EU-Tregtia me Ballkanin Perëndimor, dhe “mburravecllëku” i EU!

S. Guraziu – Ars Poetica, Q 2020 (Vështrim…)

Preferencat e “tregtisë autonome”, fuqizuar 20 vite më parë nga Bashkësia Evropiane për gjithë Ballkanin Perëndimor skadojnë në fund të v. 2020. EU “mburret” dhe trumpeton (EU – anise e di që shqip “tingëllon” BE 🙂 kahdo që rrotullohet se tregtia luan një rol të rëndësishëm në përpjekjet e saj për promovimin e paqes, stabilitetit, lirisë dhe prosperitetit ekonomik në Ballkan. Gjatë 10 viteve të fundit tregtia e EU me Ballkanin Perëndimor është rritur pothuaj 130%. Ky shtim a zgjerim tregtar në përgjithësi ka vajtur në dobi të partnerëve të Ballkanit Perëndimor – pohojnë të dhënat e EU.

S’e mohon kush, fort e saktë “mburrja” e EU, vërtetësi e paluhatshme, si thënie por dhe si fakt, ka mbulesë si me shifrat ekonomike, e po ashtu dhe me “gjuhën” e politikës (qoftë me retorikat diplomatike, e madje dhe me klishetë a la mediatike). Nëse flitet për eksportet, në 10-vjeçarin e fundit Ballkani Perëndimor i ka shtuar ose rritur eksportet në zonën e EU për 207% (kundër një rritjeje më modeste të eksporteve të EU në rajonin ballkanik, prej 94%). Vitin e kaluar (2019) tregtia totale mes EU dhe B. Perëndimor do i arrinte 55 miliardë Euro.

Daullet e veta politike EU i ka fort të sakta, pa le që rreth 70% e tregtisë totale të B. Perëndimor ka t’bëjë ose vërtitet rreth verdhushkave të EU. “Mburravecllëkun” (e justifikuar) të EU, le ta përforcojmë enkas me një krahasim të vogël mes shteteve të Ballkanit dhe Kanadasë. Popullsia totale e shteteve të B. Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe H., Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia) do i arrinte rreth 20 milionë banorë (pra afërsisht, numrat e saktë të demografikave ballkanike s’i di as vetë EU – numrat janë problem në vete, dhe EU ka shpesh kokëdhimbje rreth kesaj). Kanadaja i ka rreth 37 milionë banorë, dmth. pothuaj dyfish më shumë, tregtia totale mes EU dhe Kanadasë vitin e kaluar ishte rreth 60 miliardë Euro.

Sapo thamë që dhe tregtia mes EU dhe B. Perëndimor i “afrohej” 60 miliardë Eurove. Pakashumë B. Perëndimor është ai “kopshti prapa shtëpisë” i Evropës. Derisa për Ballkanin EU i ka “preferencat e tregtisë autonome”, për Kanadanë do fuqizohej CETA si një marrëveshje tregtare EU-Kanadeze. CETA hyri në fuqi në Shtator 2017, e cila marrëveshje natyrisht i ul tarifat dhe e bën më të lehtë eksportin e mallrave dhe të shërbimeve.

Po ashtu, vitin e kaluar, në Shkurt 2019, erdhi Marrëveshja EU-Japoneze e Partneritetit Ekonomik. Firmat panumërta të EU secilin vit ashtu-kështu veç i eksportonin rreth 70 miliardë Euro mallra dhe 28 miliardë Euro shërbime në Japoni. Mirëpo marrëveshja fringo me Japoninë i lehtëson gjërat e “tregtisë”, pakashumë njësoj siç i lehtëson “preferenca e tregtisë autonome” për Ballkanin. Marrëveshja EU-Japoneze duhet parë dhe si një sinjal i fuqishëm se dy nga ekonomitë më të mëdha në botë e kundërshtojnë “proteksionizmin”. Ajme, fjalë të bukura “europeane” ama pothuaj sa për t’u “mburrur” : )

Pasi më shumë se 70% e importeve nga mbarë bota hyjnë në EU me tarifa zero ose të ulura, tregjet janë më të hapurat dhe EU-zona e ndjek strategjinë më të hapur të investimeve që njeh bota. Pozicioni i EU në tregjet globale është pothuaj i paarritshëm, EU është një prej ekonomive më të hapura në botë dhe strategjia e EU është prore e “orientuar” për tregti të lirë, EU është eksportuesi më i madh në botë i mallrave dhe shërbimeve, dhe në vetvete është tregu më i madh për rreth 80 vende të botës, vetëm bllokut tregtar të EU i takojnë rreth 16% të importeve dhe eksporteve botërore, është ekonomia më e madhe dhe blloku më i madh tregtar në botë, EU renditet e para në investimet ndërkombëtare (si për investimet hyrëse dhe për ato dalëse), EU “mburret” se është partneri parësor tregtar për 80 vende të botës (ndërsa ShBA, si shembull – thonë mburravecët – është partner parësor për nja 20 vende), e sidomos për vendet në zhvillim EU është më e hapura ekonomi e planetit, EU importon më shumë nga vendet në zhvillim (duhet përjashtuar karburantet) sesa ShBA, Kanadaja, Japonia dhe Kina bërë së bashku… etj. etj. “mburravecllëku” i EU s’do kishte mbarim 🙂

EU është duke negociuar ose duke provuar arritjen e “marrëveshjeve për tregtinë e lirë” me gjithë botën, me ShBA duhet të “merren vesh”, me ASEAN, me Tajlandën, me Filipinet, me Indonezinë, me Vietnamin, me Malajzinë, me Meksikonë, me Australinë, Zelandën e Re, me Indinë, me 8 shtete të Lindjes së Mesme veç ka arritur marrëveshje tregtie, e madje dhe me vetë Kinën e madheeee EU është duke “negociuar” investimet, nejse… me Turqinë vërtet assesi ta gjejnë simpatinë, i kanë “prishur” punët e negociatave si mos mëkeq, sëpaku për 5 vitet e ardhshme të dyja palët do rrinë të mërrolura, këtë mund të garantoj dhe vetë unë, pa qenë fare EU-politikan i lartë diku në Bruksel o gjetiu…

Gjithsesi, parë nga përspektiva “globalisht”, përqindja e Ballkanit Perëndimor në tregtinë e përgjithshme të EU është vetëm 1.4%. Andaj e qartë, 55 miliardë Euro janë qartësi kristalore (shi për këtë dhe e krahasova EU-tregtinë ballkanike me atë EU-kanadeze). Shtetet e B. Perëndimor pa EU s’do ia bënin as “gëk”, ose do iu duhej të jep-e-merrnin me ekonomikat e “Lindjes”, me ata aziatët e me kinezët. Dhe afërmendsh, bie fjala kinezët fare nuk “turpërohen” që t’u bëjnë konkurrencë EU-interesave në Ballkan (qoftë dhe sa për një “strajcë” milingonash). Një vonesë sado e vogël në parallogaritjen e strategjikave tregtare… dhe saora i sheh turqit, arabët, mongolët, eskimezët, kinezët tek i fusin hundët në Serbi… dhe gjithandej në Ballkan. Të tilla zotësi e manevrime, të të futet dikush në “kopshtin tënd” dhe sipas qejfit t’i shet e reklamojë kumbullat e veta, qebesa nuk i pëlqejnë as EU dhe as… kujt.

Siç e përmendëm, preferencat e tregtisë autonome, fuqizuar në v. 2000 nga EU për B. Perëndimor skadojnë në fund të v. 2020. Një propozim i EU-Komisionit për t’i zgjatur preferencat autonome tregtare të B. Perëndimor deri në fund të v. 2025, (bazuar në infot e EU) aktualisht është duke u shqyrtuar nga Parlamenti… dhe Këshilli Evropian.
Bukur, natyrisht për çfarëdolloj privilegjesh të jetë fjala. Uroj që propozimi për zgjatjen deri në v. 2025 të miratohet, anise kjo “zgjatje e autonomisë tregtare preferenciale” (sipas meje) vetvetiu bart me vete dhe një sinjal për “shtyrjen e aderimit” të shteteve të caktuara në EU (në kuadër të “pakos zgjeruese”)!

Këto “preferenca” në fjalë lejojnë që pothuaj të gjitha eksportet e shteteve të Ballkanit Perëndimor të hyjnë në zonën e EU pa tarifa doganore ose kufizime sasiore. Edhe pse ka disa produkte me kufizime të caktuara (sheqeri, vera, produkte të caktuara të peshkimit.. etj) dhe për të cilat aplikohen kuotat e tarifave preferenciale. Diç e “ngjashme” si CETA e kanadezëve… në dukje, por jo, “autonomia tregtare” është privilegj special për “kopshtin prapa shtëpisë”, hyrja e shteteve te B. Perëndimor në EU është vetëm “vonim… s’ka shpëtim” 🙂

***
Hyrja në EU ecën zhagas, dihet kjo, jemi mësuar tashmë, ama as daljet nuk ndodhin vrapimthi. Siç e dimë “Brexit” ngeli si një breshkan çalaman, pikërisht sepse lloj-lloj negociatash duhen, lloj-lloj marrëveshjesh. Gjithsesi, me sekonden e parë të 1 Janarit 2021… sekonda e parë e Big Ben-it londonez, s’do ketë tutje “xingla-mingla”, gjithçka e “Brexit” duhet të mbarojë.
Dokumenti “Qasja e Mbretërisë së Bashkuar për negociatat me EU” (36 faqe), qe publikuar në Shkurt 2020, dhe përditësuar për herë të fundit para pak kohësh, më 19 Maj 2020, nga zyra e Kryeministrisë Britanike. Dokumenti përcillet me 12-13 drafte të tjerë.

Ma besoni që brenda 36 faqeve marrëveshja EU-Japoneze përmendet plot 12 x dhe marrëveshja EU-Kanadeze (CETA) plot 19 herë : )
Pse? Sepse dhe marrëveshjen e vetë britanikët janë munduar ta “akordojnë” sa më ngjashëm, thuase gjithçka e kanë përdorur si “mostër”, ata thjesht janë duke kërkuar llojin e marrëveshjes që EU tashmë i ka “lidhur” me Kanadanë, Japoninë dhe vendet e tjera miqësore. Brexit-istët besojnë se qasja dhe propozimet e tyre janë të drejta dhe fort të arsyeshme. Dhe rishtas ma besoni që ELEMENTI kryesor i qasjes britanike është Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Tregtisë së Lirë (Comprehensive Free Trade Agreement – FTA), që mbulon në thelb gjithë tregtinë, gjithçka që mund të tregtohet – drafti i “FTA” i ka mbi 290 faqe. Shih pra, sinqerisht s’e kuptoj pse ata druajnë që EU-teknokratët do i thonë “jo” Lirisë tregtare… pa pa pa : )

Me një tjetër draft të britanezëve (lidhur me energjitikat), në një vend më pati vajtur buza në gaz sepse sqarohej që “materialet nukleare duhet të tregtohen ekskluzivisht për nevojat paqësore, assesi për shfrytëzime ushtarake”, në rregull kjo ama tutje duhej ta specifikonin se “energjia elektrike e nxjerrur nga centralet atomike dhe me të cilën ndiçohen kazermat e ushtrisë nuk konsiderohet si “shfrytëzim ushtarak”, si dhe as izotopet që spitalet ushtarake kanë nevojë për to, s’duhet të konsiderohen si “shfrytëzim ushtarak” – ec e mos buzëqesh me “seriozitetin” e hollësirave dhe me saktësinë e gjuhëve protokolare të shteteve : )

( ngjitur: pikërisht 1 vit më parë EU i pati sqaruar “konkluzionet” e veta për Shqipërinë e për Kosovën… )