, ai do t’vritej nga një fanatik i Konfederatës… tashmë të kapitulluar, të mundur nga forcat e Unionistëve!

[ Piktura: Adolphe Yvon (1817-1893) – “Gjeniu i Amerikës”, ~1870 ]