Më mirë izolim total… sesa surprizë nga gomarët trojanë!

“…Shqipëria është e mbyllur për armiqtë, për spiunët, për hippie-turistët dhe për vagabondët (endacakët) e tjerë…” – Enver Hoxha

…kur pashë këtë citatin, ashtu kot si jo-historian po gjykoja për ca çaste, padyshim xhaxhi-hoxha do ketë patur fort të drejtë për masat e rrepta, për armorin e për blindat e çelikta, për izolimin hermetik të vendit, sepse ec e dije, sipas Homerit trojanët e ngratë dikur aq naivë, aq mendjelehtë, më të dehur e më të verbër sesa Homeri vetë, derisa një “undercover” i CIA-s, i KGB, a i MI-5, derisa një spiun i botës së degjeneruar kapitaliste… padyshim do shtirej “cool”, do mbante syze Versace dhe do dukej macho-maçok si James Bond (e lehtë t’i njohësh të tillë, qoftë në pazarin e Shkodrës a qoftë në plazhin e Vlorës, qoftë përzier me “malokët” e Malcisë a qoftë me kooperativistët e Llakatundit… kontrasti do ishte tepër i madh, aq e lehtë t’i piketosh), po vrisja mendjen mos vallë dhe asketët e Indisë, gjithë endacakët e botës, gjithë vagabondët, varfanjakët e Evropës do kenë qenë “urithë” të rrezikshëm, nëse jo bash që të gjithë… ndër 100 hippie-zhaglamanë tek ia mësynin Shqipërisë, qebesa 1-ri prej tyre patjetër do ketë qenë spiun, sepse s’ke si ta dish, kurrë s’e ke garancinë, s’i ke as kinezët as teknologjinë, kështu që më mirë izolim total dhe të flesh zbathur… sesa të të surprizojnë llo-lloj gomarësh trojanë, do ishte e pafalshme, s’do ia falte kurrë historia ta kapnin “zgafil” urithët e ideologjikave te shthurura perëndimore : )

* hippie – personi me pamje pakashumë “jashtë” normave sociale (të pranuara nga shoqëria), i cili person zakonisht mban flokë të gjatë, veshje, shije e “stil” të veçantë (jashtë modës “avangarde” dhe trendeve ordinere), i përdor drogat a narkotikët (lloj-lloj substancash halucinogjene), sjellja e njër personi të tillë “kapërthen” akulturizmin ose dhe nën-kultura të ndryshme, e po ashtu dhe refuzimin e vlerave “konvencionale”, bazike të shoqërisë etj.
(sguraziu – gusht 2020)