Pax Americana – “Kryevepër diplomatike, akt i fuqisë dhe autoritetit…”!

(sguraziu – ars poetica, shtator 2020 – koment)

Siç e dimë “Marrëveshja Washington” (më 4 Shtator 2020) për fat të mirë s’ishte asfare e “ngjashme” me Marrëveshjen Dayton, dikur në bazën ushtarake Wright-Patterson (afër qytetit Dayton, ShBA, në v. 1995). Aty, atij sherraxhiut, kriminelit të luftrave Millosheviq diplomatët ia patën “ngrehur veshin” duke ia hedhur para hundës (duke ia imponuar t’i shihte) me qindra e mijëra avionë-bombarderë, duke ia “impozuar” fuqinë dhe supremacinë e NATO-diplomatikave…
Për fat të mirë, edhe pas 2 dekadave “doza e NATO-efektit” ende është efektive. Jo, kësaj radhe palët i ftuan këmbëkryq në “oden e Trumpit”, në Shtëpinë e Bardhë. Kuptohet, s’kemi si ta dimë, disa gjëra dhe s’dalin për publikun ama ndoshta vetë Ivanka Trump mund t’i ketë qerasur me llokume, me bozë taze, me çokollata e me limonata : )

Rishtas, për fat të mirë Kosova dhe Serbia u dakorduan rreth mjaft gjërave “vitale” lidhur me marrëdhëniet fqinjësore të ardhmërisë… aq sa “…njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia është më pak si formalitet sesa ç’është realisht e plotë si përmbajtje” – shkruante autori B. Carrano në një artikull të vetin.

Në Shtëpinë e Bardhë u nënshkruan 2 dokumente të ndara (njëri nga Serbia dhe tjetri nga Kosova), edhe pse me pjesën dërrmuese të përmbajtjes dokumentet ishin të “ngjashme” megjithatë duheshin 2 sosh (jo sepse Vuqiq do ta refuzonte “pikën ku i kërkohej njohja e Kosovës”, por : ) dallimi i vetëm mes 2 dokumenteve ishte klauzola e fundit në lidhje me marrëdhëniet e secilës palë me Izraelin.

Gjithsesi, si pjesë e Marrëveshjes së Washington-it, Kosova u dakordua t’i bashkohet Zonës Mini-Schengen* (sepse ndryshe s’do kishte “kuptim” as vetë marrëveshja – madje do binte n’ujë dhe vetë “diplomacia Ramusheske e Tiranës), e cila mini-zonë ekonomike ka për “synim” t’i përgatit 4 vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u kyçur në Zonën (e vërtetë) Schengen, si anëtare të BE.
* Zona Mini-Schengen është një marrëveshje mes Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës (e deklaruar në Tetor 2019 në Novi Sad, kishte pastaj dhe dy takime të tjera, në Ohër më 11 Nëntor 2019, dhe në Durrës më 12 Dhjetor 2019). Katër vendet deklaruan se do t’formojnë një treg të përbashkët deri në fundvitin 2020. Kështu që mallrat mes katër vendeve të qarkullojnë më shpejt si dhe njerëzit ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftim

Si rrumbullakësim i një artikulli nga Biagio Carrano (një biz-italian i “pavarur” i cili operuaka në Kryeqyetin e Serbisë – sipas meje Carrano ia kishte qëlluar fort trump-diplomatikave), rrumbullakësimi do ishte:

“…anise duket sikur “Qeveria Netanyahu” të ketë qenë “krye-arkitekti” prapa këtyre marrëveshjeve, me një lëvizje të vetme diplomatike administrata e Trump i ka “shtyrë” në qoshe BE-në, Gjermaninë, Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Për BE-në është pothuajse një poshtërim diplomatik, pas më shumë se 20 viteve të menaxhimit të çështjes së Kosovës.
Në shumë mënyra “Pax Americana” është një kryevepër diplomatike, nëse me diplomaci nënkuptojmë një formë imponimi të fuqisë. ShBA e ka rifituar kontrollin total të Ballkanit Perëndimor, “Pax Americana” ishte një akt i fuqisë dhe autoritetit amerikan. Për Presidentin Trump interesat ekonomike janë thelbi i politikës dhe nënshkrimi i marrëveshjeve të normalizimit ekonomik nënkupton gjithashtu normalizimin politik të palëve të përfshira.
Marrëveshjet e 4 Shtatorit mes Serbisë dhe Kosovës pra përfaqësojnë njohjen e ndërsjellë politike të dy vendeve. Në nivelin politik, njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia është më pak si formalitet sesa ç’është realisht e plotë si përmbajtje. Menaxhimi i përbashkët i vendkalimit kufitar, njohja reciproke e diplomave, menaxhimi i liqenit, shkëmbimi i informacionit, gjurmimi i lëvizjes së personave në mënyrë elektronike dhe biometrike etj. s’janë marrëveshje midis një shteti dhe “provincës rebele” por mes dy shteteve të pavarura. Për më tepër, siç është strukturuar, kjo marrëveshje gjithashtu e mbyll përfundimisht çdo perspektivë të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës…”

(Foto – Presidenti Trump merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, më 4 Shtator 2020 në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
(Foto zyrtare e Shtëpisë së Bardhë nga J. N. Boghosian)