Art Digjital – Lashtësia me të gjitha “detajet dhe nuancat”!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2019 (Arti Digjital – pak fjalë…)

Lashtësia e Greqisë si djep i qytetërimit modern, ku e kanë zanafillën politika, diplomacia e demokracia, ku janë zhvilluar artet e filozofia, sikur asnjëherë deri sot nuk është “nderuar” më bukur dhe në nivel më të lartë artistik, sesa me ndërmarrjen masive të industrisë argëtuese kohëve të fundit

***

Si interes për artet vizuale, dhe meqë të lidhura me mitologjinë e me historiografinë, sikur isha duke e “studiuar” punën marramendëse të artistëve që gravitojnë rreth Ubisoft.
Ta krijosh “lashtësinë” me specifikat e detajet historike, ta ndërtosh një botë të tërë “ndëraktive”, ta ndërtosh “lashtësinë” me të gjitha nuancat – këtë e ka bërë Ubisoft, kompania e 3-të apo 4-të e botës për nga madhësia, sa u përket video-lojërave. Kompani franceze që operon me disa studio zhvilluese gjithandej nëpër botë (47 studio aneskaj rruzullit – 16.000 të punësuar).

Ekipeve të Ubisoft u qenë nevojitur 3 vite të tëra për realizimin e projektit “Assassins Creed – Odyssey”. Bëhet fjalë për qindra miliona investime. Ngjarjet imagjinare të projekt-lojës janë vendosur diku rreth v. 430 pes, dhe komploti na “flet” për historinë e trilluar të Luftës Peloponeziane mes Athinës dhe Spartës. Mirëpo ta ndërtosh “lashtësinë” me një kualitet të tillë, loja ta ketë një “ndëraktivitet” gjithpërfshirës sa, përveç delirit argëtues të vetë lojës, të flasësh me një numër personazhesh historike.

Imagjino të takohesh “sy më sy” me figurat historike si Platoni, Herodoti, Pitagora, Sokrati, Hipokrati, Alkibadi, Arkidamusi, Aristofani. Ta takosh Aspasinë e lavdishme, Euripidin, Kleonin, Demokritin, Perikleun, Fidian, Polikletusin, Praksilusin, Sofokliun, Tespisin etj. Ose të shetisesh sheshit në Agora të Athinës, të bredhësh e t’i takosh filozofët nëpër vendet historike e mitike të Greqisë si Kefalonia, Itaka, Odeoni i Athinës, të jesh para statujes së Zeusit në Olympia.

Të shkosh në Naksos, në Lesbosin e Safosë, në Athinën antike, në Argolisin e lashtë, në Mesara… Ose imagjino të ndeshesh ballë për ballë me krijesat e famshme nga mitologjia si Meduza e llahtarshme, apo të ndeshesh me Ciklopët, apo të tmerrohesh nga Minotauri i çartur tek të ndjek labirintit pa “rrugëdalje” : )

[ ngjitur: sekuenca ambientale të Athinës, ~ 430 p.e.s., në kuadër të video-lojës “Assassin’s Creed – Odyssey” (2018), zhvilluar nga Ubisoft Quebec (Kanada) dhe publikuar nga Ubisoft (Francë), 2018 – mundësi e veçantë multi-mediale për ta “përjetuar” lashtësinë si kurrë ndonjëherë më parë, me asnjë formë tjetër, me asnjë medium tjetër deri sot… ]

 

[ ngjitur: sekuenca ambientale të Spartës, ~ 430 p.e.s., në kuadër të video-lojës “Assassin’s Creed – Odyssey” (2018), zhvilluar nga Ubisoft Quebec (Kanada) dhe publikuar nga Ubisoft (Francë), 2018 – mundësi e veçantë multi-mediale për ta “përjetuar” lashtësinë si kurrë ndonjëherë më parë, me asnjë formë tjetër, me asnjë medium tjetër deri sot… ]